

Në përpjekje për të ofruar një pasqyrë të qëndrimeve publike të figurave kyçe politike të Republikës së Kosovës, Instituti Sekhmet në kuadër të hulumtimit “Përmirësimi i përfaqësimit politik të personave LGBTIQ+ në Kosovë”, ka përpiluar një hartë në të cilën përfshihen institucionet më të larta shtetërore: Presidenca, Kryeministria e Parlamenti si dhe figura të rëndësishme (drejtues partish, udhëheqës institucionesh e deputetë) përbrenda partive politike të cilat janë të përfaqësuara në Parlamentin e Republikës së Kosovës.
Në një klimë politike jo stabile, me qeveri të paqëndrueshme të cilat asnjëherë nuk e kanë çuar deri në fund mandatin e tyre, matja e këtyre qëndrimeve është ndërmarrje sfiduese. Përtej klimës jostabile politike, politikanët e politikanet e Kosovës asnjëherë nuk e kanë artikuluar qartazi qëndrimin e tyre në lidhje me çështjet LGBTIQ+. Në rastet kur janë pyetur drejtpërdrejt në lidhje me qëndrimin e tyre për sa i përket “martesave ndërmjet gjinisë së njëjtë”, ata e ato kanë zgjedhur të japin përgjigje të paqarta, me vetëm disa prej tyre që janë deklaruar drejtpërdrejt pro apo kundër (shumica prej tyre janë deklaruar kundër).
Përmbledhja e ofruar këtu është e bazuar në një hulumtim të materialit virtual, që përfshin deklaratat e këtyre politikanëve e politikaneve nëpër media të ndryshme lokale e ndërkombëtare si dhe reagimet e tyre në rrjetet sociale. Përgjatë këtij hulumtimi, kemi vërejtur se politikanët e politikanet e Kosovës shpeshherë kanë redaktuar deklarimet e tyre në rrjetet e tyre sociale e madje edhe kanë fshirë planprogramet qeverisëse nga ambienti virtual, gjë që e bën këtë përmbledhje të cënueshme ndaj gabimeve në njërën anë dhe është simptomatikë e hezitimit të deklarimit të qartë të politikanëve e politikaneve në lidhje me qëndrimet e tyre për çështjet LGBTIQ+ në anën tjetër.
Derisa një pjesë e tyre e kanë zgjedhur heshtjen deri së voni, seanca e Parlamentit të Republikës së Kosovës, e 16 marsit 2022 për votimin e Projektligjit për Kodin Civil (transkripta e së cilës mungon në uebfaqen e Parlamentit të Republikës së Kosovës), ka shërbyer për të qartësuar deri diku se kush ku qëndron në lidhje me personat LGBTIQ+.
Në anën tjetër, ekziston një dallim i madh i mënyrës se si, ku dhe kur politikanët e politikanet në pozita udhëheqëse shprehen në lidhje me çështjet LGBTIQ+, gjë të cilën e bëjnë kryesisht në data të shënuara si Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë e Transfobisë e në Javët e Krenarisë. Çështjet LGBTIQ+ kryesisht i përmendin nëpër takime me përfaqëuses të misioneve e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, teksa në të tjerat rezervohen. Poashtu, ata e ato tregohen mjaft të kujdesshëm në postimet e tyre në rrjetin social Facebook, ku ndiqen nga një audiencë kryesisht lokale shqipfolëse, ndërsa diçka pak më dorëlëshuar janë në platformën Twitter, ku ndiqen kryesisht nga audienca ndërkombëtare e jo shqipfolëse.
Përmbledhja e ofruar këtu ka për qëllim primar të shërbejë si udhërrëfyes informativ e dije e shpejtë për personat LGBTIQ+, në një përpjekje për edukimin e votuesve queer në Kosovë. Në mungesë të kulturës së hartimit dhe ofrimit për publik të planprogrameve qeverisëse, mendojmë se përmbledhja e mëposhtme do t’ju ndihmojë atyre të vendosin se cilët politikanë e politikane do t’i zgjedhin për t’i përfaqësuar në të ardhmen. Ky është hapi i parë i një misioni afatgjatë të Institutit Sekhmet për sigurimin e përfaqësimit më gjithëpërfshirës të personave queer në peizazhin politik të Republikës së Kosovës dhe edukimin e votuesve queer.
Kjo hartë është hartë në plotësim e sipër, prandaj do ta vlerësonim shumë nëse na shkruani në sekhmet.institute@gmail.com, nëse ndonjëri/a nga figurat politike të përzgjedhura më poshtë është deklaruar ndryshe në lidhje me çështjet LGBTIQ+ nga ajo që kemi mundur të mbledhim ne.
PRESIDENCA
ATIFETE JAHJAGA (2011-2016)
Atifete Jahjaga ishte zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës në prill të vitit 2011. Në fillimet e mandatit të saj, Atifete Jahjaga asnjëherë nuk kishte përmendur çështjen LGBTIQ+. Kah fundi i mandatit të saj, në qershor të vitit 2015, ajo kishte marrë pjesë në lansimin e programit “Angazhimi për Barazi” të USAID-it e ATRC-së, ku kishte falenderuar këto dy institucione për lansimin e këtij programi dhe në një kontekst të përmendjes së të drejtave të njeriut në përgjithësi, e sigurimit të kushteve më të mira për grupet e margjinalizuara në Kosovë, kishte përmendur plot dy herë termin LGBT. “Dua të shpreh një falënderim të veçantë dhe të përgëzoj USAID-in dhe ATRC-në që sot lansojnë programin e tyre të përbashkët ”Angazhimi për Barazi”, i cili jam e bindur që me anë të çështjeve që ka ky projekt synon të trajtojë si fuqizimin ekonomik të gruas dhe pjesëmarrja e saj në tavolinat vendimarrëse, mbrojta e të drejtave të të gjitha komuniteteve të LGBT, fuqizimi i të rinjëve dhe i personave më aftësi të kufizuara, do të jap një kontribut të vyer për integrimin tonë të mëtutjeshëm.” dhe së dyti në po të njëjtin fjalim, kishte thënë se, “Paragjykimet vazhdojnë të mbeten kur flasin për komunitetin LGBT dhe të drejtat e tyre, ne jemi siguruar që me ligjet e vendit ju mbrojmë dhe ju garantojmë të drejtat e tyre të pamohueshme dhe do vazhdojmë të punojmë intensivisht që të mbrojmë dinjitetin e tyre.” Pak pas përfundimit të mandatit të saj si Presidente, ajo ishte bërë ndër figurat e para politike të rëndësisë së lartë në Kosovë, që i ishte bashkuar marshit për Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë më 17 maj, të organizuar nga tri organizatat kryesore të çështjes LGBTIQ+ në atë kohë, CSGD, CEL e Qesh nën temën “Dashuria jonë është kushtetuese”. Krahas aktivistëve e aktivisteve dihe aleatëve e aleateve të çështjes LGBTIQ+ në Kosovë, në një lëvizje që ende po merrte hov, kishte marrë pjesë në këtë marsh bashkë me presidentin e atëhershëm Hashim Thaqi e figura të tjera figura të rëndësishme të misioneve ndërkombëtare në Kosovë. “Sot mora pjesë në ecjen kundër homofobisë, për të përkrahur realizimin e të drejtave të secilit qytetar. Kushtetuta e Kosovës garanton barazinë, pavarësisht gjinisë dhe orientimit seksual, dhe unë edhe sot e shtoj zërin tim në përkrahje të dinjitetit të çdo personi për të jetuar i lirë dhe i pa diskriminuar”, kishte shkruar ajo në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook pas marshit. Pas përfundimit të mandatit të saj si Presidente, si udhëheqëse e Fondacionit Jahjaga, Atifete Jahjaga është bërë më e zëshme në mbrojtje të të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe edhe atyre LGBTIQ+ në veçanti.
HASHIM THAQI (2016-2020)
Në fillim të mandatit të tij si President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaqi ishte bërë një nga të parat figura politike të rëndësisë së lartë në Kosovë që i ishte bashkuar marshit të organizuar për Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë më 16 maj, 2016 nga organizatat CSGD, CEL e QESh nën temën, “Dashuria jonë është kushtetuese”. Jemi këtu për te konfirmuar te drejtat e komunitetet LGBT” dhe “Në Kosovë secili mund të dashurojë secilin. Kosova me kushtetutë u jep të drejtë të gjithëve të kenë jetën e tyre. Çdo qytetar i vendit i ka të drejtat e tyre dhe këto të drejta ata duhet t’i shfrytëzojnë”, kishte thënë presidenti i atëhershëm Hashim Thaqi, nën praninë e eurodeputetes Ulrike Lunachek e ambasadorit amerikan në Kosovë Greg Delawie e figurave të tjera të misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Përgjatë gjithë mandatit të tij si president, Hashim Thaçi kishte marrë pjesë në të gjitha ecjet e organizuara në kuadër të Javës së Krenarisë, duke filluar nga ajo e para që u mbajt në tetor të vitit 2017 deri në atë të vitit 2019, ndërkaq në vitin 2020, për shkak të masave mbrojtëse kundër shpërndarjes së Pandemisë COVID-19, ecja ishte modifikuar në paradë me makina. Në këtë vit, Hashim Thaçi kishte treguar mbështetjen e tij përmes një postimi në rrjetin social twitter.
“Jam këtu për të shprehur mbështetjen institucionale për komunitetin LGBTIQ dhe për të konfirmuar se në Kosovë të gjitha komunitetet janë të barabarta, se shteti dhe shoqëria e Kosovës janë ndërtuar mbi parimet e barazisë dhe lirisë për të gjitha komunitetet”, ishte shprehur Presidenti Thaçi në adresimin e tij në Paradën e parë të Krenarisë të organizuar në Prishtinë. Ndërsa në një postim në rrjetin twitter kishte shkruar se Kushtetuta e Kosovës e mbron dashurinë. Hashim Thaçi kishte marrë pjesë dhe ju ishte adresuar pjesëmarrësve e pjesëmarrëseve edhe në Paradat e Krenarisë të viteve 2018 e 2019. Ndërsa në vitin 2020, kishte shfrytëzuar platformën twitter për të treguar nisjen e mekanizmave të rinj institucionalë në kuadër të Zyrës së Presidentit për t’i adresuar çështjet e komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë. Teksa mbështetjen e tij, qoftë edhe simbolike, e ka shprehur me bujari në platformën twitter e nëpër ambiente me pjesëmarrje të figurave të ndryshme të misioneve ndërkombëtare të BE-së e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hashim Thaqi përgjatë mandatit të tij si President i Kosovës, është kursyer në përmendjen e personave LGBTIQ+ në platformën Facebook, ku kemi gjetur vetëm një postim ku ai përmend qartë dhe drejtpërdrejt termin LGBTIQ+.
VJOSA OSMANI (2021)
Si kryeparlamentare për kohë të shkurtër (shkurt 2020-mars 2021), Vjosa Osmani kishte guxuar të shfaqë hapur mbështetjen e saj për personat LGBTIQ+ duke u shprehur në një postim në platformën twitter në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë në vitin 2020, duke thënë se orientimi seksual dhe identiteti gjinor nuk janë justifikim për diskriminim, dhunë e stigmatizim. Të njëjtën bujari nuk e ka treguar pas fillimit të mandatit të saj si Presidente e Republikës së Kosovës në mars të vitit 2021. Teksa kishte marrë pjesë në hapjen e Javës së Krenarisë të vitit 2021 të organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me organizata të shoqërisë civile, por jo në ecjen e përvitshme. Osmani poashtu ka refuzuar të përmend termin LGBTIQ+ në deklarimet e saj publike, atë të cilin nuk e ka përmendur as në adresimin e saj në hapje të Javës së Krenarisë 2021, ku kishte marrë pjesë. Ani pse pa e përmendur asnjëherë termin LGBTIQ+, Presidentja kishte dhënë mesazhe të fuqishme edhe nga hapja e Javës së Krenarisë 2022, përsëri nga ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës, “Këtë javë nuk flasim për një komunitet të izoluar e për një problematikë të largët. Flasim për familjarët tanë, për kolegët tanë, për punëtorët, për djalin e lagjes e vajzën që punon në shitoren më të afërt, e për të cilët për shkak të stigmës dhe paragjykimit detyrohen të jetojnë një jetë në hije, një jetë me drojë, një jetë me shumë pikëpyetje.“ ishte një pjesë e fjalimit të saj. As në vitin 2022 e as në vitin 2023, ajo nuk morri pjesë në ecjen e përvitshme të krenarisë në mbyllje të Javës së Krenarisë. Presidentja qëndroi në heshtje edhe në raport me gjuhën përçarëse të urrejtjes që shumë deputetë shpërfaqën në seancën e 16 marsit 2022 për votimin e Projektligjit për Kodin Civil.
KRYEMINISTRIA
RAMUSH HARADINAJ (2004-2005 DHE 2017-2020)
Në shtator të vitit 2015, në një mbledhje të Komisionit Parlamentar për të diskutuar çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në tentim për të ofenduar Murat Mehën, Ramush Haradinaj - atëbotë deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës, i ishte drejtuar me fjalën, “Peder!” Pas presionit të ushtruar nga organizatat e shoqërisë civile, Haradinaj kishte kërkuar falje jo për përdorimin e këtij termi ofendues, diskriminues e përjashtues për personat LGBTIQ+ në Kosovë, duke thënë se qëllimi i tij nuk kishte qenë të ofendojë, “Cilësimi që i kam bërë sot Murat Mehës në Komisionin e Jashtëm Parlamentar, s’ka të bëjë me fjalor diskriminues ndaj asnjë kategorie njerëzore, e as ndaj komunitetit LGBT. Ajo që kam thënë ka të bëjë vetëm me karakterin e kryetarit të Komisionit për Demarkacion, por nëse dikush është ndier i fyer me këtë fjalë, u kërkoj falje publike”, kishte thënë Haradinaj atëbotë. Dy vjet më vonë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, kishte hapur Javën e Krenarisë, por nuk kishte marrë pjesë në ecjen e parë të krenarisë, e cila që prej atëherë do të bëhej e përvitshme në Prishtinë. “Atë që ne kemi deklaruar që Kushtetuta jonë do t’i respektojë të drejtat e të gjithëve pa dallim edhe të gjitha liritë njerëzore janë të respektuara. Në këtë rast Kosova është e gatshme t’i respektojë të drejtat e komunitetit LGBT në Kosovë dhe njëkohësisht ta mundësojë që një barazi dhe një liri e zgjedhjes në jetë të ndodh në bazë të përcaktimit të secilës dhe të secilit”, kishte thënë Haradinaj nga Ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në ceremoninë e hapjes së Javës së Parë të Krenarisë në Kosovë në tetor të vitit 2017. Në vitin 2018, pa marrë pjesë prapë në ecjen e përvitshme, Ramush Haradinaj kishte treguar mbështetje për personat LGBTIQ+ në Kosovë, përmes një postimi ku dy herë në dy fjali, orientimit seksual i referohet si “përcaktim”, duke riprodhuar gabimin e njërën nga bindjet që e përbëjnë premisën se “orientimi seksual është zgjedhje”, mbi të cilën ngriten paragjykimet, dhuna, diskriminimi e përjashtimi i personave LGBTIQ+ në Kosovë e në botë. Në vitin 2022, si deputet i Parlamentit të Republikës, ai nuk morri pjesë fare në votimin e Projektligjit për Kodin Civil i cili ndër të tjera rregullonte edhe çështjen e bashkësive civile ndërmjet personave të seksit të njëjtë.
AVDULLAH HOTI (2020-2021)
Në kohën e tij të shkurtër si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në tetor të vitit 2020, Avdullah Hoti kishte marrë vendim që në të gjitha ndërtesat qeveritare të ngritet flamuri i krenarisë, në shënim të mbështetjes dhe solidaritetit me personat LGBTIQ+ në Kosovë. Përtej këtij akti simbolik, si figurë politike, Hoti asnjëherë nuk është shprehur në lidhje me çështjet LGBTIQ+.Në vitin 2022, si deputet i Parlamentit të Republikës, ai nuk morri pjesë fare në votimin e Projektligjit për Kodin Civil i cili ndër të tjera rregullonte edhe çështjen e bashkësive civile ndërmjet personave të seksit të njëjtë.
ALBIN KURTI (2021)
Në një emision televiziv në mandatin e tij të parë si Kryeministër i Republikës së Kosovës në vitin 2020, Kurti ishte shprehur në lidhje me diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes së shfaqur nga shumë politikanë kundrejt emisarit të Shteteve të Bashkuara Richard Grenell, “Të gjitha këto paragjykime e stigmatizime për shkak të orientimit seksual dhe jetës së tyre, janë të papranueshme për mua, aq më tepër kur paragjykimet dhe stigmatizimet marrin një formë aktive të shprehjes së njerëzve në formë të sulmeve të ndryshme”, kishte thënë ai. Në vitet 2021 dhe 2022, Albin Kurti u bë kryeministri i parë që kishte qëndruar në heshtje për sa i përket çështjes së personave LGBTIQ, duke mos marrë pjesë as në hapjen e zakontë të Javës së Krenarisë, e cila tradicionalisht organizohet nga Zyra e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e as në ecjen e përvitshme të krenarisë. Në vitin 2022, në seancën famëkeqe të 16 marsit për Projektligjin për Kodin Civil, në një përpjekje për të bindur deputetët e deputetet e Parlamentit të votojnë pro Projektligjit, kishte thënë se në Kosovë afër 10% e popullësisë janë “pakica seksuale” dhe se këto bashkëjetesa e këto bashkësi civile (duke ju referuar bashkëjetesave e bashkësive civile mes personave të seksit të njëjtë), po ndodhin. Në vitin 2021, Qeveria e Kosovës kishin hezituar deri në momentet e fundit ta ndriçonin ndërtesën e Qeverisë me ngjyrat e ylberit në shënim të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë e Transfobisë, duke e bërë këtë vetëm pas presionit të aktivistëve e aktivisteve të shoqërisë civile. Në maj të vitit 2022 dhe në maj të vitit 2023, ndërtesa e Qeverisë ishte ndriçuar me ngjyrat e ylberit dhe Kryeminstri Kurti kishte shkruar në platformën twitter se IDAHOT na kujton se të gjithë jemi të barabartë, pa marrë parasysh orientimin seksual”. Ndërsa në po të njëjtën ditë në vitin 2023, ai në twitter ishte shprehur, “...qëndrojmë së bashku në diversitet”. Asnjë adresim nuk e kemi gjetur në rrjetin social Facebook të Kryeministrit, në lidhje me këtë.
Më në fund, në vitin 2023 Kryeministri Kurti kishte hapur Javën e Krenarisë dhe kishte marrë pjesë në paradën e krenarisë dhe ndërkohë që në hapjen e Javës së Krenarisë kishte dhënë një fjalim me përplot paqartësi,, duke ju referuar ndër të tjera edhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit “Këtë vit, Java e Krenarisë, e gjashta me radhë, po festohet në një muaj shumë domethënës, në të cilin shënohen edhe ngjarje të rëndësishme të historisë sonë. Prej 10 qershorit të Lidhjes së Prizrenit, një lidhje politike, lëvizje kombëtare e themeluar në 1878. E më 12 qershor e kemi edhe përfundimin e një lufte të gjatë dhe të rëndë, e cila solli lirinë e paqen, por edhe lëvizjen e Kosovës për më shumë zhvillim e më shumë demokraci.” kishte thënë ndër të tjera Kurti në fjalimin e tij të hapjes së Javës së Krenarisë. Për paradën dhe personat LGBTIQ+ ishte shprehur për herë të parë në platformën Facebook, duke thënë se, “Janë të papranueshme kërcënimet, abuzimet dhe diskriminimet që i përjetojnë pjesëtarët e komunitetit LGBTQIA+. Shoqëria dhe shteti duhet t’i mbrojnë dhe duhet të mësojnë për ta.”
KRYEPARLAMENTAR
KADRI VESELI (2014-2020)
Në një pritje të organizuar për të dërguarin e Departamentit të Shtetit Amerikan për çështjet LGBTIQ+, Randy W. Berry, në vitin 2015, Veseli ishte shprehur, “Ne kemi kushtetutën më liberale në rajonin ku jetojmë, por edhe një traditë të fuqishme kulturore të tolerancës ndaj mënyrave të ndryshme të jetës dhe kjo na mundëson që të jemi më efektivë në luftën kundër paragjykimeve dhe stereotipeve me të cilat ballafaqohen anëtarët e komunitetit LGBTI” mirëpo një vit me pas, në të ashtuquajturat “Përgjimet Pronto” që rrodhën në publik, Veseli u dëgjua tek përdorte termin “peder” për të ofenduar kundërshtarët e tij politikë, veprim nga i cili nuk ishte distancuar asnjëherë. Përtej kësaj, nuk kemi gjetur asnjë deklarim publik të Kadri Veselit në lidhje me çështjet LGBTIQ+ gjatë kohës sa ishte në krye të Parlamentit të Republikës së Kosovës.
GLAUK KONJUFCA (2021)
Që nga marrja e mandatit si Kryetar i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka injoruar të gjitha ngjarjet publike në lidhje me personat LGBTIQ+, duke mos marrë pjesë e as deklaruar në lidhje me paradat e krenarisë apo Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë e Transfobisë. Në vitin 2023, si partnerët e tij në koalicionin qeverisës Presidentja Osmani e Kryeministri Kurti, Konjufca morri pjesë për herë të parë në Paradën e Krenarisë. Gjithashtu, në të njëjtin vit, për herë të parë u shpreh nga ulësja e udhëheqësit të Parlamentit të Kosovës, në mbështetje të personave LGBTIQ+, specifikisht në mbështetje të votimit të Projektligjit për Kodin Civil e kundër gjuhës së urrejtjes së përdorur nga deputetët/et e partive të ndryshme në parlament, kundër personave LGBTIQ+.
PARTITË POLITIKE
PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS-PDK
MËRGIM LUSHTAKU
Mërgim Lushtaku nuk ka folur kurrë publikisht si politikan në lidhje me çështjen LGBTIQ+, përpos në dy raste dhe ato të dyja në seanca parlamentare për votimin e Projektligjit për Kodin Civil, në vitin 2020, kur ai ishte shprehur kundër votimit të këtij projektligji mbii argumentin e rrënjosur në bindje diskriminuese e përjashtuese ndaj çdo forme të bashkësisë civile e cila nuk përkon me atë heteronormative, “Shumica e studiuesve bien dakord që fëmijët e rritur nga dy prindër biologjikë, të një martese të qëndrueshme janë më të mirë sesa fëmijët në format e tjera familjare, ndërsa asaj që pretendohet t’i jepet hapësirë ligjore është e kundërshtueshme edhe nga pikëpamja shkencore e argumentimit. Sipas tyre, legalizimi i martesës mes gjinisë së njejtë do të çojë në efekt katastrofik shoqëror dhe familjar, si dhe martesa është në mënyrë më të natyrshme institucion heteroseksual. Poashtu, ajo që mund të nxjerrim prej martesës së gjinisë së njejtë është se fëmijët nuk kanë nevojë për nëna dhe baballarë, se dhe martesa nuk është qëllim të ketë foshnje.” Ndërsa në seancën e 16 marsit të vitit 2022, ai përsëri ishte një nga deputetët më të zëshëm kundër votimit të këtij projektligji, duke shpërfaqur gjuhë të skajshme të urrejtjes e duke bërë thirrje kundër votimit të Projektligjit për Kodin Civil mbi argumentin se, “Në këtë pjesë shumica e qytetarëve të Republikës së Kosovës janë kundër martesave të personave me gjini të njëjtë, pa e cenuar mosdiskriminimin në punë, jetën dhe të drejta të tjera. Kundërshtimi nuk lidhet vetëm me baza fetare, por me vetë natyrën."
MEMLI KRASNIQI
HESHTJE. Nuk kemi gjetur asnjë material për qëndrimet publike të Memli Krasniqit si politikan në lidhje me çështjet LGBTIQ+.
VLORA ÇITAKU
Në maj të vitit 2013, Vlora Çitaku, atëbotë Ministre e Integrimeve Evropiane, kishte bërë hapjen e Konferencës për Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë. Në po të njëjtin vit, disa muaj më vonë, në ngjarjen e lansimit të një raporti të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Vlora Çitaku kishte qenë ndër pak figurat politike që kishte marrë pjesë, “Është i nevojshëm miratimi i legjislacionit të veçantë specifik dhe gjithëpërfshirës, i cili do të promovojë dhe sigurojë barazinë dhe do të parandalojë dhe sanksionojë diskriminimin. Prandaj, edhe ne që kemi funksione publike duhet ta themi qarë dhe shkurt të jesh pjesëtar i komunitetit LGBT, nuk të bën të pabarabartë, përkundrazi”, kishte thënë ajo ndër të tjera në këtë ngjarje. Ajo gjithashtu ka dhënë edhe një intervistë për Sbunker në kohën kur ishte Ambasadore e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ngjarjen Let’s Pride në vitin 2021, ajo para turmës së personave LGBTIQ+ e aleatëve kishte thënë, “Vite më parë ju kam thënë që do të festojmë në sheshet e kryeqytetit. Ja ku jemi sot.” Vlora Çitaku njihet si një nga zërat më mbështetës të personave LGBTIQ+ nga skena politike e Kosovës, megjithatë nuk ka ndonjë rezultat konkret të angazhimit të saj për të adoptuar politika mbështetëse e gjithëpërfshirëse për personat LGBTIQ+ përbrenda subjektit politik të cilit i takon.
URAN ISMAJLI
HESHTJE. Nuk kemi gjetur asnjë material për qëndrimet publike të Uran Ismailit si politikan në lidhje me çështjet LGBTIQ+.
ABELARD TAHIRI
Kur në vitin 2019 Xheladin Krasniqi, zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, kishte bërë thirrje për prerje të kokave të një kolektivi artistësh që kishin prodhuar një shfaqje që fliste për vështirësitë e një çifti gay, Ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Abelard Tahiri në një deklarim publik ishte distancuar nga gjuha e përdorur nga zyrtari Krasniqi, duke e dënuar atë ashpër por me kujdes, pa shprehur mbështetje të qartë për personat LGBTIQ+ në Kosovë, “Ne si Ministri e Drejtësisë dhe si shoqëri e Republikës së Kosovës nuk mund të tolerojmë në asnjë rrethanë që mos toleranca, fyerja dhe nxitja e urrejtës mbi çfarëdo baze diskriminimi të bëhet pjesë e përditshmërisë sonë,” kishte thënë ndër të tjera Tahiri, deklarim ky që nuk u pasua me asnjë masë tjetër ndëshkuese për zyrtarin Krasniqi. Hera e dytë kur Tahiri ishte “përfshirë” në diskutimet çështjet LGBTIQ+ ishte në seancën e 16 marsit të vitit 2022 për votimin e Projektligjit për Kodin Civil, ku si shef i grupit parlamentar të PDK-së, nuk ishte deklaruar as pro e as kundër këtij projektligji, vetëm kishte deklaruar se PDK nuk do ta votonte projektligjin pa qenë të gjithë/a deputetët/et e mazhorancës në sallë. Ndërsa në një deklarim po kaq të mjegullt, prapë për Kodin Civil, për media lokale kishte thënë, “Ky ka qenë një debat i gjatë në Republikën tonë dhe neve na intereson mendimi i kryeministrit [Albin Kurti] për këtë çështje, sepse nuk është prononcuar asnjëherë”.
ELIZA HOXHA
Në fillet e mandatit të saj të parë si deputete e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Eliza Hoxha kishte bërë një reagim publik në rrjetin Facebook në mbështetje të personave LGBTIQ+, ndërsa një reagim të dytë e kishte bërë si replikë ndaj atyre që kishin reaguar negativisht ndaj mbështetjes së saj të hapur për personat LGBTIQ+, duke thënë se “E drejta për të jetuar sipas bindjeve dhe dëshirës personale është e garantuar me të gjitha kartat ndërkombëtare e edhe me Kushtetutën e Kosovës”. Ajo gjithashtu kishte marrë pjesë në një panel diskutimi të organizuar në kuadër të Javës së Krenarisë 2023, ku ishte diskutuar për Kodin Civil, për të cilin ajo si deputete nuk kishte marrë pjesë në votim. Eliza Hoxha si artiste dhe aktiviste njihet si mbrojtëse e zëshme e të drejtave të njeriut, megjithatë nuk ka ndonjë rezultat konkret të angazhimit të saj për të adoptuar politika mbështetëse për personat LGBTIQ+ përbrenda subjektit politik të cilit i takon.
LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS - LDK
LUMIR ABDIXHIKU
Në pyetjen “Çka mendoni ju në lidhje me të drejtat LGBT” në një televizion lokal, pas zgjedhjes në krye të partisë LDK në mars të vitit 2021, Abdixhiku kishte thënë se, “Këto të drejta jo vetëm se duhet të mbrohen, por duhen të avancohen dhe të promovohen [...] Ani pse është parti konservatore (LDK-ja) në këtë drejtim është liberale, për sa i përket respektimit të të gjitha të drejtave të njeriut. S’ka dyshim këtu.” Përpos kësaj deklarate nuk kemi gjetur asnjë material për qëndrimet publike të Lumir Abdixhikut si politikan në lidhje me çështjet LGBTIQ+. Ai gjithashtu nuk kishte marrë pjesë në seancën e 16 marsit, 2022 për votimin e Projektligjit për Kodin Civil, i cili ndër të tjera rregullonte bashkësitë civile ndërmjet personave të seksit të njëjtë.
HYKMETE BAJRAMI
HESHTJE. Nuk kemi gjetur asnjë material për qëndrimet publike të Hykmete Bajramit si politikane në lidhje me çështjet LGBTIQ+.
VLORA DUMOSHI
HESHTJE. Nuk kemi gjetur asnjë material për qëndrimet publike të Vlora Dumoshit si politikane në lidhje me çështjet LGBTIQ+.
DRITON SELMANAJ
Driton Selmanaj nuk ka bërë deklarim publik në lidhje me çështjet LGBTIQ+ në Kosovë, deri në seancën e 16 marsit 2022 për votimin e Projektligjit për Kodin Civil ku ka thënë, “Fokusi në çështjen e definimit të martesës dhe bashkësisë civile ka lënë anash shumë çështje tjera të rëndësishme që rregullon materia e Projektkodit Civil. [...] Nëse qëndrimi i Qeverisë është ashtu siç e ka artikuluar në Projektkod, që ‘bashkësitë civile’ të njihen si kategori tash e tutje dhe të përcaktohen me ligj të veçantë, atëherë, a ka bërë punë Qeveria e Kosovës që ta kemi një ligj të veçantë dhe në çfarë faze është kjo. Nëse është dashur që vetëm në mënyrë afirmative ta sjellim këtu... Por, në Kushtetutë është kjo sjellje afirmative. Pse është dashur që në Kodin Civil të ripërsëritet kjo qasje afirmative”.
PËRPARIM RAMA
Përparim Rama, Kryetar i Prishtinës ishte takuar me personat LGBTIQ+ përgjatë fushatës së tij për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të vitit 2021 në Kosovë. Në planprogramin e tij qeverisës, i cili është fshirë nga rrjeti, ishte zotuar për ndërtimin e strehimores LGBTIQ+ në Prishtinë si pjesë e planit të tij për mirëqenien sociale të qytetarëve të Prishtinës. Anipse Përparim Rama ka treguar mbështetje të parezervuar simbolike ndaj personave LGBTIQ+, duke marrë pjesë në parada e ngjarje të tjera të shënuara ku edhe ka mbajtur fjalime, strehimorja vazhdon të mos ekzistojë dhe për këtë ai është deklaruar në një intervistë për Institutin Sekhmet, ku në një farë mënyre, fajin për zvarritjen e procesit të ndërtimit të strehimores e zhvendos tek organizatat e shoqërisë civile, proces ky që duhet çuar deri në fund nga bartësit e detyrës për investime kapitale, që nuk janë organizatat e shoqërisë civile por autoritetet publike lokale.
ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS - AAK
BESNIK TAHIRI
Besnik Tahiri nuk është deklaruar asnjëherë publikisht në lidhje me qëndrimet e tij për çështjet LGBTIQ+ deri në seancën e 16 marsit të vitit 2022, kur në cilësinë e Shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së ka thënë se “Qytetarëve duhet thënë troç mendimin lidhur me bashkësitë civile” dhe thënë troç, mendimi e qëndrimi i grupit parlamentar të AAK-së ishte se janë kundër atij versioni të Kodit Civil.
TIME KADRIJA
Në pyetjen “A jeni për apo kundër martesave mes gjinisë së njëjtë” të parashtruar nga Kallxo.com në kohën e fushatës elektorale për zgjedhet nacionale 2021, Time Kadrijaj ishte shprehur se është PËR, megjithatë, ajo kishte votuar KUNDËR Projektligjit për Kodin Civil i cili parashihte lejimin e bashkësive civile ndërmjet personave të sekseve të njëjta. Përpos këtij momenti, nuk kemi gjetur asnjë material tjetër për qëndrimet publike të Time Kadrijajt në lidhje me çështjet LGBTIQ+
DAUT HARADINAJ
Në planprogramin e tij qeverisës në zgjedhjet lokale të vitit 2021, si Kandidat për Kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj ishte zotuar për angazhim në respektimin e të drejtave LGBTIQ+, pa ndonjë plan apo strategji konkrete. Ky planprogram, tashmë është fshirë nga rrjeti dhe nuk mund të gjendet. Daut Haradinaj nuk ka bërë asnjë qëndrim publik në mbështetje të personave LGBTIQ+ përpos kësaj përmendjeje në planprogramin e tij dhe madje as nuk i kishte takuar gjatë fushatës së vitit 2021.
LËVIZJA VETËVENDOSJE! -LV
LABINOTË DEMI MURTEZI
Labinotë Demi - Murtezi nga Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me një grup deputetësh nga po e njëjta parti, u bënë të zëshëm për çështjet LGBTIQ+ në seancën e 16 marsit 2022 për votimin e Projektligjit për Kodin Civil, duke shpërfaqur gjuhë urrejtjeje e diskriminimi, duke i konsideruar bashkësitë civile ndërmjet personave të seksit të njëjtë si bashkësi të “shthurura e të degjeneruara”. Në këtë seancë, ajo madje deklaroi se duke votuar kundër Projektligjit për Kodin Civil, synonte “ta mbronte moralin publik”.
ALBULENA HAXHIU
Përgjatë karrierës së saj si politikane, edhe si Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shfaqur haptazi përkrahjen ndaj personave LGBTIQ+, duke e shtyrë përpara Projektligjin për Kodin Civil, sidoqoftë, ky proces është tejzvarritur. Kjo zvarritje është përmbledhur në këtë artikull.
SARANDA BOGUJEVCI
Përgjatë gjithë karrierës së saj politike, Saranda Bogujevci ka treguar mbështetje dhe aleancë për të drejtat e personave LGBTIQ+ në Kosovë, përmes pjesëmarrjes nëpër parada e ngjarje të tjera të lidhura me çështjen LGBTIQ+.
EMAN RRAHMANI
Eman Rrahmani i Vetëvendosjes është njëri nga deputetët më të zëshëm kundër personave LGBTIQ+, ai këtë e ka artikuluar edhe në platformat e tij në rrjete sociale përmes postimeve cinike në ditë të shënuara për të drejtat e personave LGBTIQ+, si dhe nga foltorja e Parlamentit të Republikës së Kosovës si deputet, kur në seancën e 16 marsit të vitit 2022 për votimin e Projektligjit të Kodit Civil ishte deklaruar se angazhimi i tij si politikan merr kuptim kur ai e kundërshton këtë projektligj dhe sipas tij, “ruajtja e familjes tradicionale ka qenë edhe premtim i tij” gjë për të cilën ka deklaruar se do të angazhohet deri në fund të mandatit të tij si deputet dhe se asnjëherë nuk do të votojë asnjëherë për një version të Kodit Civil që u hapë udhë bashkësive civile mes personave të seksit të njëjtë.
GRAMOS AGUSHOLLI
Në dhjetor të vitit 2022, Gramos Agusholli e kishte quajtur “tendnencë që dhunshëm të normalizohet seksualiteti i dikujt, dhunë psikologjike mbi ne dhe fëmijët tanë”, vendimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për të blerë në vlerë prej 10 mijë eurosh veprën e kolektivit Haveit, “Një puthje dhe punë tjera”, ku shihen dy çifte grashë duke u puthur në sheshin “Nëna Terezë” të Prishtinës. Ndërsa po kaq i zëshëm kundër personave LGBTIQ+ kishte qenë edhe në seancën e 16 marsit të vitit 2022 për votimin e Projektligjit të Kodit Civil, kundër së cilit kishte votuar dhe madje kishte thënë se kjo votë kundër i shërben, “mosshkatërrimit të diçkaje të natyrshme, për të ndërtuar diçka të re dhe problematike” duke ju referuar kështu si të natyrshme bashkësive heternormative dhe si të reja dhe problematike atyre jo heteronormative.
MIMOZA KUSARI LILA
Përgjatë gjithë karrierës së saj politike, e sidomos vjetët e fundit, Mimoza Kusari Lila ka treguar mbështetje dhe aleancë për të drejtat e personave LGBTIQ+ në Kosovë, përmes pjesëmarrjes nëpër parada e ngjarje të tjera të lidhura me çështjen LGBTIQ+.
Politikanë/e nga partitë e komuniteteve jo-shumicë
POLITIKANË/E NGA PARTITË E KOMUNITETEVE JO SHUMICË
DUDA BALJE SDU
Duda Balje, nga pozita e Kryetares së Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut është shprehur haptazi kundër personave LGBTIQ+. “Siç jeni në dijeni, nesër në rend të ditës në seancën plenare kemi në shqyrtim dhe votim Kodin Civil. Pikë e rendit të ditës është që ky Kod Civil përmban edhe lejimin e martesave të gjinisë së njejtë. Unë si deputete nuk mund të dal kundër fesë të cilës i përkas, principeve në të cilat jetoj e as kundër vlerave familjare me të cilat jam rritur. Prandaj, vota ime do të jetë KUNDËR. Kundër, sepse nuk perketë me kulturen, traditen në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë,” kishte shkruar ajo në rrjetin social Facebook dhe këtë qëndrim e ka mirëmbajtur në të gjitha paraqitjet e saj publike e edhe në fjalimet e qëndrimet e saj në Parlamentin e Republikës së Kosovës dhe në Komisionin Parlamentar të cilin e udheheq. Përkundër presionit të shoqërisë civile për shkarkimin e Baljes nga udhëheqja e komisionit, asnjë veprim nuk është ndërmarrë në këtë drejtim.
NENAD RASHIQI SLOBODA
Në pyetjen “A jeni për apo kundër martesave mes gjinisë së njëjtë” të parashtruar nga Kallxo.com në kohën e fushatës elektorale për zgjedhet nacionale 2021, Nenad Rashiq kishte thënë prerë, “Unë jam kundër martesave të së njëjtës gjini.”
ERXHAN GALUSHI
Gjatë prezantimit të qëndrimit të Grupit Parlamentar Multietnik në seancën për votimin e Projektligjit për Kodin Civil, Erxhan Galushi, Kryetari i Lidhjes Përparimtare të Romëve të Kosovës, kishte thënë, “Unë mendoj që e jashtëzakonshmja nuk mund të jetë kurrë e zakonshme, ashtu sikurse pa natyrshmëria nuk mund të jetë kurrë e natyrshme. Publikimi dhe promovimi i të jashtëzakonshmes në diçka të zakonshme mendojmë se është fyerje për shumicën e zakonshme”.
Ky hulumtim dhe përpilimi i kësaj analize është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e Institutit Sekhmet dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF- së, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut.
​
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të autorëve dhe Institutit Sekhmet dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.
​
Botuar nga: Instituti Sekhmet
Autorë: Aurela Kadriu dhe Roni Idrizaj
Dizajni: Elvira Thaqi
Përmbajtja e këtij publikimi mund të përdoret dhe kopjohet lirshëm për qëllime edukative dhe qëllime tjera jokomerciale, me kusht që riprodhimi të shoqërohet me njohjen e Institutit Sekhmet si burim.
​
Të gjitha të drejtat e rezervuara
© Instituti Sekhmet 2024​