

THIRRJE PËR APLIKIM
Trajnim për gazetari të përgjegjshme dhe bursa për
prodhimin e artikujve
Instituti Sekhmet hap thirrjen për studentë/e të gazetarisë, gazetarë/e të rinj/reja dhe profesionistë/e të medias, të interesuar për të marrë pjesë në një trajnim mbi raportimin profesional, etik dhe të ndjeshëm ndaj të drejtave të njeriut dhe komuniteteve LGBTIQ+.
Trajnimi synon të forcojë njohuritë dhe aftësitë e pjesëmarrësve për identifikimin dhe kundërshtimin e gjuhës së urrejtjes, stereotipeve dhe narrativave diskriminuese në media, si dhe për krijimin e përmbajtjeve gazetareske të bazuara në fakte, etikë profesionale dhe respekt për dinjitetin njerëzor.
Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të marrin pjesë në një trajnim njëditor, gjatë të cilit do të trajtohen tema si: parimet e raportimit etik dhe të përgjegjshëm; identifikimi i gjuhës së urrejtjes dhe përmbajtjeve diskriminuese; raportimi për komunitetet LGBTIQ+ dhe grupet e margjinalizuara; përdorimi i gjuhës gjithëpërfshirëse në media; verifikimi i informatave dhe përdorimi i burimeve të besueshme; zhvillimi i ideve për artikuj me interes publik.
Pas përfundimit të trajnimit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të aplikojnë me një propozim për krijimin e një artikulli ose përmbajtjeje tjetër gazetareske.
Bursa për prodhimin e artikujve
Nga pjesëmarrësit e trajnimit do të përzgjidhen pesë përfitues/e, të cilët do të marrin nga një bursë në vlerë prej 300 eurosh për hulumtimin dhe prodhimin e një artikulli gazetaresk.
Artikujt e përzgjedhur do të zhvillohen me mbështetje editoriale dhe do të publikohen në platformën Kallxo.com.
Thirrja është e hapur për:
studentë/e të gazetarisë dhe komunikimit;
gazetarë/e të rinj/reja;
gazetarë/e që punojnë në media lokale ose kombëtare;
gazetarë/e të pavarur dhe krijues/e të përmbajtjeve mediale;
persona të interesuar për gazetarinë dhe raportimin mbi të drejtat e njeriut.
Instituti Sekhmet inkurajon veçanërisht aplikimet nga gratë, personat LGBTIQ+, pjesëtarët e komuniteteve joshumicë dhe personat nga rajone të ndryshme të Kosovës.
Për të aplikuar, kandidatët duhet të plotësojnë formularin e aplikimit këtu.
Aplikimi duhet të përfshijë:
të dhënat personale dhe kontaktuese;
një biografi të shkurtër dhe,
një përshkrim të motivimit për pjesëmarrje;
Afati i fundit për aplikim: 5 Gusht 2026
Data e trajnimit: 8 Gusht 2026
Vendi i trajnimit: Project Space Sekhmet
Pjesëmarrja në trajnim është pa pagesë. Shpenzimet e udhëtimit për pjesëmarrësit jashtë Prishtinës do të mbulohen.
Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen.
Për pyetje ose informata shtesë, mund të na kontaktoni në: sekhmet.institute@gmail.com
Ky aktivitet zhvillohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, përmes projektit "Lufta kundër diskriminimit dhe urrejtjes", që është pjesë e programit të përbashkët "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë"