
Të përjashtuar nga debati dhe të ftuar në spektakëlin e kaosit
Blinerë Gashi

Hapësira e vetme e garantuar për anëtarët e komunitetit LGBTIQ+ në mediat e Kosovës është kur ata ftohen për të rrëfyer përvojat personale, për të folur për të drejtat e komunitetit ose për të qenë pjesë e spektakleve. Të shkolluar me mendim kritik dhe politik, anëtarët e identifikuar të komunitetit nuk janë pjesë e debateve të tjera publike në vend.
Në shoqërinë kosovare, anëtarët e komunitetit LGBTIQ+ nuk janë pjesë e garës politike dhe në pjesën më të madhe janë të përjashtuar nga debatet përmbajtësore publike. Një vëzhgim i thjeshtë i prezencës mediale lehtë mund të vendosë në përfundimin se anëtarët e komunitetit nuk e kanë hapësirën për të shprehur qëndrimet e tyre jashtë kufijve që u kanë vendosur mediat.
Në një ambient të tillë, anëtarët e komunitetit janë të mirëpritur vetëm në formatet si Big Brother ose debatet senzacionale për të drejtat e komunitetit.
“Zakonisht hapësira për personat LGBTI është mjaft e kufizuar dhe në kohëra të caktuara, p.sh. ka shumë më tepër ftesa për intervista gjatë Javës së Krenarisë sesa gjatë periudhave të tjera të vitit. Diskutimi edhe gjatë kësaj jave nuk është shumë përmbajtësor, më shumë është sipërfaqësor,” – thotë Blert Morina nga Qendra për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBT në Kosovë (CEL Kosova).
Parada e Krenarisë është një manifestim për të drejtat e komunitetit LGBTIQ+, mirëpo aktivistët që dalin në emër të organizimit për drejtësi sfidohen me pyetje për përjetimet private e personale.
“Shpeshherë në këto intervista, pjesëmarrësit vendosen para aktit të kryer duke bërë pyetje personale, të cilat zakonisht janë të tipit ‘si e ka pranuar familja’. Shpeshherë diskutohet shumë pak tema për të cilën fillimisht jemi të ftuar,” rrëfen Blert Morina.
Arbër Nuhiu, drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD, thotë se mënyra se si mediat i paraqesin personat LGBTIQ+ ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si shoqëria mendon dhe sillet ndaj tyre.
“Mënyra si mediat i paraqesin personat LGBTIQ+ ka ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën si shoqëria mendon dhe sillet ndaj tyre. Ajo që thuhet në studio ndikon në familje, në shkolla dhe në jetën e përditshme,” – thotë Arbër Nuhiu.
Debati mbi urrejtjen dhe identitetin
Mbi 10 televizione në vend çdo mbrëmje realizojnë debate për aktualitetin dhe çështje të ndryshme, përfshirë edhe sportin. Por në këto tema, anëtarët e komunitetit LGBTIQ+ janë të përjashtuar.
“Shumë rrallë i shohim në studio anëtarët e komunitetit për të folur për tema të tjera si ekonomi, ambient, arsim apo integrim evropian si profesionistë të fushave të tyre. Kështu krijohet përshtypja sikur identiteti i tyre është e vetmja gjë që i përfaqëson,” – thotë Nuhiu.
Ai shton se moderatorët shpesh, në emër të “neutralitetit”, u japin hapësirë deklaratave që cenojnë dinjitetin e personave LGBTIQ+.
“Të jesh neutral nuk do të thotë të vendosësh përballë njëri-tjetrit të drejtat e njeriut dhe gjuhën e urrejtjes.”
Në disa raste, aktivistët refuzojnë të marrin pjesë në debate televizive kur paneli është i ndërtuar për përplasje dhe jo për diskutim të balancuar.
“Kur një panel është i ndërtuar në mënyrë që të drejtat LGBTIQ+ të jenë target i linçimit dhe sulmit verbal, aty nuk ka debat, por sulm ndaj një grupi të margjinalizuar,” – thotë ai.
Pjesëmarrja e anëtarëve të komunitetit në debate publike nuk lidhet gjithmonë me hapësirën. Të stigmatizuar dhe të gozhduar me mesazhe urrejtjeje, anëtarët e komunitetit refuzojnë të ndajnë opinionet e tyre në hapësirë publike.
“Fatkeqësisht, çdo herë e më shumë jemi duke vërejtur normalizimin e gjuhës së urrejtjes, degradimin dhe linçimin e personave queer nëpër emisione të ndryshme,” – thotë Blert Morina nga CEL.
Sipas tij, edhe kur përdoret gjuhë fyese ndaj komunitetit, moderatorët apo produksionet rrallë reagojnë.
“Në raste të tilla duhet të paktën mysafirit/es që përdor gjuhë jo korrekte gjatë emisionit t’i kërkohet të largohet nga emisioni. Fakti që vazhdohet t’u jepet hapësirë personave që përdorin gjuhë të tillë e forcon idenë që disa nga mediat nuk e përmbajnë në nivelin e duhur etikën e raportimit.”
Morina shton se në shumë raste produksionet nuk marrin masa për sigurinë e personave që marrin pjesë në emisione, edhe kur përballen me sulme online.
“Produksionet nuk ndodh asnjëherë të kontaktojnë për t’u siguruar që i/e ftuari/a është në hapësirë të sigurt. Madje edhe kur reagojmë për përdorimin e fotografive pa leje apo për komentet me gjuhë urrejtjeje, ato nuk largohen,” – theksoi ai.
Trajtimi joprofesional i këtyre temave vetëm sa i forcon stereotipet dhe legjitimon sulmet ndaj komunitetit LGBTIQ+.
Abuzimi i sferës online dhe nxjerrja e përmbajtjes nga konteksti është sindrom i konstatuar tashmë në dhjetra raste në Kosovë. Arbër Nuhiu konstaton se klipet e shkëputura nga debatet televizive që shpërndahen në rrjete sociale shpesh nxjerrin vetëm momentet më konfliktuale, duke rritur agresivitetin ndaj komunitetit.
“Fragmentet që shpërndahen në rrjete sociale zakonisht nxjerrin momentet më konfliktuale. Kjo mund të rrisë agresivitetin online dhe të ndikojë edhe në jetën reale.”
Nga ana tjetër, sociologu Labinot Kunushevci thotë se debatet rreth temave që lidhen me seksualitetin në shoqërinë shqiptare shpesh zhvillohen në mënyrë të polarizuar. Sipas tij, këto tema shpesh shoqërohen me tabu, paragjykime dhe tensione kulturore.
“Shoqëria shqiptare ende nuk është e përgatitur të debatojë në mënyrë të matur dhe pa paragjykime për tema që lidhen me seksualitetin, ndërsa emancipimi i një shoqërie matet nga mënyra se si ajo sillet ndaj diversitetit,” - thotë Labinot Kunushevci, sociolog.
Përfaqësimi i komunitetit LGBTIQ+ në media mbetet një çështje e rëndësishme për mënyrën se si shoqëria e kupton dhe e diskuton diversitetin. Ekspertët theksojnë se media mund të luajë rol të rëndësishëm në informimin e publikut dhe në ndërtimin e një debati të balancuar, por gjithashtu mund të thellojë ndarjet nëse temat trajtohen në mënyrë sensacionale.
Në këtë kontekst, përfaqësimi i personave LGBTIQ+ në televizionet në Kosovë mbetet një fushë ku ndërthuren dukshmëria, debati publik dhe përgjegjësia mediale për të trajtuar tema të ndjeshme me profesionalizëm dhe respekt për dinjitetin njerëzor.
Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit “Reporting ëith Pride” nga Instituti Sekhmet në bashkëpunim me Kallxo.com. Projekti mbështetet nga Bashkimi Europian përmes Reporting Diversity Netëork.