
Rritje e përdorimit të barnave parandaluese kundër HIV në QKUK
Donjeta Rexhbogaj

Që nga 12 qershori 2024, në Klinikën Infektive të Qendres Klinike Universitare te Kosovës ka nisur ofrimi falas i PrEP-it – profilaksës para ekspozimit, një terapi që ul ndjeshëm rrezikun e infektimit me HIV.
Të dhënat e siguruara nga QKUK tregojnë se përdorimi i kësaj terapie ka nisur të rritet gradualisht. Gjatë vitit 2024, 25 persona kanë filluar PrEP-in. Një vit më vonë, në 2025, janë regjistruar 34 raste të reja, ndërsa 14 persona kanë vazhduar trajtimin nga viti paraprak. Në dy muajt e parë të vitit 2026, 3 persona të rinj kanë nisur terapinë, ndërsa 9 të tjerë e kanë vazhduar atë.
Në dokumentet strategjike të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Kosova konsiderohet vend me prevalencë të ulët të HIV-it, por me nevojë për masa të vazhdueshme parandaluese. Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1986 deri në fund të vitit 2024 janë raportuar 212 raste me HIV/AIDS dhe 51 vdekje si pasojë e AIDS-it, ndërsa vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar 31 raste të reja.
Në të njëjtën kohë, në Klinikën Infektive të QKUK-së ofrohen edhe PrEP dhe PEP – dy forma të profilaksës për parandalimin e HIV-it.
“Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, qasja në PrEP është e drejtpërdrejtë – personat e interesuar mund të paraqiten vetë në Klinikën Infektive, pa qenë e domosdoshme referimi nga mjeku familjar. Aktualisht, shërbimi ofrohet nga tre mjekë infektologë dhe një laborant, në orare të dedikuara tri ditë në javë, ku përfshihen testimi, këshillimi, përshkrimi i terapisë dhe përcjellja e vazhdueshme e pacientëve”, thuhet në përgjigje.
Megjithatë, futja e këtij shërbimi në sistemin publik nuk ka qenë e thjeshtë.
Sipas Arbër Nuhiut nga Qendra për Zhvillim të Grupeve Shoqërore (CSGD), sfida kryesore ka qenë institucionalizimi i këtij shërbimi.
“Në shumicën e vendeve, futja e PrEP-it në shërbimet publike nuk është vetëm çështje ‘a funksionon’. Sfida kryesore ka qenë ta vendosësh si shërbim standard – me protokolle, financim dhe furnizim të qëndrueshëm. PrEP-i kërkon një model të plotë që përfshin testim, këshillim dhe monitorim të vazhdueshëm, prandaj procesi është më kompleks se sigurimi i një ilaçi”, thekson ai.
Stigma dhe frika nga ekspozimi
Pavarësisht se shërbimi tashmë ofrohet, stigma vazhdon të mbetet pengesë për shumë persona që mund të përfitojnë nga PrEP.
“Hezitimi për shkak të frikës nga stigma apo ekspozimi i jetës private është i shpeshtë. Ne mundohemi ta adresojmë këtë përmes informimit të qartë për konfidencialitetin dhe duke e theksuar se PrEP-i është e drejtë shëndetësore, jo etiketë”, thotë Nuhiu.
Nga ana tjetër, janë ndërmarrë masa konkrete për mbrojtjen e privatësisë në Klinikën Infektive të QKUK-së.
“Konsultat zhvillohen në ambiente të veçanta, të dhënat ruhen me qasje të kufizuar dhe stafi është i trajnuar për të respektuar konfidencialitetin dhe për të ofruar shërbim pa stigma, në mënyrë që çdo person të trajtohet në mënyrë të sigurt dhe diskrete”, thuhet në përgjigje.
Çka është PrEP dhe si funksionon?
PrEP është përdorimi i barnave antiretrovirale nga persona HIV-negativ, pra persona të painfektuar, për të parandaluar infektimin. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), e rekomandon këtë terapi për persona që kanë rrezik të konsiderueshëm ekspozimi ndaj HIV-it.
Ndërsa, Centers for Disease Control and Prevention thekson se PrEP mund të ulë rrezikun e infektimit nga marrëdhëniet seksuale deri në 99% kur përdoret siç duhet.
Megjithatë, kjo terapi nuk mbron nga infeksione të tjera seksualisht të transmetueshme, si sifilizi apo gonorrea, dhe nuk zëvendëson përdorimin e kondomëve apo testimin e rregullt.
PrEP përdoret para ekspozimit ndaj HIV-it, si masë parandaluese afatgjatë. Ndërsa PEP (profilaksa pas ekspozimit) është trajtim emergjent që duhet të fillohet brenda 72 orëve pas një ekspozimi të mundshëm.
PrEP rekomandohet për persona HIV-negativ që mund të kenë rrezik më të lartë ekspozimi – për shembull, ata që kanë partner me HIV, që kanë marrëdhënie pa kondom me partnerë të shumtë, apo që përdorin drogë me injeksion.
Në Kosovë, temat e shëndetit seksual mbeten tabu, ndërsa për personat queer kjo shoqërohet edhe me frikën nga diskriminimi apo “outing”.
Dokumentet strategjike të vendit theksojnë se ofrimi i shërbimeve miqësore për komunitetin LGBTIQ+ mbetet sfidues, sidomos jashtë Prishtinës.
Pikërisht për këtë arsye, ofrimi i PrEP-it në një institucion publik si QKUK shihet si hap drejt normalizimit të shërbimit dhe uljes së varësisë nga projektet e përkohshme.
Procesi për marrjen e PrEP-it përfshin testim për HIV, vlerësim të rrezikut, këshillim dhe kontrolle të rregullta.
Në rast se një person dyshon për ekspozim të fundit ndaj HIV-it, ai duhet të kërkojë menjëherë PEP, pasi PrEP nuk është zgjidhje emergjente.
PrEP konsiderohet një nga mjetet më efektive për parandalimin e HIV-it, por ekspertët theksojnë se ai funksionon më mirë si pjesë e një qasjeje të kombinuar – me informim, testim dhe qasje pa diskriminim.
Në një shoqëri ku stigma vazhdon të ndikojë në vendimet për shëndetin, ofrimi falas i kësaj terapie në QKUK është një hap i rëndësishëm – por sfida mbetet që ky shërbim të jetë realisht i qasshëm dhe i sigurt për të gjithë.
Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit “Reporting with Pride” nga Instituti Sekhmet në bashkëpunim me Kallxo.com. Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Reporting Diversity Network.