top of page
Jeta në ambientin që imponon ankth dhe frikë nga çdo ngjarje

Anita Nikaj

Kultura dhe ambienti familjar në të cilin çdo festë do shënohej me partnerët dhe presioni për të sjellë partnerin në shtëpi e kishin vendosur në një situatë ankthi Lizën, një vajzë e cila kishte një lidhje dashurie me një vajzë tjetër. Ajo u trajtua nga një psikolog për të arritur të përballonte presionin i cili ishte i përditshëm për të sjellë në familje partnerin e saj.

Ankthi është sfida më e madhe me të cilën përballen anëtarët e komunitetit LGBTIQ+.
Në një ambient ku diskursi publik dhe ai politik është plot sulme ndaj anëtarëve të komunitetit, reflektimi fillestar është frika dhe ankthi.

Një hulumtim i realizuar në vitin 2025, i cili analizonte diskursin publik në zgjedhjet e shkurtit 2025, identifikoi gjuhë të papërshtatshme që prodhon urrejtje ndaj komunitetit LGBTIQ+. Kjo urrejtje e normalizuar në diskursin publik dëshmohet statistikisht se krijon probleme serioze në gjendjen emocionale të anëtarëve të komunitetit.

Në mes të vitit 2024–2025, 132 anëtarë të komunitetit ndoqën një program trajtimi nga psikologë dhe psikiatër. Programi, i organizuar nga CEL Kosova, rezultoi me një analizë të thelluar të problemeve që anëtarët përjetojnë.

Të dhënat tregojnë se ankthi është sfida më e përhapur e shëndetit mendor, duke prekur 24.7% të pjesëmarrësve. Kjo kategori përfshin jo vetëm ndjenjat e përgjithshme të ankthit, por edhe sulmet e panikut dhe çrregullimin e përgjithshëm të ankthit.

Stresi shfaqet si problemi i dytë më i përhapur, i raportuar nga 12.9% e pjesëmarrësve, ndërsa depresioni renditet i treti, duke ndikuar në 12.1% të pjesëmarrësve. Depresioni karakterizohet nga ndjenja melankolie, një trishtim i thellë dhe i vazhdueshëm që shpesh ndërhyn në funksionimin e përditshëm.

Sfida të tjera të dukshme përfshijnë mungesën e motivimit (9.7%) dhe vetëbesimin e ulët (7.6%).

Në disa përllogaritje përfshihet edhe një deklarim i kryeministrit Albin Kurti, sipas të cilit 1 në 10 persona në Kosovë është pjesëtar i komunitetit LGBTIQ+. Komuniteti, i cili mbledh dhjetëra mijëra njerëz në jetën e përditshme, është i bullizuar, stigmatizuar dhe nën presion të lartë shoqëror.

Nga ky presion, Liza, një vajzë nga Kosova e cila ndan rrëfimin e saj, ishte obliguar të kërkonte ndihmë tek psikologu. Por edhe aty ajo u detyrua të mbante të fshehur faktin se partnerja e saj ishte një vajzë.

“Pothuajse për 6 muaj, në diskutimet me psikiatrin, kur kam biseduar për partneren time, i jam referuar si djalë. Nuk e di pse, mirëpo jam frikësuar se mos po paragjykohem nga psikologu, mos po e ndërpren seancën apo edhe më e keqja, çka nëse i tregon ndokujt për mua”, rrëfen Liza.

CEL Kosova (Center for Equality and Liberty), organizatë e cila ofron një program të mbështetjes me profesionistë shëndetësorë për anëtarët e komunitetit LGBTIQ+, konstaton se në shërbimet publike anëtarët sfidohen nga frika e ekspozimit dhe diskriminimi.

“Bazuar në raportimet individuale që kemi pranuar ndër vite, disa persona queer kanë përjetuar mungesë ndjeshmërie apo mirëkuptimi në ndërveprime të caktuara me institucione publike. Kjo tregon nevojën për trajnime të vazhdueshme dhe ndërtim kapacitetesh në fushën e ndjeshmërisë dhe përfshirjes”, deklaruan nga CEL.

Në ambientin e kontaminuar të vendit, anëtarët e komunitetit LGBTIQ+ përballen edhe me komente të cilat janë përditshmëri e zhargonit të të folurit. Këto komente kanë ndikim të hatashëm në anëtarët e padeklaruar.

“Saherë kam dëgjuar në rreth komente antagoniste kundrejt komunitetit, gjithmonë më ka ardhur mundim në lukth, sepse më është dukur sikur po flisnin direkt për mua. Vazhdon të jetë ende e vështirë, por mendoj që për mua kanë ndryshuar shumë gjëra kur ia kam pranuar vetes ‘queerness’”, rrëfen Fitorja, një anëtare tjetër e komunitetit.

Trajtimi i problemeve psikologjike të cilat krijohen nga presioni shoqëror është sfidues edhe për anëtaren tjetër, Meritën.

“Mosbesimi në konfidencialitet, sidomos në komunitete të vogla, e përforcon këtë ndjenjë pasigurie. Përveç kësaj, qasja e kufizuar në shërbime cilësore, sidomos jashtë Prishtinës, dhe kostoja e terapisë private janë barriera reale”, thotë Merita.

Ajo rrëfen se jeton përherë në një ankth të pashpjegueshëm i cili vjen nga ndikimi i ambientit.

“Burimet kryesore të stresit e ankthit për mua lidhen shumë me përvojën time si person queer në një shoqëri që shpesh është armiqësore për identitete që nuk janë normë. Jetoj me një ndjenjë të përhershme vigjilence, gjithmonë duke u vetëkontrolluar, duke menduar ku jam, me kë jam, si flas, si dukem. Kjo të lodh shumë. Shpesh e ndjej frikën e refuzimit, gjykimit dhe keqkuptimit, edhe në hapësira që duken të pranueshme”, deklaroi Merita.

Jo rrallëherë, pjesëtarët e komunitetit të vetmen mbështetje e gjejnë tek personat e tjerë queer apo edhe aleatët e komunitetit, të cilët në një formë janë bërë familja e tyre e dytë. I vetmi vend ku ata shprehin hapur seksualitetin e tyre janë grupet e vogla homogjene.

“Po të mos ishte shoqëria ime, unë ndoshta nuk do të arrija këtu ku jam. Shumë herë kam menduar për vetëvrasje, si e vetmja alternativë për të dalë nga kjo gjendje. Nuk e kam menduar se një ditë do të dal nga fshati e as se do të gjej një punë. Por, mbi të gjitha, një partnere dhe një grup njerëzish të cilët do të më mbështesin e pranojnë ashtu siç jam”, thotë Liza.

Liza* nuk është e vetmja e cila ka kaluar kohë të errëta brenda vetes. Edhe shumë pjesëtarë të komunitetit, në raste të ndryshme, të vetmen zgjidhje afatgjatë e shohin në mendimet për vetëvrasje. Disa vite më parë, një grua transgjinore “Ana” kishte kryer vetëvrasje, gjë që ka tronditur të gjithë komunitetin.

Në anën tjetër, institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës nuk kanë të dhëna për gjendjen shëndetësore të anëtarëve të komuniteteve LGBTIQ+ në terren, gjë që ua rëndon edhe më shumë gjendjen mendore.

“Nevoja për shërbime është e lartë. Aktualisht, qasja në shërbime është më e përqendruar në kryeqytet, ndërsa personat LGBTI+ në qytete të tjera përballen me sfida shtesë për shkak të distancës, anonimitetit dhe kontekstit më konservativ lokal. Zgjerimi i shërbimeve në nivel lokal do të rriste qasjen dhe do të forconte mbështetjen për komunitetet jashtë Prishtinës”, thonë nga CEL.

Edhe pse organizatat për shëndetin mendor, por edhe ato që merren drejtpërdrejt me komunitetin LGBTQ+, vazhdimisht e theksojnë nevojën për shërbime psikologjike pa pagesë, këto shërbime mbesin të kufizuara.

Sipas Bind Skejës, nga QIPS (Qendra për Informim dhe Përmirësim Social), mungesa e të dhënave nga institucionet zyrtare krijon boshllëqe të mëdha.

“Realisht, institucionet kosovare nuk mbledhin të dhëna rreth shëndetit mendor. Nuk kemi informata se sa persona janë të diagnostikuar me depresion, skizofreni apo çrregullime të ankthit. Dokumentacioni demografik nuk përfshin orientimin seksual dhe identitetin gjinor”, thotë Skeja.

Ai shton se diskriminimi i vazhdueshëm është një faktor kyç që ndikon në shëndetin mendor dhe rrit rrezikun për vetëvrasje.

Të dalurit hapur – vetëm një ëndërr e largët

“Sa herë jam nisur që t’u tregoj familjarëve të mi, kjo dëshirë është duke u shuar. Nuk mendoj se do ta bëj ndonjëherë”, thotë Liza.

Frika nga mospranimi është e lartë dhe shpesh lidhet me rrezikun e përjashtimit nga familja.

“Unë publikisht qëndroj ende ‘në dollap’, për shkak të familjes. Për hir të dashurisë ndaj tyre, kam vendosur ta mbaj veten të fshehtë”, thotë Filloreta.

Për shumë persona, të dalurit hapur mbetet një vegim i largët, ndërsa hapësirat e vetme ku ndihen të sigurt janë rrethet e vogla shoqërore.

“Ekzistojnë disa hapësira ku ndihem e pranuar. Aty mund të jem vetja”, thotë Merita.

Emrat e personave të përfshirë në këtë artikull janë ndryshuar për të ruajtur identitetin e tyre.

 

Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit “Reporting with Pride” nga Instituti Sekhmet në bashkëpunim me Kallxo.com.  Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Reporting Diversity Network.

 © SEKHMET INSTITUTE 

  • instagram
  • facebook
bottom of page