top of page
Narrativat shoqërore mbi komunitetin LGBTI+ dhe ndikimi i tyre në perecptimin publik
Kastriot Bajrami

Pavarësisht faktit se në vitin 1990, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i dha fund dilemës nëse personat e komunitetit LGBTI+ kanë probleme të shëndetit mendor për shkak të orientimit të tyre seksual, ky pretendim vazhdon të qarkullojë në kafenetë dhe diskursin publik në Kosovë, duke shërbyer si bazë për nxitjen e urrejtjes ndaj këtij komuniteti.

“Shkatërrues të familjes”, “bartës të sëmundjeve”, “njerëz me probleme” – këto janë disa nga deklaratat demonizuese që përfaqësues politikë në Kosovë kanë lëshuar ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTI+.

Deklaratat që disa i bëjnë shkel e shko, anëtarët e komunitetit i përjetojnë rëndë. Ata përballen çdo ditë me pasojat e një gjuhe që i demonizon dhe i stigmatizon.

Një mesazh nga një deputet, i cili pa asnjë bazë e quan dikë të rrezikshëm apo edhe të sëmurë, mund të ketë pasoja të mëdha në ndarjen e shoqërisë dhe në stigmatizimin e skajshëm të anëtarëve të komunitetit.

Në vitin 2024, gjatë një mbledhjeje të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, dy deputete të Kuvendit të Kosovës dhanë mesazhe stigmatizuese ndaj komunitetit.

Deputetja Labinotë Demi-Murtezi i cilësoi personat LGBTI+ si “persona që përhapin sëmundje”, ndërsa deputetja Duda Balje i përshkroi anëtarët e komunitetit si njerëz që “kanë humbur rrugën”. Pavarësisht reagimit të 57 organizatave të shoqërisë civile, dy deputetet nuk u tërhoqën nga deklaratat e tyre.

Gjuha e ashpër e politikanëve vazhdon të përcillet në media dhe në rrjetet sociale. Një studim i realizuar nga Media Diversity Institute dhe Kosovo 2.0 identifikoi 112 raste të gjuhës së urrejtjes dhe narrativave përçarëse gjatë periudhës së monitoruar.

G.D. është anëtar i komunitetit LGBTI+. Ai nuk ndihet i sigurt të identifikohet publikisht. Arsyet, sipas tij, janë të qarta: ekspozimi mund ta bëjë cak të urrejtjes dhe, në disa raste, mund t’i kushtojë edhe humbjen e mundësive.

Raportet e organizatave të shoqërisë civile kanë evidentuar se personat LGBTI+ mund të përballen me diskriminim edhe në vendin e punës, përfshirë pengesa në punësim dhe trajtim të pabarabartë për shkak të paragjykimeve ndaj komunitetit.

G.D. e nis rrëfimin e tij nga diskursi publik. Ai thotë se, si në tavolinat e kafeneve, ashtu edhe në mjedise ku zhvillohen diskutime më të avancuara, gjuha stigmatizuese ndaj komunitetit është e pranishme.

“Kam dëgjuar shpesh narrativa të tilla. Nuk janë raste të izoluara, por diçka që përsëritet sa herë që tema e komunitetit LGBTI+ del në publik. Kryesisht janë dy pretendime: se homoseksualiteti është çrregullim ose sëmundje mendore dhe lidhja automatike me HIV-in/AIDS-in. Të dyja paraqiten si fakte mjekësore, edhe pse nuk kanë kurrfarë baze shkencore”, rrëfen G.D.

Çështja e orientimit seksual është trajtuar prej kohësh edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila në vitin 1990 e hoqi homoseksualitetin nga klasifikimi i çrregullimeve mendore.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar 36 vjet nga ky qëndrim shkencor, në kafene dhe në diskutimet e përditshme në Prishtinë vazhdojnë të përsëriten pretendimet se homoseksualiteti është sëmundje.

Një tjetër anëtar i komunitetit, me inicialet G.G., tregon se në përditshmëri dëgjon narrativa të ngjashme.

“Më shpesh kam dëgjuar akuza se kemi sëmundje mendore, shpirtërore e morale; se jemi fyes ndaj planit të Perëndisë për riprodhimin, shkatërrues të familjeve, tmerrësisht të konfuzuar apo të dalë nga shinat morale e shoqërore”, thotë ai.

Situata është edhe më problematike në raportimet mediatike dhe në rrjetet sociale. Deklaratat e deputetes Labinotë Demi-Murtezi për sëmundjet u raportuan në shumë media, pa u shoqëruar gjithmonë me kontekstin e nevojshëm dhe me të dhënat shkencore të OBSH-së.

Në përditshmërinë e tij, G.G. ndjek debate televizive, lajme dhe rrjete sociale. Ai vlerëson se mediat profesionale tregojnë njëfarë kujdesi, por situata përkeqësohet në komentet e publikut.

“Mediat dhe portalet janë më të kujdesshme me fjalorin që përdorin ndaj komunitetit, për shkak të frikës nga ‘qortimi’ i tyre. Publiku, përmes komenteve në artikuj apo postimeve personale, është më i guximshëm”, shton ai.

Sipas vlerësimeve të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përgjegjësia e mediave lidhet edhe me komentet e lexuesve brenda platformave të tyre, në përputhje me rregullat dhe standardet përkatëse.

​

Shërbimet as që diskutohen

Anëtarët e komunitetit LGBTI+ kanë nevojë për mbështetje institucionale, investime në projektet e tyre dhe shërbime shëndetësore që i përgjigjen nevojave të tyre.

Një hulumtim i realizuar nga Instituti SEKHMET në vitin 2025 tregoi se programet e partive politike në Kosovë nuk përmbanin zotime të qarta për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me kujdesin shëndetësor për personat LGBTI+.

Në përgjithësi, debati për të drejtat e këtij komuniteti është zëvendësuar shpesh nga debate të shoqëruara me gjuhë urrejtjeje dhe stigmatizim.

Përtej gjuhës së përdorur, G.D. thotë se një problem tjetër është mënyra se si trajtohet komuniteti në debatet publike.

“Shpesh nxirren nga konteksti. Debati rrallë përqendrohet te të drejtat konkrete ose te qasja në shërbime. Në vend të kësaj, tema kthehet në çështje morali ose politike, ndërsa njerëzit e komunitetit trajtohen si temë debati, jo si qytetarë me nevoja konkrete”, shprehet ai.

Sipas Qendrës për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBT në Kosovë (CEL Kosova), mënyra e përfaqësimit publik mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si personat LGBTI+ e përjetojnë veten, sigurinë dhe hapësirën që ndiejnë se kanë në shoqëri.

“Ajo që flitet në diskursin publik në Kosovë ka ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si personat LGBTI+ e përjetojnë veten, sigurinë e tyre dhe hapësirën që ndiejnë se kanë në shoqëri”, thekson CEL Kosova.

Sipas organizatës, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj paragjykimeve, gjuhës së urrejtjes dhe komenteve poshtëruese mund të shkaktojë stres dhe pasiguri. Ky presion nuk vjen vetëm nga rrjetet sociale apo mediat, por mund të shfaqet edhe në familje, në rrethin shoqëror, në shkollë dhe në vendin e punës.

Për sociologen Linda Gusia, mënyra se si një grup përfaqësohet në diskursin publik është e rëndësishme për mënyrën se si ai grup pranohet ose përjashtohet nga shoqëria.

“Diskursi publik, në përgjithësi, ndikon, sidomos në mënyrën se sa një grup demonizohet, sa pranohet dhe sa përjashtohet. Pra, është jashtëzakonisht e rëndësishme mënyra se si përfaqësohen anëtarët e komunitetit”, shprehet Gusia.

Sipas saj, rëndësia e diskursit publik është rritur edhe për shkak të rolit që mediat dhe rrjetet sociale luajnë në mënyrën se si publiku informohet për çështjet sociale.

Gusia e lidh stigmatizimin edhe me presionin që pjesëtarët e komunitetit mund të përjetojnë në jetën e përditshme. Sipas saj, paragjykimet e krijuara në shoqëri mund të ndikojnë në mënyrën se si personat LGBTI+ e menaxhojnë identitetin e tyre në raport me mjedisin ku jetojnë.

“Mendoj se stigma, pra paragjykimet që krijohen në shoqëri ndaj komuniteteve të caktuara, në rastin e komunitetit LGBTI+ krijon presione të ndryshme brenda komunitetit. Është stigma ajo që shpesh krijon njëfarë jete të dyfishtë. Shumë njerëz përpiqen t’i shmangen stigmës, paragjykimeve dhe, shpesh, edhe dhunës”, shton ajo.

Frika nga stigmatizimi evidentohet edhe nga organizatat që punojnë me komunitetin.

Sipas CEL Kosova, disa persona LGBTI+ mund të shqetësohen se informacionet për identitetin e tyre mund të bëhen të njohura për familjen ose rrethin shoqëror, veçanërisht në një shoqëri relativisht të vogël.

“Për një person LGBTI+, kërkimi i ndihmës psikologjike mund të përfshijë edhe pyetjen nëse profesionisti që do ta trajtojë është i informuar për çështjet LGBTI+, nëse do ta respektojë identitetin e tij ose të saj dhe nëse biseda do të zhvillohet pa gjykim”, thekson CEL Kosova.

Ky artikull është zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Sekhmet, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, përmes projektit “Lufta kundër diskriminimit dhe urrejtjes”, që është pjesë e programit të përbashkët “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.

​

Artikulli po ashtu është publikuar në Kallxo.com: https://kallxo.com/gjate/analize/pretendimi-per-semundjen-qe-nuk-largohet-prej-36-vjetesh/ 

​

Ky artikull është zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Sekhmet, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, përmes projektit "Lufta kundër diskriminimit dhe urrejtjes", që është pjesë e programit të përbashkët "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë".

 © SEKHMET INSTITUTE 

  • instagram
  • facebook
bottom of page