top of page
Hetimet në letër që kërkojnë veprim
Donjeta Rexhbogaj

Avokati i Popullit ka hapur hetim ex officio lidhur me mungesën e një strehimoreje të dedikuar për personat LGBTIQ+ në Kosovë.

Megjithatë, përvoja me rekomandimet e mëparshme të këtij institucioni dhe mungesa e përcjelljes së tyre nga Kuvendi ngrenë dilema nëse edhe ky rast do të përfundojë si shumë raporte të tjera të cilat konstatojnë shkelje por që nuk nxisin veprime

​

Projekti i strehimores për viktimat e dhunës nga radhët e komunitetit LGBTIQ+ në Prishtinë është planifikuar që nga viti 2020 dhe nuk ka arritur të implementohet për shkak të mungesës së hapsirës dhe problemeve me buxhetin.

​

Institucionet publike kanë për obligim të garantojnë strehimin  eviktimave të krimeve dhe për këtë arsye, Avokati i Popullit ka nisur hetimin pas një ankese kundër Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës.

​

Institucioni i Avokatit të Popullit i konfirmon hetimin mirëpo  në këtë fazë nuk mund të japë të dhëna për gjetjet ose përfundimet.

Mungesa e strehimores nuk është vetëm çështje e një projekti të papërfunduar. Për personat LGBTIQ+ që përballen me dhunë, kërcënime, përjashtim familjar ose diskriminim, mungesa e një hapësire të sigurt mund ta vështirësojë mbrojtjen dhe qasjen në shërbimet e nevojshme.

Arbër Nuhiu nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), organizatë që punon me komunitetin LGBTIQ+, thotë se problemet me të cilat përballen këta persona shtrihen në disa fusha të jetës, përfshirë sigurinë personale, punësimin, arsimin dhe të drejtat pronësore.

Sipas tij, rastet për të cilat organizata ka ofruar mbështetje tregojnë se mbrojtja duhet të përfshijë ndërhyrje juridike, sociale dhe psikologjike, si dhe masa për ruajtjen e konfidencialitetit dhe parandalimin e hakmarrjes ndaj personave që raportojnë shkelje.

​

“Problemi themelor është hendeku ndërmjet garancive ligjore dhe mbrojtjes në praktikë”, vlerëson Nuhiu.

​

Për të, institucionet duhet të arrijnë një nivel profesionalizmi ku personat LGBTIQ+ të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre pa qenë të detyruar të varen vazhdimisht nga ndërhyrja e organizatave të shoqërisë civile.

​

Raportet ekzistojnë, por rekomandimet mbeten pa u zbatuar

​

Rasti i strehimores zhvillohet në një kontekst më të gjerë të mangësive në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

Më 3 shtator 2026, institucioni bëri të ditur se dy raportet paraprake për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ende nuk ishin shqyrtuar nga Kuvendi i Kosovës. Sipas Avokatit të popullit  edhe pas publikimit dhe dërgimit të raporteve nuk ishte evidentuar ndonjë komunikim zyrtar nga Kuvendi lidhur me to.

​

Kjo vonesë është e rëndësishme, sepse raportet nuk kufizohen në përshkrimin e problemeve. Ato evidentojnë mangësi në funksionimin e institucioneve dhe paraqesin rekomandime që synojnë përmirësimin e mbrojtjes nga diskriminimi.

​

Avokati i Popullit ka vlerësuar se mosshqyrtimi i raporteve ndikon negativisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve, pasi mungesa e veprimeve institucionale i lë shkeljet e evidentuara pa përgjigjen e nevojshme.

​

Institucioni ka sqaruar se vazhdon t’ua përcjellë rekomandimet autoriteteve përgjegjëse, përfshirë Zyrën për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit. Kjo zyrë ka përgjegjësi ligjore për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi.

Megjithatë, sipas Avokatit të Popullit, në praktikë nuk janë vërejtur përpjekje serioze nga kjo zyrë për përmbushjen e këtij detyrimi.

Të dhënat e institucionit tregojnë gjithashtu se nga 300 rekomandime të evidentuara për vitin 2023, deri në përditësimin e fundit, 69 ishin zbatuar, 17 ishin zbatuar pjesërisht, 16 nuk ishin zbatuar, ndërsa 198 vazhdonin të ishin në pritje për zbatim.

​

Këto të dhëna tregojnë se shumica dërrmuese e rekomandimeve nuk kishin kaluar në kategorinë e zbatimit të plotë. Megjithatë, fakti që një rekomandim figuron në pritje nuk dëshmon vetvetiu se ai është refuzuar; tregon se zbatimi i tij ende nuk është përmbyllur sipas evidencës së institucionit.

​

Një tjetër problem është mungesa e përgjigjeve nga institucionet publike. Në raportin tematik për vitin 2025, Avokati i Popullit kishte kërkuar informacione nga 71 institucione dhe autoritete për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Vetëm 27 prej tyre ishin përgjigjur.

Mungesa e të dhënave e vështirëson jo vetëm punën e Avokatit të Popullit, por edhe mundësinë e publikut për të kuptuar se cilat institucione po i përmbushin detyrimet dhe cilat po dështojnë t’i zbatojnë ato.

​

Raporti evidenton se diskriminimi vazhdon të mbetet shqetësim, ndërsa mangësitë në legjislacion, politikat publike, praktikat administrative dhe mekanizmat institucionalë vazhdojnë të pengojnë ushtrimin e të drejtave nga grupet e cenueshme.

​

Për personat LGBTIQ+, këto mangësi marrin kuptim konkret kur mungojnë shërbimet e specializuara, mbrojtja nga dhuna, strehimi i sigurt dhe mekanizmat që garantojnë trajtim të barabartë. Gjuha diskriminuese e deputetëve dhe një Kod Sjelljeje që kërkon zbatim

Përtej shërbimeve që mungojnë, një tjetër çështje e evidentuar nga Avokati i Popullit lidhet me gjuhën e përdorur nga përfaqësuesit politikë ndaj personave LGBTIQ+.

​

Në raportin ex officio nr. 146/2021, të publikuar më 6 shkurt 2024, institucioni analizoi gjuhën në diskursin publik, përfshirë deklaratat e deputetëve gjatë debatit të 16 marsit 2022 për Projektkodin Civil. Raporti identifikoi shprehje fyese, paragjykime dhe gjuhë indirekte të urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+, duke sqaruar se në seancat e monitoruara nuk kishte hasur nxitje të drejtpërdrejtë të urrejtjes.

​

Avokati i Popullit i rekomandoi Kuvendit miratimin e një Kodi të Sjelljes që do të përcaktonte masa ndaj deputetëve për gjuhën e përdorur gjatë ushtrimit të mandatit, si dhe krijimin e një mekanizmi për shqyrtimin e ankesave.

​

Sipas informatave që posedon Avokati i Popullit, në vitin 2024 Komisioni për Legjislacion kishte miratuar Kodin e Sjelljes, i cili parashihte masa ndaj deputetëve që ofendojnë, shajnë ose nxisin dhunë. Këto masa përfshinin përjashtimin nga seancat dhe komisionet, si dhe uljen e pagesës për 50 për qind.

​

Megjithatë, ekziston një dallim ndërmjet miratimit të një dokumenti në komision dhe përfundimit të procedurave parlamentare, si dhe ndërmjet ekzistencës së rregullave dhe zbatimit të tyre në raste konkrete.

​

CSGD-ja vlerëson se nuk mund të konfirmohet zbatimi i plotë i rekomandimit vetëm mbi bazën e hapave të ndërmarrë në komision. Organizata kërkon që Kuvendi dhe Avokati i Popullit të publikojnë statusin e rekomandimeve dhe veprimet e ndërmarra për zbatimin e tyre.

Ndërkohë, më 1 mars 2024, pesë organizata, përfshirë CSGD-në, paraqitën ankesë te Avokati i Popullit dhe padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me deklaratat e deputetëve gjatë seancës së 16 marsit 2022.

​

Sipas CSGD-së, deri në kohën e përgjigjes së organizatës nuk ishte mbajtur seancë gjyqësore dhe nuk kishte pasur reagim parlamentar për rastin. Avokati i Popullit kishte paraqitur një opinion në cilësinë e mikut të gjykatës, në të cilin deklaratat përkatëse i kishte vlerësuar si diskriminuese dhe cenuese të dinjitetit të personave LGBTIQ+.

​

Për CSGD-në, ky rast tregon se liria e debatit politik nuk e përjashton përgjegjësinë e Kuvendit për të garantuar që qytetarët të mos denigrohen për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor.

​

Organizata kërkon një mekanizëm parlamentar që u mundëson qytetarëve të paraqesin ankesa, siguron shqyrtimin e tyre brenda afateve të përcaktuara dhe merr vendime të arsyetuara, me masa proporcionale për shkeljet e konstatuara.

​

Ish-Avokati i Popullit: Kuvendi duhet të kërkojë llogari

​

Hilmi Jashari, ish-Avokat i Popullit, vlerëson se raportet e këtij institucioni nuk duhet të trajtohen si dokumente që përmbushin vetëm një detyrim formal të raportimit.

​

Sipas tij, Kuvendi duhet t’i përdorë gjetjet dhe rekomandimet për të identifikuar shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet që nuk i adresojnë ato.

​

“Thelbi i shqyrtimit parlamentar nuk duhet të jetë vetëm diskutimi apo miratimi formal i raportit, por përcjellja e zbatimit të rekomandimeve dhe ushtrimi efektiv i funksionit mbikëqyrës ndaj ekzekutivit”, vlerëson Jashari.

​

Ai e lidh një nga problemet kryesore me marrëdhënien politike ndërmjet shumicës parlamentare dhe Qeverisë. Kur shumica parlamentare mbështet ekzekutivin, ekziston rreziku që të mos ushtrojë kontrollin e nevojshëm ndaj ministrave dhe institucioneve që nuk i zbatojnë rekomandimet.

Sipas tij, komisionet parlamentare duhet të kërkojnë raportim periodik nga drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, të përcaktojnë afate për veprim dhe të verifikojnë nëse rekomandimet janë zbatuar.

​

Jashari propozon gjithashtu publikimin e të dhënave për secilin rekomandim, duke dalluar zbatimin e plotë, zbatimin e pjesshëm dhe moszbatimin. Suksesi, sipas tij, nuk duhet të matet me numrin e përgjigjeve që institucionet i dërgojnë Avokatit të Popullit, por me ndryshimet konkrete që ndodhin në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

​

Për ish-Avokatin e Popullit, pranimi i kritikave dhe korrigjimi i shkeljeve duhet të shihen si pjesë e përgjegjësisë institucionale, jo si sulm ndaj institucioneve.

​

Në aspektin ligjor, Jashari bën dallim ndërmjet raportit të përgjithshëm vjetor dhe raporteve të veçanta. Sipas nenit 29 të Ligjit për Avokatin e Popullit, raporti vjetor duhet t’i paraqitet Kuvendit deri më 31 mars dhe të shqyrtohet në seancë plenare gjatë sesionit pranveror. Për raportet e veçanta, ligji nuk përcakton të njëjtin afat të shprehur për shqyrtim në seancë plenare.

​

Kjo do të thotë se vonesat nuk mund të cilësohen automatikisht si shkelje e një afati ligjor që nuk është përcaktuar shprehimisht për raportet e veçanta. Megjithatë, mungesa e një afati të tillë nuk e eliminon rëndësinë e shqyrtimit të gjetjeve dhe të mbikëqyrjes së rekomandimeve.

Për rastin e strehimores, kjo qasje nënkupton se përfundimi i hetimit nga Avokati i Popullit duhet të pasohet nga identifikimi i përgjegjësive, kërkesa për veprime konkrete dhe përcjellja e realizimit të tyre.

​

Pasojat përtej institucioneve

​

Për Rita Selimin, sociologe, mosndjekja e rekomandimeve mund të ndikojë drejtpërdrejt në besimin e personave LGBTIQ+ ndaj institucioneve.

Ajo vlerëson se kur shkeljet dokumentohen, por nuk pasohen me masa konkrete, krijohet përshtypja se njohja formale e problemit nuk garanton mbrojtje reale.

​

Një shqetësim tjetër është konfidencialiteti. Në një kontekst ku reputacioni publik, pranimi familjar dhe marrëdhëniet shoqërore mund të kenë ndikim të madh në jetën e individit, frika nga ekspozimi i identitetit, stigmatizimi ose përjashtimi mund t’i shtyjë personat të mos i raportojnë shkeljet.

Sipas Selimit, mungesa e llogaridhënies mund të krijojë hapësirë për normalizimin e qëndrimeve homofobike dhe transfobike, veçanërisht kur deklaratat diskriminuese nuk shoqërohen me reagime institucionale.

​

Megjithatë, ajo thekson se ndikimi i gjuhës politike nuk duhet të mbivlerësohet. Qëndrimet shoqërore formohen edhe nga normat familjare, bindjet kulturore e fetare, edukimi dhe përvojat personale. Për të vlerësuar ndikimin e deklaratave politike nevojiten të dhëna dhe analiza që dallojnë lidhjen e mundshme nga shkakësia e provuar.

​

Ndryshimi, sipas saj, duhet të matet përmes politikave konkrete, buxheteve të dedikuara, shërbimeve të specializuara dhe mënyrës se si personat LGBTIQ+ trajtohen në institucionet arsimore, shëndetësore, sociale dhe të drejtësisë.

​

Plani i ri nuk e zëvendëson përgjegjësinë e sotme

​

Një tjetër proces që mbetet për t’u përmbyllur është hartimi i Planit të Veprimit për të Drejtat e Personave LGBTIQ+ për periudhën 2027–2029.

Sipas informacioneve të CSGD-së, pas punëtorisë së mbajtur në shtator 2026 është shpërndarë një draft parafinal. Dokumenti përfshin masa të propozuara në fushën e shëndetësisë, arsimit, drejtësisë, strehimit, punësimit dhe parandalimit të diskriminimit e gjuhës së urrejtjes.

Megjithatë, procesi ende kërkon përfundimin e konsultimeve dhe sqarimin e përgjegjësive institucionale e financiare. Drafti nuk është i barabartë me një plan të miratuar nga Qeveria, ndërsa shumat e propozuara nuk mund të konsiderohen financim i garantuar pa konfirmimin përkatës.

CSGD-ja paralajmëron se zvarritja e procesit dhe shtyrja e periudhës së planifikimit mund të vonojnë reagimin ndaj nevojave aktuale të komunitetit. Organizata kërkon që plani të shoqërohet me buxhet të konfirmuar, institucione përgjegjëse dhe raportim publik.

Njëkohësisht, detyrimet ekzistuese për mbrojtje nga diskriminimi dhe dhuna duhet të përmbushen edhe para fillimit të periudhës së re të planifikimit.

​

Nga rekomandimet te përgjegjësia

​

Rasti i strehimores është një tjetër provë për aftësinë e institucioneve për t’i shndërruar detyrimet ligjore dhe rekomandimet në masa që ndikojnë në jetën e qytetarëve.

​

Hetimi i Avokatit të Popullit mund të ndihmojë në sqarimin e përgjegjësive për projektin e papërfunduar, por rezultati përfundimtar nuk duhet të matet vetëm me publikimin e gjetjeve. Duhet të shihet nëse institucionet ndërmarrin veprime konkrete dhe nëse strehimorja realizohet.

Në të njëjtën kohë, Kuvendi duhet të tregojë nëse është i gatshëm t’i trajtojë raportet e Avokatit të Popullit si instrumente të mbikëqyrjes institucionale dhe jo thjesht si dokumente për diskutim.

​

KDI vlerëson se Kuvendi përgjithësisht ka pasur qasje pasive në përcjelljen e zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Sipas organizatës, edhe kur raportet janë shqyrtuar, procesi shpesh është trajtuar si obligim formal dhe jo si mundësi për të kërkuar llogari nga institucionet përgjegjëse.

Kriza politike dhe institucionale gjatë vitit 2025 dhe pjesës më të madhe të vitit 2026 e ka vështirësuar edhe më tej funksionimin e mbikëqyrjes parlamentare. Por kjo rrethanë nuk e zgjidh problemin e mungesës së një mekanizmi të qëndrueshëm për përcjelljen e rekomandimeve.

Një mekanizëm i tillë duhet të përcaktojë institucionin përgjegjës për secilin rekomandim, veprimin që kërkohet, afatin e realizimit dhe dëshmitë që do të përdoren për të vlerësuar zbatimin. Po ashtu, duhet të publikojë arsyet e vonesave dhe të kërkojë raportim të rregullt nga institucionet që nuk kanë ndërmarrë veprime.

​

Për personat LGBTIQ+, rezultatet do të ishin të matshme përmes realizimit të strehimores, shërbimeve të qasshme dhe të sigurta, trajtimit efektiv të ankesave për diskriminim dhe mekanizmave që parandalojnë gjuhën diskriminuese dhe dhunën.

Deri atëherë, ekziston rreziku që raportet të vazhdojnë të dokumentojnë probleme të njohura, ndërsa qytetarët të presin zgjidhje që nuk po vijnë.

Pyetja që mbetet nuk është vetëm çfarë do të zbulojë hetimi për strehimoren, por edhe nëse institucionet do të bëjnë atë që raportet e mëparshme kanë kërkuar prej tyre: të marrin përgjegjësi, të veprojnë dhe të dëshmojnë se rekomandimet e institucioneve të pavarura kanë pasoja konkrete.

Sepse një rekomandim i publikuar nuk është ende një e drejtë e garantuar. Dhe një hetim i përfunduar nuk është zgjidhje, nëse pas tij nuk ndryshon asgjë në jetën e njerëzve.

 

​Artikulli po ashtu është publikuar në Kallxo.com: https://kallxo.com/gjate/hetimet-ne-leter-qe-kerkojne-veprim/

​​

Ky artikull është zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Sekhmet, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, përmes projektit "Lufta kundër diskriminimit dhe urrejtjes", që është pjesë e programit të përbashkët "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë".

 © SEKHMET INSTITUTE 

  • instagram
  • facebook
bottom of page