Instituti Sekhmet përvec pyetësorit, ka organizuar edhe një fokus grup me aktivistë dhe OJQ queer në Kosovë ku janë prekur disa tema dhe informata kyce në lidhje me votën queer dhe llogaridhënien e politikanëve ndaj cështjeve queer. Diskutimi është përqendruar në të kuptuarit e angazhimit të personave queer në spektrin politik në Kosovë, vecanërisht se si partitë politike kanë përfshirë (ose nuk kanë përfshirë) çështjet queer në agjendat e tyre politike. Ky fokus grup ka përfshirë identitete të ndryshme gjinore dhe seksuale të komunitetit LGBTQI+ në mënyrë që të pasqyrohet një kuptim më i nuancuar i sfidave me të cilat përballet komuniteti queer në Kosovë në lidhje me përfaqësimin politik dhe avokimin.
​
Ky diskutim nënvizoi nevojën për një angazhim politik më gjithëpërfshirës dhe konkret me çështjet queer, edukim dhe mobilizim më të madh të votuesve brenda komunitetit queer dhe një qasje ndërthurëse ndaj avokimit që integron të drejtat queer në lëvizjet më të gjera të drejtësisë sociale.
​
Përfundimet nga ky diskutim ishin:
Përfshirja politike e çështjeve queer
Kishte një konsensus të përgjithshëm që shumica e partive politike në Kosovë nuk i kanë integruar në mënyrë efektive çështjet queer në programet e tyre. Pjesëmarrësit vunë re raste të rralla ku përmendeshin çështje queer, por të cilave iu mungonin thellësia dhe planet konkrete. Kjo mungesë përfaqësimi ka çuar në një ndjenjë zhgënjimi dhe mosangazhimi brenda komunitetit queer drejt pjesëmarrjes politike.
Angazhimi politik i komunitetit queer
Diskutimi theksoi se shumë persona brenda komunitetit queer hezitojnë të votojnë për shkak të mungesës së avokimit apo përfaqësimit të vërtetë nga partitë politike. Ky hezitim shtohet nga fakti se partitë që pretendojnë se mbështesin çështje queer shpesh nuk arrijnë të ndjekin veprime konkrete.
Roli i organizatave LGBT në dialogun politik
U përmend roli i organizatave LGBTIQI+ si CEL Kosova dhe CSGD në lehtësimin e dialogut ndërmjet komunitetit queer dhe partive politike. Megjithatë, kishte skepticizëm nëse këto diskutime rezultuan në ndonjë ndryshim thelbësor apo ishin thjesht gjeste simbolike nga partitë politike.
Votimi familjar ndaj votimit individual
Diksutimi preku konceptin e "votimit familjar" i përhapur në zonat rurale kundrejt votimit individual në mjediset urbane si Prishtina. Kjo dinamikë luan një rol në mënyrën se si votojnë personat queer, pasi ata në mjedise më konservatore mund të kenë liri të kufizuar për të votuar sipas bindjeve të tyre personale.
Ndërthurja e çështjeve queer me çështje të tjera sociale dhe politike
Pjesëmarrësit diskutuan se si çështjet queer janë të ndërthurura me çështje më të gjera sociale dhe politike. Ata theksuan nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj avokimit politik që përfshin të drejtat queer si pjesë e një kuadri më të madh të të drejtave të njeriut dhe drejtësisë sociale.
Mobilizimi dhe edukimi i votuesve queer
Nevoja për edukim dhe mobilizim më të madh të votuesve brenda komunitetit queer ishte një temë që përsëritej gjatë diskutimit. U propozua që fuqizimi i personave queer për të kuptuar dhe për të ushtruar të drejtat e tyre të votës mund të çonte në avokim dhe përfaqësim më efektiv.
Potenciali për ndryshim brenda partive politike
Disa pjesëmarrës besonin se ndryshimi brenda partive politike, në lidhje me çështjet queer, ka më shumë gjasa të vijë nga persona queer që bashkohen me këto parti dhe avokojnë nga brenda. Megjithatë, kishte gjithashtu një njohje të sfidave dhe rreziqeve të mundshme të përfshira në një qasje të tillë, veçanërisht në një kontekst shoqëror konservator, ku shumica e personave queer bëjnë jetë të dyfishtë.
Ndikimi i normave kulturore dhe sociale
Në diskutim u potencua ndikimi i madh i normave kulturore dhe sociale në angazhimin politik të personave queer. Vlerat mbizotëruese konservatore dhe patriarkale në shoqërinë kosovare shiheshin si barriera për njohjen dhe përfshirjen e plotë të çështjeve queer në diskursin politik, dhe përfshirjen e vet personave queer në parti politike.
Pjesëmarrja e politikanëve në Paradën e Krenarisë
Gjatë diskutimit u theksua se pjesëmarrja e politikanëve në paradën e krenarisë luan rol në votën e personave queer. Mirëpo kjo pjesëmarrje ishte e diskutueshme. Në diskutim kishte pajtim nga shumica se politikanët e përdorin Paradën e Krenarisë si një platformë për përfitime politike, të ndikuar nga presionet e jashtme, në vend që të kenë mbështetje të vërtetë për të drejtat queer. Kjo qasje oportuniste kritikohej më tej kur këta politikanë përdorin praninë e tyre në ngjarjet e Paradën e Krenarisë për të larguar vëmendjen nga çështje të tjera politike ose për të ngritur imazhin e tyre ndërkombëtar. Pas paradave të krenarisë, shpesh ka një mungesë të dukshme të angazhimit ose përgjigjes së qëndrueshme ndaj nevojave dhe çështjeve të vazhdueshme të komunitetit queer. Kjo sjellje ngreu shqetësime në lidhje me vërtetësinë e mbështetjes politike për të drejtat queer dhe nxjerri në pah instrumentalizimin e ngjarjeve queer për ndërtimin e imazhit politik, në vend të advokimit të vërtetë ose ndryshimit të politikave.
Ky hulumtim dhe përpilimi i kësaj analize është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e Institutit Sekhmet dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF- së, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut.
​
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të autorëve dhe Institutit Sekhmet dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.
​
Botuar nga: Instituti Sekhmet
Autorë: Aurela Kadriu dhe Roni Idrizaj
Dizajni: Elvira Thaqi
Përmbajtja e këtij publikimi mund të përdoret dhe kopjohet lirshëm për qëllime edukative dhe qëllime tjera jokomerciale, me kusht që riprodhimi të shoqërohet me njohjen e Institutit Sekhmet si burim.
​
Të gjitha të drejtat e rezervuara
© Instituti Sekhmet 2024
​