top of page

Burokracia lokale në kurriz të komuniteteve LGBTIQ+
Linda Mustafa

Prishtina hyn në hartën e kryeqyteteve ku parada e krenarisë mbahet me prezencë të shumë politikanëve dhe me pak apo hic incidente. Kryeqyteti, i cili në disa raste ofron hapësirë të lirë për komunitetet LGBTIQ+, vazhdon të kultivojë burokracinë ndaj projekteve jetike për komunitetin. Kryeqyteti tash e sa vite nuk ka arritur të ndërtojë strehimoren, ndërsa në disa raste burokracia e komunës ka penguar zhvillimin e aktiviteteve të komunitetit.

Anëtarët e komunitetit LGBTIQ+ janë viktima të shpeshta të dhunës në familje dhe përjashtimit nga ambientet ku jetojnë. Sipas ligjit, komunat janë përgjegjëse për të garantuar strehim të përkohshëm për viktimat e dhunës në familje. Për viktimat gra, komunat në rajone të ndryshme të Kosovës kanë mbështetur ndërtimin e strehimoreve, të cilat menaxhohen nga OJQ-të që i ofrojnë këto shërbime, por një strehimore për anëtarët e komunitetit LGBTIQ+ nuk është arritur të ndërtohet asnjëherë.

Në vitin 2020, Komuna e Prishtinës kishte ndarë një buxhet prej 300 mijë eurosh për të ndërtuar strehimoren, mirëpo projekti nuk u jetësua asnjëherë për shkak të burokracisë. Pas ndarjes së buxhetit, problemi lindi në ndarjen e pronës ku do të ndërtohej strehimorja. Përcaktimi i zonës ku do të ndërtohej strehimorja i mori komunës jo më pak se 5 vite kohë dhe burokracia endet herë në Drejtorinë e Pronës, herë në atë të Mirëqenies Sociale e herë në mekanizma të tjerë institucionalë.

Blert Morina nga organizata CEL ka mbajtur dhjetëra takime dhe ka shkruar dhjetëra kërkesa gjatë këtyre pesë viteve për të adresuar çështjen.

Me ardhjen e kryetarit Rama, Blertit iu rekomandua që të komunikojë me Departamentin e Pronave Komunale nën drejtimin e Doruntina Malokut, drejtuese e këtij departamenti, ndërsa Blerti kërkonte bashkëpunim përmes emaileve, asnjë email nuk u kthye pas. Blerti thotë:
“Me sugjerim të komunës, Departamentit të Pronave i dërgova email në baza mujore, asnjë email nuk është kthyer kurrë, komuna ka propozuar me kontaktu departamentin e pronave, me identifiku pronën e mandej me vazhdu… asnjë email nuk është kthyer.”

Ish-drejtoresha e pronave, Doruntina Maloku, nuk ka kthyer përgjigje në kërkesat për të sqaruar pse çështja është zvarritur kaq gjatë. Përgjigjet për këtë situatë, sipas CEL, kanë munguar edhe nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale.

Ndërkohë, viktimat e dhunës nga komuniteti LGBTIQ+ u obliguan të udhëtojnë rreth 300 kilometra për në strehimoren në Tiranë, ku u trajtuan. Sipas të dhënave, rreth 20 persona u trajtuan në Tiranë, ndërsa dhjetëra të tjerë u detyruan të kthehen në ambientet e dhunës.

“Nuk ka pasë komunikim të mirë mrenda departamenteve, nuk është trajtu me prioritet për nga rëndësia që e ka, është shkelje e rëndë mos ofrimi i sigurisë së qytetarëve. Kemi pasë raste me rrezik të lartë për vdekje, jetë a vdekje. Sikur të ishte pa kështu, mendoj që pak ma shpejt i kishin lëviz gjanat,” thotë Blert Morina nga CEL.

Ai tregon se ka dërguar dhjetëra emaile edhe te Drejtoria e Mirëqenies Sociale në adresë të Adelina Sahitit, por as aty nuk ka marrë përgjigje për një kohë të gjatë.

Ndërkohë, në vitin 2025, burokracia e Komunës së Prishtinës për përcaktimin e vendit për ndërtimin e strehimores dha një përgjigje. Komuna përcaktoi vendin ku do të ndërtohej strehimorja, por ky vendim u pasua me një situatë tjetër të burokracisë komunale.

Mjetet për ndërtimin e strehimores të ndara në vitin 2020 kishin mbetur të pashpenzuara dhe diku nga viti 2023 ato u përdorën për investime të tjera. Në këtë situatë, linja e buxhetit për ndërtimin e strehimores mbeti pa mjete, ndërsa pas ndarjes së lokacionit komuna nuk planifikoi mjete të tjera në buxhetin e vitit 2026. Sipas tabelës së buxhetit për vitin 2026, mjetet nuk janë ndarë për ndërtimin e strehimores, ndërsa komuna nuk ka dhënë ndonjë sqarim se si do të adresohet ndërtimi i strehimores pa mjete buxhetore. Kabineti i kryetarit Rama nuk është përgjigjur në kërkesat për sqarime për mungesën e linjës buxhetore për ndërtimin e strehimores.

Sfida e strehimores pasohet edhe me paqartësi dhe pengesa në organizimin e eventeve.

Organizata Hyjneshat është organizatë kulturore me qëllim të krijimit të hapësirave të sigurta për komunitetin LGBTQ në Prishtinë, me fokus të theksuar në art dhe muzikë. Organizata tentoi që në tetor të vitit 2025 të organizojë një aktivitet me artistë ndërkombëtarë në Pallatin e Rinisë. Sipas Blendi Bytyqit, kjo organizatë fillimisht kërkoi që eventi të mbahej në korridorin e Pallatit të Rinisë, mirëpo kërkesa u refuzua me pretekstin se hapësira ishte në renovim, ndërsa për të gjetur një modalitet organizata kërkoi ta mbante eventin në hapësirat e bodrumit të pallatit.

Sipas Blendi Bytyqit, drejtori i emergjencave Lulzim Fushtica, përmes telefonatës, kishte refuzuar që ky event të mbahej në hapësirën e bodrumit. I kontaktuar për të sqaruar këtë situatë, drejtori Fushtica thotë se nuk ka pasur qëllim të ndërpresë aktivitetin, mirëpo hapësira ka qenë e zënë në atë termin për shkak se aty do të mbahej festivali i këngës së RTK-së.

“Në asnjë mënyrë nuk ka pasur asnjë tendencë selektive apo ndonjë qëllim tjetër, përveç faktit se Salla 04 është vlerësuar si e pasigurt për mbajtjen e aktiviteteve, ndërsa hapësira alternative, përkatësisht korridori i sallës së djegur, ka qenë e zënë për shkak të punimeve të nevojshme për organizimin e Koncertit të Festivalit të Këngës në RTK,” thotë Fushtica.

Në mungesë të hapësirës, organizata u obligua që festivalin ta mbajë në hapësirat e Hotel Grand, të cilat kishin një kosto financiare.

 ‘’Kjo ka krijuar presion shtesë organizativ dhe financiar, duke na detyruar të kërkojmë alternativa në kohë të shkurtër dhe shpesh në kushte më të pafavorshme. Për një organizatë kulturore si Hyjneshat, qasja e barabartë në hapësira publike është thelbësore për zhvillimin e aktiviteteve tona dhe për vazhdimësinë e punës sonë.’’- Thotë Bytyqi 

Një organizim tjetër kulturor i cili zhvillohet në kryeqytet nga komuniteti LGBTIQ+ është “Prishtina Queer Festival”. Në vitin 2023, Prishtina Queer Festival kontaktoi komunën për mbështetje për realizimin e edicionit të parë të PQF, festival i dedikuar komunitetit LGBTIQ+, dhe mori premtime se komuna është në dispozicion për të iu përgjigjur nevojave bazike të festivalit.

“Kontaktet që i kemi pasë me komunën kanë qenë fillimisht me takime me kryetarin e komunës, i cili na ka premtu që ka mbështetje për festivalin, që ka përfshi dhënien e tezgave, pastrime në Pallatin e Rinisë, zërim, edhe kemi kërku edhe përkrahje financiare, mirëpo në fund çka kemi pranu prej komunës ka qenë vetëm aprovimi i lejeve për me operu edhe mi kry aktivitetet tona edhe ofrimi i tezgave për marketin e hapur. Të gjitha gjanat tjera që na kanë dashte i kemi marrë prej donatorëve tjerë, prej sponsorëve ose vet prej komunitetit,” thotë Dan Sokoli, drejtor i festivalit.

Një vit më vonë, festivali mori një përkrahje financiare nga Komuna e Prishtinës dhe sipas interpretimeve, kur komuna mbështet një aktivitet me mjete financiare, shërbimet komunale nuk ofrohen më falas, por bëhen me pagesë. Organizatorët paraprakisht nuk kishin marrëveshje të nënshkruar për shfrytëzimin e resurseve të tjera të komunës dhe kjo i vendosi ata para një situate të palakmueshme ku disa nga shërbimet komunale u obliguan ti paguanin.

“Ky grant i 3000 eurove në edicionin e dytë e ka pezullu automatikisht, p.sh. përdorimin e tezgave që i kemi siguru në edicionin e parë pa pagesë. Në edicionin e dytë është dashtë me i pagu tezgat me paret që i ka jep komuna, që është paradoksale dhe absolutisht nuk ka kurrfarë kuptimi. Po ashtu s’kemi pranu kurrë mbështetje për pastrimin e rrugës te kafenetë ku e organizojmë ‘’street party’’, as te Pallati i Rinisë ku e organizojmë eventin kulturor të festivalit, e as nuk na kanë jep ndihmë për zërim dhe skenë për të cilat komuna veç se ka kontrata me kompanitë e zërimeve për festivale tjera e aktivitete tjera. Sa herë që kemi kërku prej komunës mbështetje, kjo ka qenë përvoja. 

“Gjatë vitit 2024, Drejtoria për Kulturë ka mbështetur festivalin përmes subvencioneve, lehtësimit të procedurave . Ky bashkëpunim mbështetet në parimet e respektit, dinjitetit dhe dialogut të vazhdueshëm, me synimin që zërat, përvojat dhe identitetet e komunitetit të gjejnë vendin e tyre të merituar në jetën kulturore të qytetit.” thotë drejtorja e departamentit për kulturë Sibel Halimi. Ajo tregon se rregullat e granteve janë të tilla ndërsa komuna në vazhdimësi ka pasur qasje mbështetëse për këto aktivitete. 

 

Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit “Reporting with Pride” nga Instituti Sekhmet në bashkëpunim me Kallxo.com.  Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Reporting Diversity Network.

 © SEKHMET INSTITUTE 

  • instagram
  • facebook
bottom of page