
Dështimi për t’i dalë në ballë gjuhës së urrejtjes
Adelina Ahmeti

Edhe pse Kodi Penal parasheh dënime të ashpra, gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale vazhdon të mbetet e patrajtuar, sidomos në rastet kur ajo drejtohet ndaj komunitetit LGBTIQ+.
Ishte qershori i vitit 2025 kur aktivistet Arlinda Morina dhe Uresa Ahmeti iu drejtuan Prokurorisë së Prishtinës me kërkesën që të hetohej një komentues online.
I identifikuar si D.R., personi kishte shkruar një mesazh me përmbajtje urrejtjeje në një publikim për Paradën e Krenarisë. Përmbajtja e kërcënimit është redaktuar, por ajo përbënte një mesazh të qartë dhe një thirrje për dhunë.
Në parashtresën penale, Morina dhe Ahmeti konstatojnë se ky publikim ishte thirrje e drejtpërdrejtë për dhunë ndaj komunitetit LGBTIQ+.
Arlinda Morina, e njohur edhe si Liki, rrëfen se përballja me gjuhën e urrejtjes ka nisur që në fëmijëri, në ambientet e shkollës fillore.
“Ne jemi rritur me standarde të bukurisë se si duhet të duket një vajzë dhe një djalë. Unë i kam ikur atij standardi dhe fjala ‘shumë e çuditshme’ më ka përcjellë deri në ditën e sotme”, thotë Liki.
Në etapa të ndryshme, urrejtja ka kaluar në kërcënime serioze, të cilat shpesh kanë nisur si “shaka”, por me kalimin e kohës janë bërë gjithnjë e më të rënda.
“Prej ‘a je djalë apo çikë?’, e ‘Zoti ka për të të vrarë se e ke humbur rrugën e Zotit’, deri te ‘po ta dija që nuk hyj në burg, do të të kisha vrarë’”, tregon disa prej asaj me çka është përballur Arlinda.
Liki thotë se tashmë ka dalë hapur me orientimin e saj seksual dhe se, pavarësisht pasojave serioze që ka përjetuar në shëndetin e saj mendor dhe fizik, nuk ka më frikë të jetojë ashtu siç dëshiron.
“Jam kjo që jam. Pasojat janë deri në dëmtimin e shëndetit dhe sëmundjen që kam përjetuar nga shtypja emocionale, por tash, pasi jam gjallë, nuk kam frikë nga asgjë”, shton ajo.
Kërkesa e Arlindës për ndihmë është dërguar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Por, ndonëse për rastin pati kallëzim penal, më 31.07.2025 është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës ndaj një personi me inicialet D.R.
Në një përgjigje, Kaltrina Shala, zëdhënëse në këtë institucion, ka konfirmuar se ndaj të dyshuarit tashmë ka një aktakuzë për veprën penale të kanosjes.
Ndonëse u bë kërkesa për qasje në aktakuzë për të parë veprimet që janë ndërmarrë, Shala tha se nuk mund të lejohet qasja për shkak se ende nuk kanë pranuar ndonjë ftesë nga gjykata për mbajtjen e shqyrtimit fillestar.
Pra, më shumë se shtatë muaj nga ngritja e aktakuzës, Gjykata Themelore e Prishtinës ende nuk e ka njoftuar prokurorinë për seancën e shqyrtimit fillestar.
“Unë vetë kam raportuar, por ende nuk ka asnjë lajm, asnjë telefonatë, as më të voglin mundim. Madje, videoja që ka publikuar personi që e kam raportuar ekziston ende. Ai kishte bërë thirrje për vdekjen time”, tregon tutje Arlinda.
Ajo vlerëson se mosreagimi i institucioneve jo vetëm që i dekurajon viktimat të raportojnë, por gjithashtu kontribuon në normalizimin e gjuhës së urrejtjes në shoqëri.
“Nuk bëjnë asgjë. Institucionet, ligji, shteti. Duhet të marrin masa para se të ndodhin vrasjet e grave dhe personave të komunitetit LGBTIQ+. Dhuna duhet të ndalohet rreptësisht. Nuk duhet të jetojmë me ligjin e fatit – ‘edhe sot shpëtova’, sepse jeta nuk është llotari”, përfundon ajo.
Përvoja të ngjashme tregojnë edhe anëtarë të tjerë të komunitetit LGBTIQ+. Edis* thotë se me gjuhë urrejtjeje është përballur që në moshë të re, kryesisht gjatë shkollimit, përmes komenteve stigmatizuese dhe qëndrimeve përjashtuese, ndërsa përvoja më e shpeshtë ka qenë ajo online.
“Kryesisht gjatë shkollimit, përmes komenteve dhe qëndrimeve stigmatizuese. Më së shumti e kam përjetuar online në rrjete sociale”, tregon ai.
Ai shton se gjuha e urrejtjes shpesh maskohet si “hajgare” ose shprehet përmes mohimit të identitetit, duke krijuar ndjenjë frike dhe pasigurie.
“Ka pasur raste kur ka pasur edhe kërcënime dhe frikë. Ka ndikuar në shëndetin mendor, vetëbesimin dhe ndjenjën e sigurisë në publik”, shprehet Edis*.
Edhe Rina* tregon se përballja e saj me gjuhën e urrejtjes ka nisur që në shkollën fillore dhe është shprehur si fizikisht, ashtu edhe online, përmes ngacmimeve, fyerjeve, keqidentifikimit gjinor dhe përhapjes së gënjeshtrave.
“Kjo gjuhë është shprehur si fizikisht, ashtu edhe online. Ajo manifestohet përmes ngacmimeve, shakave, fyerjeve, përhapjes së gënjeshtrave te të tjerët për situata të caktuara, si dhe përmes keqidentifikimit gjinor, duke më atribuar gjini që nuk përkojnë me identitetin tim gjinor, vetëm për shkak të orientimit tim seksual”, thotë Rina*.
Ajo thotë se këto përvoja kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e vetëbesimit, izolimin social dhe problemet e shëndetit mendor.
“Nga mosha 8 deri në 21 vjeç, mbështetja ime kryesore ka qenë vetja ime. Më pas, mbështetje kam gjetur te psikologu, shoqëria dhe një pjesë e familjes”, tregon ajo.
Rina* thotë se pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ+ shpesh nuk i raportojnë rastet e dhunës dhe gjuhës së urrejtjes online për shkak të frikës nga paragjykimi.
“Fakti që disa persona nuk janë të hapur për orientimin seksual apo identitetin gjinor, si dhe frika nga mungesa e mbështetjes nga institucionet publike, ndikojnë që rastet të mos raportohen. Në shëndetësi, në shumicën e rasteve ka diskriminim; në polici ka raste kur tregohen bashkëpunues, ndërsa në arsim shpesh haset diskriminimi”, tregon ajo.
Sipas saj, e gjithë kjo gjuhë ndodh për shkak të mendësisë dominuese, ndikimit të religjionit dhe besimeve tradicionale që çojnë në homofobi të internalizuar.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR) vlerëson se situata e gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ+ vazhdon të jetë shqetësuese dhe, në shumë raste, e normalizuar në diskursin publik.
Sipas kësaj organizate, gjuha e urrejtjes shfaqet kryesisht në rrjetet sociale, ku qasja e gjerë dhe mungesa e mekanizmave efektivë të kontrollit krijojnë hapësirë për shprehje vulgare, denigruese dhe përjashtuese ndaj komunitetit.
Sipas YIHR, shpesh, nën petkun e “mendimit të lirë”, harrohet se po cenohet e drejta dhe dinjiteti i një tjetri. Përveç rrjeteve sociale, kjo gjuhë, sipas tyre, është e pranishme edhe në hapësira televizive, debate publike, diskurse politike dhe pseudo-fetare, duke kontribuar në legjitimimin e saj në sferën publike.
Organizata thekson se shumë raste të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+ mbeten të paraportuara për shkak të frikës nga stigmatizimi, diskriminimi, ekspozimi i orientimit seksual ose identitetit gjinor, si dhe për shkak të mungesës së besimit në trajtimin serioz të rasteve nga institucionet.
“Për shkak të mungesës së besimit nga pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ+ dhe reagimit të vonë dhe joprofesional nga organet kompetente. Reagimet janë të vonuara, jo të barabarta ose pa reagim fare”, thuhet në përgjigjen e YIHR.
Sipas kësaj iniciative, institucionet dështojnë si në identifikimin e rasteve të gjuhës së urrejtjes, ashtu edhe në zbatimin e ligjeve dhe ofrimin e mbrojtjes efektive për viktimat.
“Po, mosreagimi politik dhe mungesa e ndëshkimit profesional ua ‘konfirmon’ njerëzve që përdorin gjuhë urrejtjeje ndaj komunitetit LGBTIQ+ se ajo që bëjnë është diçka tërësisht normale dhe e drejtë”, thuhet tutje në përgjigjen e YIHR.
Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit “Reporting with Pride” nga Instituti Sekhmet në bashkëpunim me Kallxo.com. Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Reporting Diversity Network.