top of page

Një Prishtinë e hapur për të gjithë. Edhe për personat LGBTIQ+? 

Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, flet për nevojën për të krijuar një qytet ku komunitetet e ndryshme takohen në vende të përbashkëta me qëllimin për tu njohur dhe për tu mësuar ta pranojnë njëri tjetrin. Rama është optimist se Prishtina ka me qenë shembull për liri dhe të drejtat e njeriut. Në intervistën e mëposhtme dhënë për Institutin Sekhmet, Kryetari i Prishtinës deklarohet edhe për projektet e premtuara gjatë fushatës por edhe kur kishte marrë mandatin, projekte këto që kanë mbetur në gjysmë dhe nuk janë realizuar ende.

​

Qëndrimi ditor dhe strehimorja janë dy premtime urgjente për personat LGBTIQ+ por që sipas Ramës, nuk është faji i komunës pse këto nuk po realizohen.

​

Për të kuptuar më shumë detaje, lexoni më poshtë intervistën.
 

Perparim Rama.jpeg

Imazhi: Labinot Krasniqi / Komuna e Pristhinës

Instituti Sekhmet: Sipas jush, sa është Prishtina e hapur dhe e sigurt për personat LGBT+?
 

Përparim Rama: Është kënaqësi me dhënë këtë intervistë. Unë e din që jam në aspektin e barazisë së përgjithshme në kryeqytet, të secilit qytetar pa marrë parasysh gjinë, apo orientimin seksual, apo fenë, apo besimet. Mendoj që kryeqyteti duhet me i trajtu të gjithë, dhe me ju mundësu të gjithëve mundësi të barabarta në zhvillimin e tyre personal sepse është e vetmja mënyrë për me pasë një shoqëri të shnoshë, ku secili pjesëtar i shoqërisë e ndien vetën që e dëgjon dikush, që ekzistojnë institucionet që e përkrahin, që ekzistojnë elemente të ndryshme përbrenda jetës së kryeqytetit që e ndihmojnë me shprehë atë që e ndien. Bashkërisht me e ngritë edhe vetëbesimin në secilin qytetar të kryeqytetit, me fokus të veçantë edhe për personat LGBT+. Për arsye se për një periudhë kohore shumë të gjatë ka qenë komunitet i harrum dhe i shtypur e jo i pranum. Edhe vetë pjesëtarët apo personat të cilët kanë pasur ndjeshmërinë ndryshe prej çka është thirrë “standard në komunitet” nuk e kanë pas lirinë me shprehë veten. Për këtë arsye ne si administratë e kryeqytetit kemi punuar që nga fillimi. Edhe gjatë kampanjës unë kam qenë i vetmi kandidat që kam qenë super i hapur për secilin komunitet e në veçanti për LGBT+. Kemi pasë takime dhe i kam dëgju për nevojat e komunitetit dhe pastaj i kemi marrë ato parasysh dhe i kemi bo si pjesë të programit tonë për transformim të kryeqytetit, të cilat tash edhe po i zbatojmë si pjesë e këtij transformimi. Mendoj se Prishtina në regjion e krijon apo lejon një hapësirë shumë më të gjërë, për fat të keq, se sa vendet tjera në rajon. Më bën me u ndi edhe më optimist që e ardhmja për këtë komunitet por edhe për të gjitha komunitetet tjera pa dallim është më e shëndetshme. Jam optimist që Prishtina ka me qenë shembull për liri dhe të drejtat e njeriut - këtë e thënë edhe gjatë organizimeve të ndryshme si parada e krenarisë që organizohet çdo vit në Prishtinë dhe çdo vit po bëhet më e madhe. I kam lutë edhe personat e komunitetit që vitin e ardhshëm ta bëjmë më të madhen në histori.

 

Sekhmet: Do të ndalemi më vonë edhe te paradat dhe programet tjera, po më trego se a mendon se Kosova është e gatshme me pasë një kryetar komune mendjehapur dhe përkrahës i personave queer

 

Përparim Rama: Kosova nuk e di, por Prishtina është. Mendoj se e kemi një komunitet të shëndoshë në përgjithësi. Normal duhen shumë përmirësime në të gjitha sferat, mirëpo mendoj që është në kahje të duhur për me qenë shembull jo vetëm në rajon por në botë për gjithëpërfshirje dhe pranueshmëri. Kjo na lejon që programet dhe projektet tona të jenë më të mira dhe më të mëdha. Këtë e shoh si element pozitiv për qytetarët e kryeqytetit, për arsye se mendoj që çka ishtyn njerëzit me qenë ashtu kundër diçkaje që ata nuk e njohin është frika e takimit me dikë që mendon ndryshe. Ne duhet gjithmonë me e stimulu këtë konceptin e mendimit ndryshe dhe mos me ju frikësu mendimit dhe jetës ndryshe, mirëpo me u mburrë që kemi komunitet që beson në gjëra të ndryshme. Kështu besoj që sa më shumë njerëz që kanë mendime të ndryshme ose janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, ne bëhemi me të fortë si rezultat nëse e kemi besimin me diskutu dhe debatu për gjëra të ndryshme. Sepse nëse i kemi të njejta, atëherë të gjithë i dimë dhe i kuptojmë – dhe zhvillimi i shoqërisë është shumë më i ngadalshëm. Ndërsa, nëse kemi mendime të ndryshme, atëherë secili përfiton si rezultat. Duke diskutu perspektiva të ndryshme për besimet e jetës dhe mënyrat e ndryshme të jetës në shoqëri, mësojmë dhe zhvillohemi nga njëri – tjetri. Kështu besoj e hekim atë frikën nga diçka që ne nuk e kuptojmë ose frikësohemi ta kuptojmë.

​

Sekhmet: Megjithatë ndodhë ndonjëherë e kundërta kur një person na vjen me mendime të ndryshe. Ti ke ardhë në Kosovë me një prapavijë shumë ma progresiv dhe besoj e ke sjellë me vete. Megjithatë a ke pas ndonjë kundërplasje?

​

Përparim Rama: Kam pasë kundërplasje edhe gjatë kampanjës. I kam pasë disa persona që kanë punu në kampanjën time që kanë nguru dhe janë friku që na me diskutu për personat LGBT+. Për shkak që kanë mendu që një numër i madh i shoqërisë kanë me pa këtë si negative dhe kanë me na ndëshku me votë. Mirëpo unë nuk e kam pa ashtu dhe nuk e shoh ashtu asnjëherë. Ne duhemi me pasë guximin për me bo ndryshimin. Sepse, nëse ne – po flas për njerëz që janë në pozita që kanë impakt të madh në shoqëri, pikërisht janë ata që duhet të jenë të guximshëm ta bëjnë ndryshimin pozitiv në shoqëri. Unë mendoj që stimulimi I bashkëbisedimit dhe pranimit të diçkaje që është ndryshe prej teje dhe pa u frikësu që ka me pas impakt negativ ndaj teje, është mënyra më e mirë e shtyrjes përpara të zhvillimit të vendit, të kryeqytetit dhe rajonit apo të njerëzimit në përgjithësi. Kështu që unë shihet dhe po them publikisht që i kam përkrahë të gjitha komunitetet. Kjo është me rëndësi shumë të madhe me e cekë. Sepse komunitetet në aspektin shoqëror krijojnë turma ose pjesëtar të komunitetit të cilët e ndiejnë vetën të pranuar përbrenda komunitetit dhe aty nihen të shlirë dhe që njihen “normal” – që mos me banalizu shumë. Ndërsa në momentin që dalin nga ai komunitet, fillojnë me e ndi vetën jo të pranueshëm. E kjo nuk është vetëm tek komuniteti LGBT+ por edhe te komunitetet tjera, si ata fetar dhe komunitetet tjera.


Të gjitha këto komunitete krijojnë grupe brenda të cilave ndihen vetvetja. Mirëpo, problem është nëse këto grupe nuk janë të hapura edhe ndaj komuniteteve tjera. Ne duhet të krijojmë një shoqëri që këto grupe ndihen mirë brenda këtyre komuniteteve, por duhet me pasë vetbesimin me komuniku edhe me komunitetet tjera dhe me mësu prej njëra tjetrës. Edhe kjo, hapësirat e përbashkëta dhe të barabarta - është qyteti. Janë hapësirat publike dhe vendet ku ne takohemi. Fokusi jonë si kryeqytet është edhe lirimi dhe transformimi i qytetit nëpërmjet çlirimit të hapësirave publike dhe krijimit të programeve të ndryshme në hapësira publike ku secili komunitet bëhet bashkë, pra ndeshen komunitetet dhe ekziston mundësia me njoftë njëri-tjetrin në mënyrë më të thellë dhe më të mirë sesa vetëm në pjesët ku p.sh komuniteti musliman që takohet nëpër xhami apo komuniteti kristian nëpër katedrale kisha, apo komunteti LGBT+ në qëndrimet tërëditore apo në klubet dhe baret ku munden me shprehë vetën në mënyrë të shlirë. Ne të gjithë duhet me i pasë ato pikat ku mundemi me shfaqë 100 përqindëshin tonë, çfarëdo besimi apo orientimi ke duhesh me pasë një hapësirë ku ndihesh i shlirë. Mirëpo kryeqyteti dhe hapësirat publike dhe programi i kryeqytetit duhet me qenë i tillë që ua mundëson të gjitha komuniteteve të bëhen bashkë. Pra të gjithë shkrihen në qytetarë të kryeqytetit dhe jo me qëndru të ndarë. Kemi festime dhe programe të ndryshme dhe këto duhet të jenë të përbashkëta ku e stimulojmë bashkëbisedimin me njër- tjetrin në ato nivele ku nuk e nin vetën keq, por me kriju mundësi të diskutimeve dhe debateve të shëndosha. Derisa e kuptojmë që përbrenda të gjithë jemi të njëjtë, të gjithë jemi njerëz, të gjithë synojmë për me ni vetën mirë dhe shëndosh. Që po ashtu e ndiejmë vetën të sigurt pasi siguria është numër një. Nëse qytetarët tanë nuk e ndiejnë vetën të sigurt, atëherë krijojmë probleme në të gjitha sferat. E krijimi i sigurisë krijon edhe empati, empatia krijon njerëz që janë të hapur ndaj njëri - tjetrit dhe që mendojnë për njëri - tjetrin përkundër ndryshimeve që i kemi. 

 

Sekhmet: Megjithatë ti je pjesë e një partie ose më mirë të themi ke kandiduar përmes një partie që nuk ka bërë ndonjë gjë konkrete për çështjet LGBT+ dhe asnjëherë s’i kemi parë në publik që kanë dalë në përkrahje të personave LGBT+. Po ashtu e pamë edhe në Kuvendin e Kosovës që LDK nuk e votoi Kodin Civil. Qysh e pajtoni mendimin tuaj personal me veprimet e LDK-së apo edhe politikat e LDK-së? 

 

Përparim Rama: Mendimi im shkon për të gjitha partitë dhe për secilin person në kryeqytet, Kosovë dhe botë. E përmenda edhe në fillim që ne duhet të jemi të hapur dhe t’i pranojmë mendimet ndryshe.   Po e nisi me Kodin Civil i cili është dashur të votohet qysh moti dhe çdo ditë që kjo vonohet është për të keqen e secilit prej nesh. çfarëdo background apo çfarëdo besimi kemi, është negative nëse ne e diskriminojmë një pjesë të shoqërisë sonë. Edhe mosvotimi i Kodit Civil është diskriminim dhe duhet të votohet sa më shpejt. E shfrytëzoj rastin për me ftu secilin pjesëtar të çfarëdo partie që mos të ketë ndasi partiake dhe mos t’i përdorin këto pika votuese për me fitu diçka në aspektin politik. Edhe këtë e shoh si një problem të madh që kemi ne këtu, domethënë politikat e partive vihen përpara nevojave të qytetarëve të kryeqytetit dhe të vendit. Politikat partiake e shfrytëzojnë fuqinë e vet për me rritë partinë më parë se sa me e kriju dhe me kontribu për një shoqëri më të mirë. Kjo pra është gabim. Edhe mendoj që është naive që partitë mendojnë kështu sepse njerëzit që thonë nuk hanë bari dhe shohin. Edhe nëse partitë edhe deputetët, asambleistët vendosin dhe vazhdojnë ta vënë partinë përpara nevojave të shoqërisë, pa marrë parasysh çfarë partie është, atëherë kanë me humbë herët a vonë. Edhe mendoj që sot e kemi një shoqëri shumë më të avancuar dhe të zhvilluar sidomos në kryeqytet që mendojnë edhe jashtë kutisë dhe e sheh se kush është dhe kush po punon me të vërtetë dhe në të mirë të shoqërisë dhe kush po punon për klika partiake të ngushta. Besoj shumë që secili qytetar dhe ftoj po ashtu që edhe pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ+ por edhe komuniteteve tjera të jenë edhe më aktiv edhe në aspektin e proceseve politike dhe të bëhen pjesë e zëshme në procese ku edhe munden me pasë një forcë më të madhe për vendimmarrje, për të mirën fillimisht të komunitetit por edhe të gjithë shoqërisë. Sepse, nëse një shoqëri e ka besimin me qenë e hapur ndaj të gjithëve ajo shoqëri mundet me bo çdo gjë dhe nuk ka çka e ndalë për me përparu. Pa marrë parasysh çfarë parti politike janë këta deputetë, duhet të votojnë për gjërat që janë për të mirën e shoqërisë. E mira e shoqërisë është kur secili pjesëtarë i shoqërisë ndihet i prezantuar, i përfaqësuar, ndihet i sigurt për me qenë vetvetja deri në atë pikë që nuk e cënon sigurinë e tjetrit. Kjo mendoj se është ajo baza e demokracisë që duhet me shty përpara dhe me përkrahë dhe me zhvillu shoqërinë e tillë që ka këtë në thelb. Barazia, të drejtat e njeriut, krijimi i një ambienti ku secili e nin vetën të sigurt me qenë vetvetja.

 

Sekhmet: Tash po dalim pak te disa gjëra më konkrete. Që prej se e ke marrë mandatin, janë sjellë nëpër diskutime dhe janë dhënë disa premtime. Në mesin e shumë telasheve që kanë personat LGBT+ në Kosovë, është edhe mungesa e një strehimoreje. Janë bërë disa punë gjatë viteve, megjithatë ende nuk ka filluar të ndërtohet? Çka po ndodh?

 

Përparim Rama: Faleminderit për pyetjen. Kryeqyteti është gati. Ne e kemi edhe buxhetin, edhe dy pika - qëndrimi tërëditor dhe strehimorja, mirëpo problemi qëndron te - pa e gjujtë problemin të dikush tjetër, por ekzistojnë disa procedura që duhet vetë komuniteti me vepru. Për shembull, ne e kemi të gatshëm vendin për me hapë strehimoren, mirëpo tash masi që ne kemi propozu dhe faktikisht është e propozuar prej komunitetit, edhe është e pranuar, tash kërkohet me u ndryshu ajo pikë, me u ndryshu vendin.

 

Sekhmet: Cilat janë arsyet, a i din?

 

Përparim Rama: Po i di arsyet. Edhe unë kam propozu vetë dhe kam thënë që më mirë më qenë në zonë urbane se sa diku jashta zonës urbane. Për arsye se siguria në zonat urbane është më e madhe. Mirëpo, ende nuk kemi hasë në një pajtim që kjo duhet të ndodhë. E dyta, Qendra për qëndrim tërëditor, edhe kjo është e gatshme. Është vendi i gatshëm, mirëpo në aspektin ligjor komuniteti duhet të ketë njerëz të cilët janë të licencuar për të qenë prezentë dhe me punu apo edhe menaxhu këtë hapësirë. Ashtu e kërkon edhe ligji. Problemi pra është teknik e jo që ne nuk i kemi kriju kushtet dhe nda buxhetin. Pra, kryeqyteti e ka nda buxhetin, e ka kriju hapësirën dhe i kemi edhe pikat që janë të pajtueshme prej dy palëve dhe qysh sot po e them se jemi të gatshëm që ajo qendër të jetë aktive. 


Sekhmet: Përveç çështjeve teknike që po i përmendni, aty ka dalë edhe një problem tjetër, pasi që banorët nuk kanë lejuar që kjo qendër të hapet. Çka mundeni me bo për këtë problem?

 

Përparim Rama: Këtu është ky problemi kompleks ku unë mendoj që ne mundemi - nëse komuniteti është i gatshëm me i marrë këto hapësira, sepse duhet me thy këtë tabu me qytetarët e kryeqytetit. Edhe nëse ne marrim një vendim të përbashkët, atëherë ne duhet ta shtyjmë atë vendim të përbashkët deri në fund. Ne i kemi të gjitha instrumentet që me kriju një hapësirë dhe ambient të sigurt aty ku kemi marrë vendim që kjo hapësirë të shfrytëzohet për të mirën e komunitetit dhe ta krijojmë një ambient të sigurt. FIllimisht presim nashta me pasë tension pak, por me kohë ka me kalu. Kur njerëzit e shohin se nuk ka pasiguri apo negativitet si rezultat i qëndrimit tërëditor, atëherë normal që të gjithë shlirohen. Problemi tek qytetarët apo një numër i qytetarëve është nga frika që e kanë në kokë që do t`iu ndodh atyre diçka. Mosinformimi dhe mosedukimi pastaj e sjell këtë frikë. E sa i përket strehimores ta përmenda që është licensimi edhe i një strukture, pararalelisht me zhvillimin e ndërtesës duhet me qenë edhe soft program, pra struktura e menaxhimit: Kush janë ata persona që do të punojnë aty. Aty është një përgjegjësi sepse kjo lidhet edhe me mirëqenien sociale. Se të gjithë akterët apo zyrtarët që do të punojnë duhet të jenë të licencuar dhe me pasë një edukim profesional që me menaxhu dhe me kry shërbime sepse janë çështje sensitive. Nëse një pjesëtar i komunitetit është i pastrehë, domethënë ai e ka një histori apo traumë dhe që duhet të shqyrtohet në mënyrë profesionale dhe nga njerëz profesionalë. Nuk mundemi pra ne vetëm me hapë një strehimore dhe me thonë, “Kqyre ku e keni, shkoni aty edhe u kry puna!” Pa e pasë edhe këtë aspektin e përgjegjësisë. Këtu po them që komuniteti duhet me marrë përgjegjësi paralele sikurse administrata e kryeqytetit me pasë përgjegjësi me kriju hapësirë për me u ndërtu kjo strehimore apo qendra tërëditore, e paralelisht duhen edhe organizatat joqeveritare me kriju mundësi që të ketë njerëz të cilët janë të licencuar dhe që në aspektin profesional munden me kry këtë shërbim. Diçka që po tentojmë me bo mirë, të bëhet mirë dhe mos të dalë negative. Nëse punëson njerëz që nuk kanë përgatitje dhe kapacitet profesional për me u marrë me persona që potencialisht janë të traumatizum si rezultat i mospërkrahjes së familjes dhe që i kanë përzënë nga shtëpitë...


Ne jemi të gatshëm me ndihmu edhe në këtë aspekt. Por duhet që komuniteti me qenë ma intensiv dhe me një përgjegjësi më të madhe me marrë këtë proces paralelisht me kryeqytetin dhe kjo me ndodh. 

 

Sekhmet: Deri sa të bëhet strehimorja, a ka ndonjë mundësi tjetër për strehim për shkak që është themelore dhe shumë e nevojshme. A mundet me u përdorë ndonjë program tjetër nga Komuna e Prishtinës. Komuna e ka edhe programin e banesave sociale që u ipen familjeve në nevojë dhe kategorive të lëndueshme. A nuk keni mujtë me bo diçka me këtë program e me i përfshi edhe personat LGBT+?
 

Përparim Rama: Besoj që po. Ka mundësi të ndryshme dhe të shumta. Ka hapësira të ndryshme. Po them, vetëm duhet që të punojmë së bashku dhe paralelisht. Sepse komuniteti LGBTIQ+ kuptohet më së miri nga vetë personat përbrenda komunitetit, ndërsa ne kemi fonde për me stimulu këtë bashkëpunim apo përparim të gjendjes ekzistuese dhe me përmirësu këtë gjendje ekzistuese duke ofru edhe bashkëpunim të drejtëpërdrejtë me komunitetin dhe organizatat joqeveritare që merren me LGBT+. Kemi pasë edhe takime me ambasadat e ndryshme. Edhe ambasada e Francës janë super bashkëpunues në këtë aspekt, UNMIK po ashtu kanë një fond, ambasada e Suedisë po ashtu, Luksemburgut dhe Holandës. Pra, kemi mundësi të shumta që të ndihmojmë komunitetin. Vetëm po them që duhet ta kemi një ambasador prej komunitetit që me i shty këto procese dhe me pasë e me kriju një element ku munden me u kanalizu të gjitha këto mundësi të ndihmës nëpërmjet një organizate që e merr përgjegjësinë me i shty këto procese përpara. Unë jam mundu me i thy këto tabu edhe nëpërmjet, siç e përmendem ma herët - parada, e cila ishte më e mira në vitin e kaluar dhe duhet me qenë edhe më e mirë dhe më e madhe në të ardhmen. Unë e kam ftu edhe ambasadorin e Amerikës që nëse mundet ai me performu në paradë edhe ka thënë po, kështu që kur i tregova edhe ambasadorit Francez,tha, “E unë!” [Qeshë]. Kështu që mundemi me e stimulu dhe me thy tabu nëpërmjet eventeve që masnej edhe organizatat joqeveritare me qenë më të fokusuar për trajtimin e kësaj çështje. Kryeqyteti ka kërkesa të shumta prej komuniteteve të ndryshme me nevoja të ndryshme prej atyre më bazike deri te ato më të komplikuarat. Pra, duhemi me pas një OJQ që ka një fokus të madh për trajtimin e menjëhershëm dhe sa më parë të të gjitha problemeve që ekzistojnë për përmirësimin e jetës së komunitetit LGBT+. Por edhe të komuniteteve tjera, se vetëm së bashku mundemi me kriju. Duhet pra, me marrë secili prej nesh përgjegjësi. S’po ndalemi tash se kush e ka fajin. Ne e kemi derën e hapur. Jam plotësisht i hapur për me i shty këto procese përpara, sepse mu vetë po më mundon fakti që një pjesë e komunitetit ende nuk i ka të trajtuara nevojat bazike. Është humbje e mundësive.

​

​

​

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.

 

Dizajni nga: Elvira Thaçi

Intervistuesi: Dardan Hoti

​

​

Logo_edited.jpg
SDC_RGB_hoch_pos.jpg
Sweden_logotype_England_edited.jpg
LUXEMBOURG_AID&DEVELOPMENT_LOGO_CMYK.jpg

Zhvillimi dhe publikimi i kësaj interviste është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e kësaj interviste është përgjegjësi e Institutit Sekhmet dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF-së, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut.

​

bottom of page