top of page

Deklarimi i orientimit seksual mund të ndihmojë drejtësinë
Laurant Berisha

Një prind që e sulmon fëmijën me sëpatë, një grup personash që sulmojnë një pjesëtar të komunitetit LGBTIQ+ dhe një vajzë që largohet nga puna për shkak të përkatësisë së saj në këtë komunitet. Këto janë disa nga rastet që mund të gjurmohen në databazën e aktgjykimeve të publikuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ku mund të kërkohen të dhëna për rastet që lidhen me sulmet dhe cenimin e të drejtave të pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+.

​

Diskriminimi, gjuha e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ+ janë diskutuar shpesh në publik. Megjithatë, të dhënat zyrtare tregojnë se numri i rasteve të raportuara tek autoritetet është i ulët.

​

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga janari i vitit 2025 deri në korrik të vitit 2026 janë raportuar vetëm katër raste në të cilat viktimat kanë qenë pjesëtarë të komunitetit LGBTIQ+. Kjo shifër ngre pikëpyetje për numrin e rasteve që nuk raportohen dhe për vështirësitë në identifikimin e motiveve të mundshme të urrejtjes gjatë hetimeve.

​

Profesionistët e fushës shprehin shqetësimin se, nga frika e ekspozimit dhe paragjykimeve, viktimat mund të hezitojnë ta deklarojnë orientimin e tyre seksual para autoriteteve.

​

Kodi Penal i Kosovës parasheh që motivet e veprave penale të merren parasysh në përcaktimin e përgjegjësisë penale dhe të dënimit, kur plotësohen kushtet ligjore. Megjithatë, kur viktimat hezitojnë të flasin për orientimin e tyre seksual ose kur motivi i veprës nuk zbardhet gjatë hetimeve, identifikimi i një motivi të mundshëm diskriminues mund të bëhet më i vështirë.

​

Avokati Alban Krasniqi, i cili ka përfaqësuar viktima të sulmeve fizike të motivuara nga orientimi seksual, ngre shqetësimin se akterët e sistemit të drejtësisë kanë ende nevojë për më shumë sensibilizim lidhur me sfidat me të cilat përballet komuniteti LGBTIQ+.

“Mendoj se rastet e komunitetit LGBT, për aq sa unë kam pasur përvojë me to, janë raste që trajtohen në rregull. Mungon pak sensibilizimi i akterëve të përgjithshëm — nga hetuesit, avokatët, gjyqtarët e prokurorët — sepse nuk i dinë shumë sfidat, problemet dhe paragjykimet me të cilat ky komunitet ballafaqohet”, ka thënë Krasniqi.

​

Sipas tij, në përgjithësi, prokuroria dhe gjykatat i trajtojnë këto raste njësoj si rastet e tjera penale.

​

“Megjithatë, përgjithësisht trajtimi është si në të gjitha rastet e tjera”, ka thënë Krasniqi për KALLXO.com.

​

Si sfidë kryesore, avokati përmend hezitimin e pjesëtarëve të komunitetit për t’i raportuar rastet, për shkak të stigmatizimit dhe frikës se mund të viktimizohen sërish.

​

“Si sfidë më të madhe do të cekoja faktin se vetë komuniteti nganjëherë heziton t’i raportojë rastet e tilla, kryesisht për shkak të stigmatizimit dhe frikës se do të viktimizohen dyfish”, ka shtuar ai.

​

Arbër Nuhiu nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) vlerëson se viktimat duhet të njihen me mekanizmat e mbrojtjes që u ofrohen nga institucionet dhe t’i shfrytëzojnë ato kur u cenohen të drejtat.

​

“Kam mendim pozitiv. Rastet që i dimë ne, nga përvoja jonë, janë trajtuar në mënyrë shumë efikase si nga policia, ashtu edhe nga prokuroria, duke marrë parasysh se te ne rastet shpesh zvarriten. Përvojat e viteve të fundit, sa i përket trajtimit të këtyre rasteve, janë të mira. Trajtimi i rasteve që lidhen me personat LGBT ka qenë korrekt nga sistemi i drejtësisë”, ka thënë Nuhiu.

​

Ai ka shtuar se viktimat që janë përfaqësuar nga organizata kanë shprehur kënaqësi me mënyrën e trajtimit të rasteve dhe me dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve.

​

“Viktimat që i kemi përfaqësuar deri tash kanë qenë të kënaqura me mënyrën se si është trajtuar rasti dhe me shqiptimin e dënimit”, ka thënë Nuhiu.

 

Orientimi seksual si rrethanë rënduese në gjykatë

​

Në praktikën gjyqësore në Kosovë ka raste në të cilat motivi i veprës penale, përfshirë orientimin seksual të viktimës, është marrë parasysh si rrethanë rënduese gjatë përcaktimit të dënimit.

​

Avokati Alban Krasniqi, i cili ka përfaqësuar viktimën të cilës gjykata, për arsye sigurie, i ka vënë nofkën “Fabiani”, ka thënë se rasti shënon një zhvillim të rëndësishëm në trajtimin gjyqësor të sulmeve të motivuara nga orientimi seksual.

​

“Është rasti i parë — të paktën që dihet publikisht — ku një gjykatë në Kosovë ka përdorur për herë të parë dispozitat e Kodit Penal të vitit 2019, ku orientimi seksual është përdorur si rrethanë rënduese ndaj të akuzuarve. Sepse motivi, sipas gjetjeve të gjykatës dhe hetimeve, ka qenë kryerja e veprës për shkak të orientimit seksual”, ka deklaruar Krasniqi.

​

Sipas avokatit, bashkëpunimi me prokurorin e shtetit ka qenë i kënaqshëm dhe ka rezultuar me një aktgjykim dënues në shkallën e parë ndaj të akuzuarve.

​

Nga sulmet fizike te dhuna në familje dhe diskriminimi në punë

​

Rastet gjyqësore dhe përvojat e pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë dëshmojnë se cenimi i të drejtave të tyre mund të shfaqet në forma të ndryshme: nga sulmet fizike deri te dhuna brenda familjes dhe diskriminimi në marrëdhëniet e punës.

​

Një nga rastet më të rënda është ai i sulmit, rrëmbimit dhe torturimit të një pjesëtari të komunitetit LGBTIQ+, për të cilin Gjykata e Prishtinës shqiptoi gjithsej 14 vjet e gjashtë muaj burgim për tre të akuzuarit. Ky rast tregon rëndësinë e hetimit të plotë të veprave penale, të përcaktimit të përgjegjësisë dhe të mbrojtjes së viktimave.

​

Një rast tjetër lidhet me një prind që sulmoi fëmijën e tij me sëpatë. Ky rast e vë në pah rrezikun që mund të paraqesë dhuna brenda familjes, veçanërisht kur fëmijët përballen me refuzim, presion ose keqtrajtim. Në rastet kur dhuna lidhet me identitetin gjinor ose orientimin seksual të fëmijës, është e rëndësishme që institucionet kompetente të hetojnë rrethanat dhe të sigurojnë mbrojtjen e tij.

​

Ndërkaq, rasti i një vajze që është larguar nga puna, sipas pretendimeve, për shkak se është pjesë e komunitetit LGBTIQ+, e zhvendos vëmendjen te diskriminimi në marrëdhëniet e punës. Nëse largimi është bërë për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, kjo mund të përbëjë diskriminim dhe shkelje të të drejtave të punëmarrëses. Për këtë arsye, rrethanat e largimit duhet të shqyrtohen nga institucionet kompetente.

Këto raste tregojnë se cenimi i të drejtave të pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+ nuk kufizohet vetëm te dhuna fizike. Ai mund të ndodhë edhe brenda familjes dhe në vendin e punës. Përveç ndëshkimit të veprave penale, nevojiten mekanizma efektivë për raportimin e rasteve, mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e diskriminimit.

​

Mbrojtja e dinjitetit dhe e sigurisë së pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+ kërkon që institucionet të reagojnë me profesionalizëm, pa paragjykime dhe në përputhje me ligjin, ndërsa viktimat duhet të kenë besim se raportimi i rasteve nuk do t’i ekspozojë ndaj viktimizimit të mëtejshëm.

​

Artikulli po ashtu është publikuar në Kallxo.com: https://kallxo.com/gjate/deklarimi-i-orientimit-seksual-mund-te-ndihmoje-drejtesine/

​

Ky artikull është zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Sekhmet, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, përmes projektit "Lufta kundër diskriminimit dhe urrejtjes", që është pjesë e programit të përbashkët "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë".

 © SEKHMET INSTITUTE 

  • instagram
  • facebook
bottom of page