
Ballafaqimi me krimet me motive të orientimit seksual – sfidë për drejtësinë
Besian Beha

Kur kanosen dhe sulmohen personat nga komuniteti LGBTIQ+ vetëm për shkak të orientimit seksual, është drejtësia ajo që duhet të ofrojë shpresë. Pavarësisht kritikave, institucionet theksojnë se këto raste i trajtojnë me prioritet.
Ishte janari i vitit 2024 kur Fabiani* u njoh me një person në një aplikacion. Ata u takuan dy herë, por takimi i tretë ishte fatal për të. Nga personi me të cilin po komunikonte, Fabianit* iu ngrit një kurth. Ai u rrëmbye, u rrah dhe u maltretua për orë të tëra. Gjykata konstatoi në fund se arsyeja e këtij sulmi ishte orientimi seksual i Fabianit (emri i të cilit është anonim për shkaqe konfidenciale). “Ky person kishte problem me pranimin e orientimit të tij seksual dhe gjithë mllefin dhe urrejtjen ndaj personave LGBTIQ+ e shfryu tek unë”, thotë ai.
Pas sulmit të parë, të dyshuarit kishin vazhduar edhe me sulme të tjera – një sindromë e zakonshme që synon t’i frikësojë viktimat për të mos raportuar.
Para një situate të tillë, Fabiani thotë se kishte vetëm dy opsione: ose t’i jepte fund jetës, ose ta paraqiste rastin në Policinë e Kosovës.
Me shumë hezitim, ai thotë se zgjodhi këtë të dytën, pavarësisht se shprehet se kishte mosbesim, të cilin vazhdon ta ketë edhe sot. “Nuk kam qenë aspak i sigurt, madje edhe sot kam pasigurinë time”, shprehet ai, duke theksuar se ruajtja e privatësisë ka qenë një nga arsyet kryesore për mungesën e besimit.
Rasti i Fabianit vazhdoi me hetime nga Prokuroria, u ngrit aktakuza dhe procesi gjyqësor vazhdoi në Gjykatë. Pas shqyrtimit gjyqësor, fillimisht tre të akuzuarit u dënuan me gjithsej 14 vjet e pesë muaj burgim. Megjithatë, rasti u kthye në rigjykim.
Procedura përfundoi kur të akuzuarit pranuan fajësinë dhe arritën marrëveshje për pranim fajësie. Ata u dënuan me 9 vjet e 5 muaj burgim: njëri prej të akuzuarve me 3 vjet e gjysmë, ndërsa dy të tjerët me nga tri vjet.
Për avokatin Alban Krasniqi, i cili e ka mbrojtur viktimën në këtë rast, arritja më e madhe është se gjykata e ka marrë si rrethanë rënduese motivin e sulmit. “Gjykata e kualifikoi veprën si më të rëndë pikërisht sepse ishte e motivuar nga orientimi seksual i viktimës, duke vendosur kështu një standard të ri në jurisprudencën tonë”, thotë Krasniqi.
Sqarimi i motivit te krimet e urrejtjes është qenësor në çdo proces, por hulumtimet e organizatave të shoqërisë civile kanë konstatuar se në rastet e dhunës në familje motivet shpesh nuk zbardhen. Nw 9 raste tw audituara BIRN gjeti qw standardet minimale tw hetimit nuk u zbatuan.
Sipas Kodit Penal, rastet e dhunës në familje janë procese gjyqësore të mbyllura. Megjithatë, jo gjithmonë dhuna ndodh brenda familjes. Sulmet ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTIQ+ ndodhin edhe nga akterë të jashtëm.
Ruajtja e privatësisë është njëra prej sfidave në këto situata. Për të garantuar mbrojtjen e identitetit, gjykata kishte dhënë një urdhër për mbrojtjen e identitetit të Fabianit, mirëpo avokati Krasniqi identifikon disa raste kur identiteti u zbulua.
“Për shembull, kemi pasur sfida absurde në hyrje të gjykatës: përkundër faktit se ekzistonte një urdhër gjyqësor për mbrojtjen e identitetit të Fabianit, sigurimi i gjykatës insistonte në dorëzimin e letërnjoftimit të tij”, thekson më tej avokati Krasniqi. Brenda gjykatës nuk ka ndonjë rregull që përjashton raste të tilla.
Sfida tjetër ishin ndikimet nga familjarët e të akuzuarve. “Sfidë tjetër alarmante ishte tentativa për ndërhyrje jashtëgjyqësore. Familjarët e të pandehurve kishin arritur të identifikonin familjen e Fabianit dhe dërguan një person të ndërmjetëm për ta ‘këshilluar’ atë që ta mbyllte rastin”, thotë më tej avokati.
Organizata CSGD, që ofron mbështetje për personat nga komuniteti LGBTIQ+, ka theksuar se gjendja e Fabianit* ka qenë e rënduar dhe se ai kishte marrë trajtim te psikiatri, përpara se të adresonte rastin në institucione. “Ka qenë i traumatizuar dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore te psikiatri. Fatmirësisht, psikiatrja që e ka trajtuar Fabianin ka ofruar shërbime psikiatrike për personat LGBTIQ+ nëpërmjet marrëveshjes që ka me CSGD. Ajo menjëherë na ka kontaktuar dhe ne e kemi vënë në kontakt me avokatin tonë”, thuhet në përgjigje.
Hetimi i rasteve ku viktima janë personat nga komuniteti LGBTIQ+
Në qershor të vitit 2025, dy aktivistet Arlinda Morina dhe Uresa Ahmeti dorëzuan kallëzim penal kundër një personi që i kishte kërcënuar në rrjete sociale, vetëm për shkak të orientimit seksual dhe në lidhje me organizimin e Paradës së Krenarisë. (Citimi i kërcënimit ruhet si në origjinal.)
Aktivistja Arlinda Morina ka thënë se nuk është ftuar për intervistim lidhur me këtë rast, duke shtuar se edhe brenda institucioneve ka persona me mendime të ngjashme me kërcënuesin. “Ende nuk ka mbërritur të shqyrtohet lënda. Na shohin sikur njerëz të ardhur nga Marsi; iu duket komedi. Ne jemi viktima të planetit Tokë, sepse standardet e kësaj shoqërie nuk janë të ndërtuara për ne. Iu dukemi as mish, as peshk”, thotë ajo.
Të pyetur lidhur me këtë rast, Policia dhe Prokuroria kanë dhënë detaje. Sipas Policisë së Kosovës, pas pranimit të kallëzimit penal kanë nisur hetimet dhe më 2 korrik 2025 e kanë dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Ndërsa kjo e fundit ka bërë të ditur se aktakuzën kundër të dyshuarit e ka ngritur më 31 korrik për veprën penale të kanosjes. Megjithatë, nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka pasur përgjigje lidhur me vijimin e procesit gjyqësor.
Raste të tilla janë të shpeshta. Në shtator të vitit 2023, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj një të dyshuari që kishte planifikuar të kryente sulm terrorist ndaj personave të komunitetit LGBTIQ+. Ai u dënua më pas me tre vjet e gjysmë burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dhe aktgjykimi u vërtetua edhe nga shkallët e tjera të gjykatave.
Sipas një raporti nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thuhet se në këtë rast gjykata nuk kishte vënë theks të mjaftueshëm në rrethanat konkrete. “Edhe në këtë rast, aktgjykimi vetëm i ka listuar këto rrethana, pa dhënë arsyetim mbi aplikimin e tyre në rastin konkret...”, thuhet në raport.
Në fakt, theksimin e arsyeve konkrete dhe marrjen parasysh si rrethanë rënduese të motiveve të orientimit seksual e thekson edhe Zyra e Avokatit të Popullit. Sipas tyre, aspekti ligjor në Kosovë e mundëson këtë, por rastet shpesh nuk raportohen që në fillim si krime të urrejtjes.
“Megjithatë, u vërejt se rastet nuk regjistrohen dhe nuk trajtohen që në fazën fillestare si dhunë e motivuar nga orientimi seksual ose identiteti gjinor...”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës thekson se rastet e sulmeve dhe kanosjeve ndaj personave të komunitetit LGBTIQ+ trajtohen me prioritet dhe se motivet merren parasysh si rrethana rënduese, në përputhje me Kodin Penal dhe Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Trajtimi i këtyre rasteve mbetet sfidë. Për këtë arsye, organizatat që mbështesin komunitetin LGBTIQ+ kanë kërkuar fuqizimin e mekanizmave ligjorë: ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale për të garantuar konfidencialitetin, përmirësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, hartimin e procedurave standarde për rastet e nxitjes së urrejtjes, trajnime shtesë për gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe forcimin e masave për privatësi dhe raportim.
Ilustrimi: Zana Begolli
Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit “Reporting with Pride” nga Instituti Sekhmet në bashkëpunim me Kallxo.com dhe është përkrahur nga Bashkimi Evropian përmes Reporting Diversity Network.