top of page
Bllokada në reforma e trajtimit social të anëtarëve të komunitetit LGBTI+
Mihane Hoxha

Mbështetja sociale për personat LGBTI+ në Kosovë vazhdon të kritikohet për mungesën e strehimoreve të përshtatshme për viktimat e dhunës dhe të procedurave të posaçme për trajtimin e rasteve të tyre. Pavarësisht rekomandimeve evropiane dhe kërkesave të shoqërisë civile, Qendrat për Punë Sociale ende nuk i kanë zbatuar këto procedura, gjë që konfirmohet edhe nga zyrtarët përgjegjës.

Qendrat për Punë Sociale janë institucione me kompetenca ligjore për të ofruar ndihmë për viktimat e krimit dhe për qytetarët që përballen me probleme sociale.

Në kuadër të kompetencave të tyre, këto qendra trajtojnë rastet e dhunës, situatat e ndarjes së çifteve, dhunën ndaj fëmijëve dhe delikuencën e të miturve, si dhe mbikëqyrin zbatimin e masave mbrojtëse. Si mekanizma në nivel lokal, ato kanë kompetencë të ofrojnë edhe mbështetje financiare dhe psikologjike për viktimat.

Në vitin 2025, Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova) publikoi një manual, në të cilin kërkohet që Qendrat për Punë Sociale të kenë protokolle të veçanta për trajtimin e rasteve që përfshijnë persona nga komuniteti LGBTI+.

Më herët, në vitin 2010, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës kishte miratuar një rekomandim të veçantë, i cili u kërkon shteteve anëtare t’i kushtojnë vëmendje të veçantë trajtimit dhe strehimit të personave LGBTI+.

Megjithatë, në Kosovë, procedurat e Qendrave për Punë Sociale vazhdojnë të mbështeten në standardet e përgjithshme, pa protokolle të posaçme për këtë komunitet.

Konfirmimet zyrtare tregojnë se në Prishtinë, Gjakovë dhe Pejë nuk ekziston një protokoll i veçantë i brendshëm për trajtimin e rasteve që përfshijnë persona nga komuniteti LGBTI+.

Ish-drejtori i QPS-së në Prishtinë, Vebi Mujku, thotë se gjatë kohës së drejtimit të tij Qendra ka pranuar një numër të konsiderueshëm të rasteve nga komuniteti LGBTI+, jo vetëm nga Prishtina dhe komunat e tjera të Kosovës, por edhe nga vende jashtë Kosovës.

Megjithatë, edhe në Prishtinë këto raste janë trajtuar përmes procedurave ligjore të përgjithshme.

“Rastet janë trajtuar si viktima të ndjeshme, duke e ndjek procedurën ligjore, por pa ndonjë specifik të veçantë në mungesë të protokolleve të veçanta”, thotë Mujku.

E njëjta mungesë konfirmohet edhe në Gjakovë dhe Pejë. Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjakovë, Lulzim Goqi thotë se QPS-ja e Gjakovës nuk ka protokoll, udhëzim apo procedurë të veçantë të brendshme, ndërsa QPS-ja e Pejës thotë se operon me të njëjtat standarde sikurse me rastet e tjera.

Në Pejë, megjithatë, Albulena Mujaj – Bajraktaraj nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale thekson se personat nuk paragjykohen për shkak të orientimit seksual dhe se prioritetet përcaktohen në bazë të vlerësimit të menaxherit të rastit.

Pra, në të tri Qendrat, rasti trajtohet brenda sistemit ekzistues social, por pa një protokoll të dedikuar për komunitetin LGBTI+.

Trajnime ka pasur, por jo për të gjithë dhe jo gjithmonë kanë mbetur në institucion

Dallimi mes këtyre Qendrave shfaqet te përgatitja e stafit.

Në Prishtinë, sipas Mujkut, janë zhvilluar dy trajnime me një pjesë të stafit të QPS-së, ku janë diskutuar praktikat më të mira për trajtimin e rasteve LGBTI+. Trajnimet nuk kanë përfshirë të gjithë stafin, për shkak të hapësirës dhe numrit të kufizuar të pjesëmarrësve.

Në Gjakovë gjithashtu ka pasur trajnime specifike, të organizuara nga CSGD, për komunikimin dhe trajtimin e rasteve të personave LGBTI+.

Por këtu del një problem tjetër: zyrtarët që kanë marrë këto trajnime nuk janë më pjesë e stafit aktual të QPS-së në Gjakovë.

Kjo e bën situatën të ndryshme nga ajo në Prishtinë, ku Mujku thotë se një pjesë e stafit është trajnuar, por njëkohësisht thekson se jo të gjithë kanë marrë trajnime.

Në Pejë, ndërkaq, përgjigjja është më e drejtpërdrejtë: nuk ka pasur trajnime specifike për komunikimin dhe trajtimin e rasteve LGBTI+.

Mujaj-Bajraktaraj thotë se nevojiten trajnime të përgjithshme për trajtimin e rasteve, veçanërisht për evidentimin e saktë të problemit dhe mënyrën më të përgjegjshme të zgjidhjes së tij.

Edhe Goqi e sheh trajnimin si nevojë, duke theksuar se një pjesë e stafit aktual ka përvojë relativisht të shkurtër në punë, rreth një deri në dy vjet.

 

 

Prishtina flet për numër të konsiderueshëm, Gjakova dhe Peja për raste të veçuara

Dallimi mes Qendrave bëhet edhe më i dukshëm kur flitet për rastet konkrete.

Mujku thotë se në QPS-në e Prishtinës janë paraqitur një numër i konsiderueshëm rastesh nga komuniteti LGBTI+, përfshirë raste nga Prishtina, komunat e tjera të Kosovës dhe vende jashtë Kosovës.

Sipas tij, shumica e rasteve kanë qenë të natyrës së dhunës në familje, diskriminimit, refuzimit nga familja dhe të pastrehët.

Në Gjakovë, ndërkaq, Goqi tregon pwr njw rast ku qendra kishte arritur qw nw mwnyrw tw sukseswshme ta ndihmonte njw tw mitur. SIpas Goqit i mituri ishte larguar nga familja por me mbwshtetjen e QPS-sw ai u kthye nw shtwpi dhe nga monitorimet tregohet se pas kthimit nuk janë evidentuar probleme sociale në raport me familjen apo rrethin ku i mituri jeton dhe vepron.

Edhe QPS-ja e Pejës raporton vetëm një rast gjatë viteve të fundit, duke thënë se ai është trajtuar me përgjegjësi të plotë dhe se nuk është evidentuar ndonjë problematikë që vlen të theksohet.

​

​

Kur dhuna dhe refuzimi familjar bëhen pjesë e rastit

Rastet që përmenden nga Mujku tregojnë se problemet me të cilat mund të përballen personat LGBTI+ nuk janë vetëm çështje identiteti, por mund të lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe mirëqenien sociale.

Në Prishtinë, sipas tij, janë trajtuar raste të dhunës në familje, diskriminimit, refuzimit nga familja dhe pastrehësisë.

Poashtu, Goqi thotë se në rastet kur një person LGBTI+ paraqitet si viktimë e dhunës në familje, diskriminimit, refuzimit nga familja ose problemeve të tjera sociale, Qendra merret me menaxhimin dhe trajtimin e rastit, duke ofruar shërbimet përkatëse sociale dhe profesionale.

Qëllimi, sipas Goqit, është mbështetja e personit dhe, kur është e mundur dhe në interesin e tij, integrimi në familje ose shoqëri.

Kurse, Mujaj-Bajraktaraj thotë se edhe këto raste trajtohen me procedura të standardit të njëjtë si rastet e tjera dhe se personat nuk paragjykohen për shkak të orientimit seksual.

Por pikërisht këtu ekspertët shohin nevojën për një qasje më të specializuar.

​

​

Mungesa e trajnimeve mund të sjellë “traumë të dytë”

Sociologia Flakë Ymeri vlerëson se QPS-të në Kosovë kanë përgjegjësi për trajtimin e rasteve LGBTI+, por nuk janë të gjitha njësoj të përgatitura profesionalisht.

“Ekziston një hendek ndërmjet përgjegjësisë ligjore dhe kapaciteteve të specializuara në terren”, thotë ajo.

Sipas saj, punonjësit socialë kanë nevojë për trajnime mbi orientimin seksual dhe identitetin gjinor, komunikimin jodiskriminues, konfidencialitetin, dhunën në familje ndaj personave LGBTI+, rastet e të miturve dhe referimin drejt shërbimeve të specializuara.

Mungesa e kësaj përgatitjeje, thotë sociologia Ymeri, mund të sjellë trajtim të pabarabartë, përdorim të gjuhës paragjykuese, vendimmarrje të ndikuar nga stereotipet, por edhe mosidentifikim të rreziqeve si dhuna, abuzimi apo dëbimi nga familja.

“Një person që tashmë ka përjetuar dhunë, refuzim familjar apo diskriminim mund të ndihet i gjykuar ose i fajësuar edhe në institucionin ku kërkon ndihmë. Kjo mund të kthehet në një ‘traumë të dytë’”, shpjegon Ymeri.

Ajo e veçon edhe konfidencialitetin, pasi zbulimi i panevojshëm i orientimit seksual apo identitetit gjinor mund të ketë pasoja familjare, sociale dhe të sigurisë.

Sipas saj, rastet që përfshijnë dhunë, kërcënime, përndjekje, izolim të rëndë, dëbim nga shtëpia, rrezik për vetëlëndim ose cenim të sigurisë së fëmijës nuk duhet të trajtohen vetëm si çështje disiplinore në shkollë.

“Në raste të tilla duhet të aktivizohet mekanizmi për mbrojtjen e fëmijës dhe, varësisht nga rrethanat, të përfshihet QPS-ja dhe institucionet e tjera relevante”, thotë ajo, duke iu referuar edhe rëndësisë që UNICEF-i i kushton mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna fizike dhe psikologjike.

 

 

“Kanë nevojë mbi të gjitha për siguri dhe pranim”

Psikologia Rrezarta Sadiku – Hysa thotë se mënyra se si personat LGBTI+ priten në institucion është thelbësore për trajtimin e tyre.

“Kanë nevojë mbi të gjitha për siguri, pranim, mbështetje emocionale, respekt dhe një hapësirë ku mund të flasin lirshëm pa u gjykuar apo diskriminuar”, thotë ajo.

Sipas psikologes Sadiku – Hysa, diskriminimi, refuzimi familjar dhe gjuha e urrejtjes mund të shkaktojnë stres, ankth, depresion, izolim dhe ulje të vetëvlerësimit.

“Ndikimi mund të jetë edhe më i madh te të rinjtë, pasi ata janë në një fazë të rëndësishme të formimit të identitetit”, thotë ajo.

Për këtë arsye, psikologia Sadiku – Hysa kërkon që punonjësit socialë të kenë trajnime për komunikim gjithëpërfshirës, respektimin e identitetit, konfidencialitetin, identifikimin e diskriminimit dhe dhunës, si dhe për referimin e personave te shërbimet psikologjike kur është e nevojshme.

“Trajtimi nuk duhet të kufizohet vetëm te problemi social i paraqitur, por duhet të merret parasysh edhe gjendja emocionale, siguria dhe nevoja e personit për mbështetje profesionale”, thekson psikologia.

Mungesa e protokolleve të veçanta, trajnimeve të vazhdueshme dhe shërbimeve të përshtatura për nevojat e personave LGBTI+ tregon se, pavarësisht përgjegjësive ligjore, Qendrat për Punë Sociale në Kosovë ende përballen me sfida në ofrimin e mbështetjes së specializuar. Trajtimi i këtyre rasteve sipas procedurave të përgjithshme nuk garanton domosdoshmërisht identifikimin e rreziqeve specifike me të cilat përballen personat që përjetojnë dhunë, refuzim familjar, diskriminim apo mbetje pa strehim.

Për të siguruar mbrojtje efektive, nevojitet që institucionet të kalojnë nga trajtimi formalisht i barabartë në një qasje që merr parasysh nevojat dhe rreziqet konkrete të secilit person. Kjo kërkon protokolle të qarta, trajnime të vazhdueshme për stafin, respektim të konfidencialitetit dhe bashkëpunim me organizatat që ofrojnë shërbime të specializuara

Ky artikull është zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Sekhmet, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, përmes projektit “Lufta kundër diskriminimit dhe urrejtjes”, që është pjesë e programit të përbashkët “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.

​

​

Artikulli po ashtu është publikuar në Kallxo.com: https://kallxo.com/komuna/analize-komuna/bllokada-ne-reforma-e-trajtimit-social-te-anetareve-te-komunitetit-lgbti/ 

​

Ky artikull është zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Sekhmet, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, përmes projektit "Lufta kundër diskriminimit dhe urrejtjes", që është pjesë e programit të përbashkët "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë".

 © SEKHMET INSTITUTE 

  • instagram
  • facebook
bottom of page