
Krenari në rrugë, paragjykime në ekran
Resmije Sadiku

Në diskursin publik në Kosovë, deklarimi i orientimit seksual apo mbështetja e komunitetit LGBTIQ+ mund t’i shndërrojë lehtësisht njerëzit në shënjestër të sulmeve fizike dhe, në masë të madhe, edhe të sulmeve online.
Një video 60-sekondëshe, e publikuar në rrjetin social Facebook, nga rrëfimi i skenaristes Arlinda Morina në emisionin “Canape”, në televizionin T7, ka nxitur reagime të shumta dhe mbi 900 komente. Analiza e përmbajtjes së tyre tregon se një numër i konsiderueshëm i komenteve përmbajnë gjuhë negative dhe shprehje urrejtjeje.
Komentuesit e identifikueshëm nuk hezitojnë të publikojnë komente që bëjnë thirrje për drejtësi hyjnore, përmbajnë mallkime, madje edhe nxisin veprime konkrete në rrugë.
Të dhënat tregojnë se ky shpërthim i gjuhës së urrejtjes nuk është reflektuar në numrin e rasteve të raportuara tek autoritetet kompetente.
Nga janari i vitit 2025 deri në korrik të vitit 2026, në Policinë e Kosovës janë raportuar vetëm katër raste ku viktima ishin pjesëtarë të komunitetit LGBTIQ+.
Sipas përfaqësuesve të Qendrës për Barazi dhe Liri (CEL), këto të dhëna dëshmojnë për normalizimin e këtij fenomeni.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për komente të izoluara apo për raste sporadike të fyerjes. Në shumë raste kemi të bëjmë me një ambient digjital ku gjuha denigruese ndaj personave LGBTIQ+ është normalizuar dhe ku paragjykimet ekzistuese në shoqëri prodhohen e riprodhohen me shumë shpejtësi. Problemi bëhet edhe më serioz kur një përmbajtje e tillë nuk moderohet, kur vazhdon të qëndrojë online dhe kur, përmes pëlqimeve, shpërndarjeve dhe komenteve, shumëzohet dhe arrin te një publik shumë më i gjerë”, thonë nga CEL.
Normalizimi i komenteve të urrejtjes mund të ketë pasoja të mëdha, sipas psikologes Mirjeta Pestishta Deliu.
“Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj gjuhës së urrejtjes mund të shoqërohet me ankth, vështirësi emocionale, ulje të vetëvlerësimit dhe tërheqje sociale. Veçanërisht shqetësuese është kur personi fillon të izolohet ose të kufizojë mënyrën se si shprehet vetëm për të shmangur sulmet dhe paragjykimet”, thotë Deliu.
“Policia dhe Prokuroria duhet t’i trajtojnë seriozisht kërcënimet dhe rastet e urrejtjes online”
Për adresimin e dhunës online dhe të mesazheve të kësaj natyre, Kosova ka një bazë ligjore që parasheh sanksione për vepra të caktuara. Megjithatë, raportimi i rasteve dhe zbatimi i ligjit mbeten sfida. Përfaqësuesit e CEL-it vlerësojnë se kërcënimet online, në disa raste, nuk trajtohen me seriozitetin e duhur.
“Personi që raporton nuk duhet ta ketë përshtypjen se një kërcënim është më pak serioz vetëm sepse është shkruar në Facebook, Instagram apo TikTok. Duhet të ketë edukim për të drejtat e njeriut dhe shkrim-lexim digjital, mekanizma funksionalë të raportimit, trajnim të profesionistëve dhe bashkëpunim sistematik me organizatat që punojnë drejtpërdrejt me komunitetet LGBTIQ+”, shtuan nga CEL.
Një hulumtim i Avokatit të Popullit konstaton praninë e gjuhës së urrejtjes në komentet në rrjetet sociale. Sipas këtij raporti, orientimi seksual ishte objekt i gjuhës së urrejtjes në 7 për qind të rasteve. Avokati i Popullit ka vlerësuar se gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ+, grave dhe grupeve të tjera të cenueshme është në rritje, duke kërkuar monitorim, parandalim dhe luftim të saj në të gjitha format.
Avokati Anton Nrecaj thotë se Kosova nuk ka një plan veprimi për pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ+.
“Problemi kryesor nuk është vetëm mungesa e normave juridike, por zbatimi i tyre, raportimi i ulët i rasteve, mungesa e besimit në institucione, mungesa e të dhënave të plota dhe reagimi jo gjithmonë adekuat ndaj diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të motivuara nga urrejtja”, thotë Nrecaj.
Kur mbështetja dhe orientimi kthehen në sulm
Më 6 qershor 2026, në rrjetet sociale u publikua një fotografi ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Osman Musliu, paraqiteshin së bashku me veshje dhe elemente vizuale të lidhura me komunitetin LGBTIQ+. Postimi shoqërohej me mbishkrimin: “Hotel Dylberi, le të fitojmë me 72%”. Fotografia krijonte përshtypjen se paraqiste një situatë reale, ndonëse, sipas verifikimit të Krypometër, ajo ishte e gjeneruar përmes inteligjencës artificiale.
Një tjetër publikim, i shpërndarë më 13 maj 2026 në Facebook, përmbante një fotografi ku Kurti dhe Musliu paraqiteshin duke u puthur. Postimi shoqërohej me komentin: “Ajde për hajr ju koft kurorzimi hoxh mas pasuli pak relaks”. Pas verifikimit, Krypometër raportoi se fotografia ishte krijuar me inteligjencë artificiale. Këto raste ilustrojnë se si imazhet e manipuluara mund të përdoren për të krijuar pretendime të rreme, për të nxitur reagime dhe për të sulmuar figura publike duke shfrytëzuar orientimin seksual si element të përmbajtjes.
Manipulime të ngjashme janë identifikuar edhe në përmbajtjet që lidhen me ngjarje sportive. Më 27 qershor 2026, në rrjetet sociale u publikua një fotografi me pretendimin se, para ndeshjes Iran–Egjipt në Seattle, fusha e stadiumit ishte mbuluar me flamuj të mëdhenj të ylberit, si pjesë e një organizimi zyrtar. Megjithatë, imazhi i shpërndarë nuk duhej trajtuar si dëshmi e një ngjarjeje reale pa u verifikuar burimi dhe autenticiteti i tij. Në verifikimin e pretendimit u përdor edhe fotografia origjinale e publikuar nga Lead Stories, për ta krahasuar me imazhin që qarkullonte në rrjetet sociale.
Gjatë periudhës maj–gusht 2026, platforma për verifikimin e fakteve Hibrid.info ka identifikuar afër 150 raste të keqinformimit. Rreth 34.7% e tyre përbënin lajme të rreme, 8.2% dezinformata, 10.2% përmbajtje të paverifikuara, 17.7% clickbait, 9.5–10.9% mashtrime dhe 14.3–15.0% manipulim të fakteve. Në mesin e tyre ishte një foto që pretendonte se fusha e stadiumit para ndeshjes Iran–Egjipt ishte e mbuluar me flamuj të ylberit.
Gabimet e mediave në raportimin për komunitetin LGBTIQ+
Përdorimi i terminologjisë së pasaktë për personat transgjinorë, ekspozimi i panevojshëm i identitetit të tyre dhe trajtimi i rasteve të diskriminimit si ngjarje të izoluara janë ndër gabimet që vazhdojnë të shfaqen në raportimin për komunitetin LGBTIQ+ në Kosovë, thotë Dafina Halili, redaktore në Kosovo 2.0.
Sipas saj, megjithëse raportimi është përmirësuar, mediat ende u kushtojnë më shumë vëmendje Paradës së Krenarisë dhe debateve politike sesa problemeve të përditshme të komunitetit, si refuzimi familjar, mungesa e strehimit, vështirësitë në punësim dhe qasja në shërbime sociale.
Halili thekson se gazetaria duhet të hulumtojë edhe përgjegjësinë e institucioneve dhe lidhjen ndërmjet përjashtimit shoqëror, mungesës së mbështetjes dhe rrezikut të dhunës, në mënyrë që diskriminimi sistemik të mos paraqitet si një varg rastesh të veçuara.
Problem mbetet edhe organizimi i debateve televizive, ku aktivistët LGBTIQ+ shpesh përballen me persona që kundërshtojnë të drejtat e tyre, duke krijuar përshtypjen se dinjiteti dhe të drejtat e njeriut janë çështje opinionesh të barasvlershme. Në debatin për Kodin Civil, sipas Halilit, deklaratat politike dhe pretendimet që krijuan keqkuptime për projektligjin morën më shumë hapësirë sesa personat që do të prekeshin nga ndryshimet.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) vlerëson se mediat profesionale kanë shënuar përmirësim në përdorimin e terminologjisë, respektimin e privatësisë dhe trajtimin e këtyre temave si çështje të të drejtave të njeriut. Megjithatë, AGK-ja paralajmëron se faqet dhe platformat online që synojnë klikimet shpesh përdorin tema të ndjeshme, përfshirë të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ dhe dhunën me bazë gjinore, për të prodhuar përmbajtje sensacionale, pa respektuar domosdoshmërisht standardet e gazetarisë profesionale dhe kodin e etikës.
Gjuha e urrejtjes dhe ngacmimet ndaj komunitetit LGBTIQ+ – roli i institucioneve
Kërcënimet dhe ngacmimet online ndaj komunitetit LGBTIQ+ duhet të trajtohen seriozisht nga institucionet, pavarësisht nëse ndodhin përmes komenteve apo mesazheve në rrjetet sociale. Halili theksoi se personat që raportojnë këto raste duhet të priten pa paragjykime dhe tallje, ndërsa identiteti i tyre duhet të mbrohet.
“Kur një person LGBTIQ+ kërcënohet në internet, institucionet duhet ta trajtojnë kërcënimin si çështje sigurie, jo ta shpërfillin sepse është shkruar në një koment apo mesazh. Policia duhet ta pranojë raportimin, të vlerësojë sa i rrezikuar është personi dhe të sigurojë provat. Kur ka dyshim për vepër penale, rasti duhet të hetohet në bashkëpunim me Prokurorinë. Nuk duhet të pritet një sulm fizik që kërcënimi të merret seriozisht”, thotë Halili.
Sipas AGK-së, kërcënimet online nuk duhet të trajtohen si diçka më pak serioze vetëm pse mund të vijnë nga një koment ose nga rrjetet sociale në përgjithësi.
“Institucionet duhet të kenë një qasje shumë më aktive dhe të koordinuar. Kërcënimi online nuk duhet trajtuar si diçka më pak serioze vetëm sepse është shkruar në një koment apo në rrjete sociale. Kur ka kërcënim, nxitje të dhunës apo ngacmim të vazhdueshëm, duhet të ketë reagim të shpejtë, hetim dhe, kur ekziston bazë ligjore, përgjegjësi. Në anën tjetër, institucionet kanë edhe rol parandalues: përmes edukimit medial, informimit për të drejtat, bashkëpunimit me mediat dhe shoqërinë civile dhe krijimit të mekanizmave ku viktimat mund të raportojnë në mënyrë të sigurt. Kjo nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një institucioni”, deklaruan nga AGK-ja për gazetën.
“Nuk duhet të pritet një sulm fizik që kërcënimi të merret seriozisht”, deklaroi ajo, duke shtuar se Policia duhet të vlerësojë rrezikun, të sigurojë provat dhe, kur ka dyshime për vepër penale, të bashkëpunojë me Prokurorinë.
Sa u përket masave konkrete, Halili kërkoi që mediat të hartojnë politika të qarta redaktoriale për raportimin mbi personat LGBTIQ+, të mbrojnë identitetin e tyre dhe të vlerësojnë rreziqet para publikimit të informatave. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e moderimit të komenteve në faqet e mediave dhe në rrjetet sociale.
“Për temat ku priten sulme, moderimi duhet të planifikohet para publikimit. Personi për të cilin është shkruar nuk duhet të lihet të përballet i vetëm me kërcënimet në hapësirën që ka hapur media”, deklaroi Halili.
Edhe AGK-ja kërkoi trajnime të vazhdueshme për gazetarët dhe redaktorët, standarde profesionale dhe politika të qarta për moderimin e gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe përmbajtjeve dehumanizuese.
Ky artikull është zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Sekhmet, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, përmes projektit “Lufta kundër diskriminimit dhe urrejtjes”, që është pjesë e programit të përbashkët “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”
Artikulli është publiku po ashtu në Kallxo.com: https://kallxo.com/komuna/analize-komuna/kur-kerkesa-per-drejtesi-qe-kthehet-ne-urrejtje-e-sulm/
Ky artikull është zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Sekhmet, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, përmes projektit “Lufta kundër diskriminimit dhe urrejtjes”, që është pjesë e programit të përbashkët “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”