top of page

A mjafton mbështetja personale pa mbështetjen publike nga subjekti politik PDK?

Është njëra ndër politikanet e pakta që njihet si mbështetëse e çështjeve dhe jetave të personave LGBTIQ+. Edhe pse  ka një prej pozitave më të rëndësishme në Partinë Demokratike të Kosovës, atë të nënkryetares, Vlora Çitaku nuk ka arritur që të ketë ndonjë plan konkret për të adoptuar politika mbështetëse e gjithëpërfshirëse për personat LGBTIQ+ përbrenda subjektit politik të cilit i takon.


Ndihet krenare që PDK është në procedurë të miratimit të Kodit të Etikës, i cili sipas saj do të jetë si Kushtetutë e operimit të strukturave dhe anëtarëve të partisë “ku janë të specifikuara sanksionet dhe mënyra e komunikimit dhe gjuha e papranueshme jo vetëm për komunitetin LGBT+ po për secilin”.


Në këtë intervistë për Institutin Sekhmet, Çitaku tregon se çka do të bënte ndryshe nëse do të ishte ne pozitën e kryeministres së Kosovës, kur bëhet fjalë për personat LGBTIQ+,  dhe inkurajon kolegët e saj politikanë që të dalin hapur në publik dhe të mbështesin personat LGBTIQ+.


Lexoni më poshtë intervistën.

Vlora Citaku (1).jpeg

Imazhi: Diplomatic Connections

Instituti Sekhmet: Si fillim, po du me të pytë për qëndrimin tënd personal. E dijmë, publikisht, por për nevojat e intervistës, me e nisë këtë muhabet me qëndrimin tënd personal karshi çështjeve dhe jetëve të personave LGBT+ në Kosovë...
 

Vlora Çitaku: Mund të them që kam qenë ndër politikanet e para që ka folë publikisht, dhe jo vetëm kam folur por edhe kam ndërmarrë hapa konkret në kohën kur kam qenë ministre e Integrimit Evropian, në përfshirjen e komunitetit LGBT+ në proceset e ndryshme politike dhe vendimmarrëse. Personalisht, unë mendoj që kur flitet për dashurinë, nuk duhet me bo pyetje. Secili prej nesh duhet me qenë i lirë me zgjedhë me jetu në mënyrën që e don vet, madje madje në Amerikë kërkimi i lumturisë është kategori politike, është në deklaratën e pavarësisë: secili njeri është i lirë, i barabartë dhe ka të drejtë ta kërkojë lumturinë e vet. Unë gjithmonë jam nisë nga ky orientim. Është për keqardhje që në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë, pa dashtë me e relativizu gjendjen jo të lehtë me të cilën përballet komuniteti LGBT+, mirëpo kudo në botë e posaçërisht edhe këtu te ne, kemi kaluar në dekadën e fundit dhe po vazhdojmë të kalojmë në një kohë kur po rriten ekstremet në shoqëri: ekstremet politike, kombëtare, e kështu me radhë. Në situata kur ka rritje të ekstremeve të ndryshme në shoqëri, grupet që më së shumti e pësojnë janë grupet e margjinalizuara, në këtë kontekst edhe komuniteti LGBT+. Unë shpresoj që jo larg nga tash do ta kemi një shoqëri e cila e reflekton frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sepse kjo kushtetutë në fundament e ka barazinë dhe mos-diskriminimin. Çfarë do të inkurajoja komunitetin LGBT+ është që edhe të jenë më të zëshëm e më kërkues nga partitë politike, të kërkojnë takime zyrtare me partitë politike, të kërkojnë nga subjektete politike plan dhe të imponohen në një mënyrë, të imponohen për të marrë hisen që ju takon në shoqëri. Unë e vërej edhe brenda familjes time politike, edhe brenda shoqërisë në përgjithësi, kjo është temë rreth së cilës nuk ka konsensus

 

Sekhmet: Qysh qëndron PDK, dhe a ka ardhë ky ekstremizëm politik – a e ka përfshi edhe partinë tënde?

 

Vlora Çitaku: Unë që të jem shumë e sinqertë jam ndjerë mirë kur e kemi diskutuar çështjen e Kodit Civil me kryesinë dhe grupin parlamentar. Zërat që kanë qendër kundër Kodit kanë qenë zëra pakicë, nuk kanë qenë zëra shumicë në lidershipin e PDK-së. Mirëpo, megjithatë, ndonjëherë pakica është më e zhurmshme, sesa shumica e heshtur. Problemi me mbështetjen ndaj komunitetit LGBT është që ata që e mbështesin janë të heshtur e ata që e kundërshtojnë janë shumë të zëshëm. Kështu që unë do t`i inkurajoja burrat dhe gratë në politikë, në institucione, që të flasin hapur. Unë e kam pa, për shembull, Kryeministri i Kosovës e përshëndetë Ditën kundër diskriminimit, apo edhe Paradën e Krenarisë vetëm në Twitter në gjuhën angleze, nuk e bën për audiencën vendore, ndërkohë që unë e bëj hapur, dhe dal në shesh. E di që ka shumë që e mbështesin komunitetin dhe të drejtat e tyre, mirëpo janë të heshtur. Ka një lloj mungese guximi për të dalur hapur në mbështetje të barazisë. 

Sekhmet: Këtë mbështetjen që e ke ti personalisht për shkak që je edhe me pozitë në parti, edhe je në krye të partisë, edhe këta zëra pak që janë negativë e që nuk janë në mbështetje, a keni ndonjë formë që si parti politike, së paku në publik, mos me dalë e me kriju gjuhë të urrejtjes qysh edhe ka ndodhë gjatë votimit të Kodit Civil?

Vlora Çitaku: Gjuha e urrejtjes duhet të jetë e papranueshme dhe e dënueshme në çfarëdolloj konteksti e rrethane, e posaçërisht ndaj një komuniteti që është i shtypur në shumë nivele, jo vetëm në hapësira publike por edhe në hapësira private, në ambientet ku do të duhej të ndiheshin më të sigurt pra – në shtëpitë e tyre. Shpeshherë ballafaqohen me stigmë e me shtypje, kështu që për këtë kategori patjetër që do të duhej të kërkohej kujdes i shtuar. Mirëpo, gjuha në Parlament ka degradu në çdo fushë: gjuha e njëjtë që përdoret për komunitetin përdoret për secilin, me një lehtësi të padurueshme thuhen akuza të mëdha: njerëzit quhen kriminela, hajna, tradhtarë, e të tjerë. Kështu që, fatkeqësisht, gjuha e urrejtjes që shfaqet drejt komunitetit LGBT nuk është ekskluzive, e njëjta gjuhë përdoret fatkeqësisht për këdo dhe për secilin me lehtë të padurueshme. Çdo ditë kemi në Kuvendin e Kosovës, edhe në mediat tona, ajo që duhet ‘character assassination’ – na ja u vrajmë karakterin njerëzve çdo ditë në hapësirat publike. Dhe kur ndodh kjo, dhuna fizike është hapi i dytë. Fjala ka peshë. Ne si subjekte politike, si institucione, si shoqëri, secili prej nesh, kemi për detyrë që të dalin e të flasim hapur dhe të jemi më të zëshëm, pa frikë, në mbështetje të komunitetit LGBT. Mirëpo, poashtu, në një parti politike është vështirë të diktosh qëndrim, dhe nuk mund t`ia imponosh as votën as mendimin asnjërit, por duhet të insistojmë te eliminimi i gjuhës së urrejtjes, e cila pashmangshëm nxitë dhunë.

 

Sekhmet: A keni forma, a ka një kod të etikës të cilit ju duheni me iu përmbajtë?

 

Vlora Çitaku: Ne e kemi përfunduar bashkë me NDI, jam krenare që PDK do të jetë partia e parë jo vetëm në Kosovë por edhe në hapësirat ballkanike, mos ta ekzagjëroj, që do të ketë të miratuar një kod etike i cili do të jetë si Kushtetutë e operimit të strukturave dhe anëtarëve të partistë tonë, dhe në atë kod të etikës i cili nuk është miratuar ende por e kemi përfunduar punën bashkë me NDI, janë të specifikuara sanksionet dhe mënyra e komunikimit dhe gjuha e papranueshme jo vetëm për komunitetin po për secilin.

 

Sekhmet: Çfarë sanksione?

 

Vlora Çitaku: Tash nuk mund të flas, se nuk e kemi miratu ende. Ka shumë propozime, aty janë marrë modelet dhe praktikat më të mira, janë komisionet e veçanta të cilat trajtojnë lëndën – secili ka të drejtë me ardhë me u anku. Nëse një zyrtar i PDK-së cënon dikë me gjuhë e me vepra po se po, do të ketë një adresë në PDK ku do të mund ta deponojnë kërkesën dhe një trup i pavarur nga Kryesia e PDK, do të vlerësojë rastin e do të ndërmarrë masa varësisht prej situatës. Gjuha e urrejtjes dënohet edhe me ligj, mirëpo problemin që e kemi ne si shoqëri është që nuk po arrijmë që gjërat të cilat janë ligjërisht të papranueshme t`i bëjmë edhe socially unnaceptable – të papranueshme në shoqëri, e ky është një proces i gjatë i edukimit.

 

Sekhmet: Na e shohim që në praktikë çalon kjo.

Vlora Çitaku: Këtu Kosova nuk është rast i veçantë, por procesi i shtetndërtimit është akt, miraton ligje, themelon institucione, krijon mekanizma, mirëpo ndërtimi i vlerave e kohezionit shoqëror nuk është akt, është proces që kërkon vetëdijësim shumë më të gjatë, avokim dhe kërkon guxim. E shpeshherë, te guximi, për të argumentuar e artikuluar politikat të cilat në një moment të caktuar mund të jenë jopopullore por të drejta, po na sjellë në situata kur kemi rritje të ekstremeve dhe gjuhës së urrejtjes.


Sekhmet: Ndalemi te guximi, sepse e përmende më herët, që vetë personat LGBT+ duhet me qenë më të zëshëm, me shty përpara procese.

 

Vlora Çitaku: Me ardhë, me trokitë në derë, jo vetëm të PDK-së por secilës...

 

Sekhmet: Po, por këtë e bëjnë edhe qytetarët tjerë...

Vlora Çitaku: E bojnë sindikatat, bizneset, grupet e ndryshme të interesit. Nuk është turp që të luftosh për të drejtat që të takojnë, dhe të trokasësh në secilën derë për të realizuar të drejtën tënde.

Sekhmet: Por, është e vështirë. Ne e kemi dërguar një kërkesë te shumë njerëz, kemi kqyrë forma të ndryshme se qysh me iu qasë kryetarëve të partive, kemi provu 4-5 muaj dhe kjo nuk është e mundur. Te çështjet LGBT+ ka një ngurrim...

 

Vlora Çitaku: Ka heshtje.

 

Sekhmet: Çka keni bo ju? Nëse e keni pa që këta qytetarë nuk janë të zëshëm dhe nuk vijnë?

Vlora Çitaku: Unë shkoj. Nuk jom une mostra reprezentative.

Sekhmet: Po mendoj, si parti?

Vlora Çitaku: Unë jam nënkryetare e partisë. Unë nuk e përfaqësoj vetëm veten, e përfaqësoj edhe subjektin politik, dhe kom shku gjithmonë dhe ju kam trokitë në derë, ju kam shku edhe në shtëpitë e sigurta, sigurisht këto s’i kam bo publike shkaku i ndjeshmërisë e sigurisë, por edhe në aktivitete publike edhe në lokalin që e kanë në Prishtinë - në Bubble, shkoj në mbrëmje poetike ndonjëherë, unë shkoj me vullnet, me dëshirë, por edhe me ndihmu, edhe me u mundu me normalizu praninë e njerëzve të profilit publik e politik në hapësira e komunitete të tilla. Fatkeqësisht, shpeshherë jom vet, ose ndonjëherë me dikë aty-këtu, mirëpo kjo nuk m`bon mu asnjëherë me heqë dorë. Fakti që unë kom marrë kërcënime fizike, jo një por shumë, veç pse kom dalë në Paradën e parë, fatkeqësisht kam qenë e vetme, ka pasë më shumë ambasadorë, kam marrë kërcënime fizike, kjo mu nuk m`ba bo me heqë dorë. Unë kom shku prapë, prapë, prapë, nuk bon me u zbraps, kur e din që është një e drejtë fundamentale e patjetërsueshme dhe secili prej nesh e kemi për detyrë me ju ndihmu, posaqësisht marrë parasysh që është komunitet që është i shtypur në shumë nivele.

Sekhmet: Qysh me e gjetë na, qysh me kopju Çitaku të tjera?

 

Vlora Çitaku: Pa dashtë me relativizu, është problem. Është problem edhe ne Gjermani, edhe në Amerikë, edhe sistemi dallon – shteti prej shtetit, qyteti prej qytetit. Por këtu në Kosovë ka mungesë guximi për të thënë dhe për të bërë gjënë e duhur, jo vetëm në raport me komunitetin LGBT+ por edhe në raport me komunitetet tjera jo shumicë. Unë e shoh se si trajtohen pjesëtarët e komunitetit rom, se si trajtohen pjesëtarët e komuniteteve tjera të margjinalizuara, nuk ka një nevojë për uniformitet, harrojnë që jeta është shumë ma e bukur kur ka ma shumë ngjyra, ngjyra të dashurisë, ngjyra të lëkurës, ma shumë ngjyra politike. Ma shumë ngjyra e bëjnë jetën më të bukur. Dhe ne që jemi straight nuk duhet me u ndi të rrezikuar – it’s about love. Nuk ma rrok, sinqerisht. Why are you afraid – that’s love.

 

Sekhmet: Një numër i njerëzve, e para, nuk janë të informuar, e plot nuk e dijnë as çka do të thotë LGBT+. E kemi bo një hulumtim me personat LGBT krahas daljes hapur të tyre me familjet e tyre. Këtu kemi mungesa sepse as media nuk po e kryen punën e vet, për me informu publikun, por kur vjen puna te partitë politike, fushatat politike, nuk ka përfshirje për të gjithë qytetarët pa dallim.

Vlora Çitaku: Jo nuk ka, shumë pak ka.

Sekhmet: Ndoshta shpesh kemi me i pasë edhe zgjedhjet e ardhshme. A i konsideron PDK me përfshi në programin e tyre, në planprogram? Cilat janë planet e juaja për personat LGBT+ në të ardhmen?

Vlora Çitaku: Planin zgjedhor nuk e kemi bo hala, por kurdo që të bëhet, ne si PDK dhe jo vetëm, secila parti politike në Kosovë e ka për detyrë që të luftojë për demokraci, gjithëpërfshirje, të drejta të barabarta, jo-diskriminim. Demokracia nuk ka kuptim kur ka përjashtim, nuk ka kuptim me përjashtim. Demokracia merr kuptim vetëm me gjithëpërfshirje, kështu që mendoj që e kemi për obligim që jo vetëm t`ju takojmë, por edhe të dëgjojmë nga ju se cila janë shqetësimet tuaja, se ndoshta ne nuk e dijmë më së miri se a bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor, a janë shtëpitë e sigurta, a janë linjat telefonike për kontakte në raste emergjente, cilat janë kërkesat e komunitetit. Këto nuk do të duhej t`ua diktojmë juve, dhe ne do të duhej të dëgjonim nga komuniteti se cilat janë ato shqetësime.

Sekhmet: A mundesh më pas me garantu që kur vjen në atë fazë, me dëgju, si parti politike. Çka keni me bo për zërat kundër?

 

Vlora Çitaku: Është normale me pasë zëra kundër.

 

Sekhmet: Por kur del në hapësirë publike, dhe kur del në deklarata publike...

Vlora Çitaku: Ka zëra kundër për gjithçka në Kosovë. Për çdo gjë ka zëra kundër. Mirëpo, ata zërat kundër nuk do të duhej asnjëherë të argumentojnë qëndrimet e tyre. Është në rregull me besu, beson njeriu, nuk i gjykoj. Ka të tillë me bindje shumë koservatore në shoqëri, ka të tillë në Gjermani e Amerikë e kudo edhe besojnë që martesa duhet të jetë veç mes burrit e gruas. Mbaje atë mendim, s`mundem me ta ndërru me dhunë. Mirëpo, kur argumenton për pozicionin tënd, duhet të jesh i kujdesshëm që në asnjë moment, në asnjë rrethanë, mos me përdorë gjuhë nxitëse, çfare e këmi dëgju në Parlamentin e Kosovës. Gjuhë e urrejtjes, gjuhë poshtëruese, gjuhë denigruese, e cila më pas mund të prodhojë edhe pasoja të tjera shumë të dëmshme e të rrezikshme për shoqërinë. Por, unë po insistoj që organizatat e ndryshme jo-qeveritare... Dëgjo, e kuptoj që beteja për barazi nuk i takon veç komunitetit, duhet të bëjmë të gjithë ne, njëjtë siç mendoj që beteja për barazi mes burrit e gruas nuk është veç betejë e grave, ajo është e përbashkët, e shoqërisë. Por nëse flasim realisht, duhet të ketë një organizim, kohezion më të madh edhe brenda OJQ, në mënyrë që të arrihen me u imponu ma shpejtë dhe ma lehtë nëpër partitë e ndryshme politike. Nuk është e lehtë, as nuk ka me u bo brenda ditës, as brenda muajit, e ndoshta as brenda vitit. Ne që nuk e kemi problem të flasim hapur në mbështetje të komunitetit, duhet të krijojmë më shumë aleanca me njëri-tjetrin përtej mospajtimeve që mund t`i kemi për çështje të tjera. 

Sekhmet: A mendon që një aleancë e tillë, një grup i veçantë në Kuvendin e Kosovës. Shembull, në vendet tjera janë kriju grupe për barazi gjinore, për shëndetësi, grupe të ndryshme. Maqedonia e ka shembull grupin – një grup mbështetës, mundohen brenda Kuvendit me luftu edhe për të drejtat e barabarta edhe për çështjet e LGBT-së. Kosova ende nuk e ka një grup të tillë.

Vlora Çitaku: Kjo qenka praktikë e mirë, nuk e paskam ditë që ka grupe të tilla. Ne e kemi grupin joformal të grave në Parlamentin e Kosovës, por është joformal. Rregullorja e punës së Kuvendit e përcakton që asocimet e tilla janë vetëm joformale, jo formale. Por kjo do të ishte një ide shumë e mirë. Ne kemi nevojë në Parlamentin e Kosovës që shumica e zëshme të koordinohet dhe të synojmë bashkarisht që të shtyjmë përpara vlerat liberale dhe të barazisë.

Sekhmet: Kështu kish qenë më e lehtë edhe për OJQ që të kishin pasë një adresë se kujt me ju drejtu?

 

Vlora Çitaku: Unë e di që ish-Presidenti Thaqi e ka pasë inicuar themelimin e një Komisioni për të drejtat e komunitetit LGBT+, mirëpo pasi që është arrestu ajo ka mbetë dhe nuk e di a është vazhdu kjo.

 

Sekhmet: Ka qenë gati grupi i themeluar, janë përcaktu detyrat. Dhe më pas kur është arrestu Presidenti, nuk ka vazhdu më ai grup.

Vlora Çitaku: Shumë keq. Kush e ka bo në Maqedoni?

Sekhmet: Është prej të gjitha partive, themelimi i grupit atje.

 

Vlora Çitaku: Por dikush ja u ka qit në mendje?

 

Sekhmet: Po, bashkë janë bo dhe e kanë kriju këtë grup brenda Kuvendit të Maqedonisë.

Vlora Çitaku: Kjo qenka ide shumë e mirë.

Sekhmet: Vitin e ardhshëm jemi tuj dashtë me analizu se qysh ka funksionu ky grupacion dhe qysh me propozu që diçka e tillë me ndodhë edhe në Kuvendin e Kosovës dhe jemi tuj dashtë me i realizu disa intervista me e pa sa ka ndiku edhe çka ka bo ky grup, që me e inciu në Kosovë, dhe me nisë me ndihmën e disa deputetëve. Folëm për Kodin Civil, për gjuhën në Kuvend. Qysh e analizon qasjen e udhëheqësve të Kuvendit të cilët munden me ta ndalë mikrofonin, qysh e vlerëson Kuvendin në aspektin e gjuhës së urrejtjes që përdoret në Kuvend?

Vlora Çitaku: Fatkeqësisht ajo nuk ka qenë seanca e vetme në Parlament ku është tejkaluar deri në ekstrem niveli parlamentar i diskutimit dhe i debatimit. Unë, me sa e di, Kuvendi e ka miratu një kod të etikës dhe po shpresoj që kryesia e Kuvendit, kryetari, ka instrumentet e nevojshme dhe të domosdoshme për të mos leju që të degradojë deri në atë pikë, deri në atë masë, gjuha dhe komunikimi. Ajo seancë për mua ka qenë e vështirë me e ndjekë dhe me e dëgju, e mund ta marr me mend se si janë ndje përfaqësuesit e komunitetit kur i kanë pa të zgjedhurit e popullit të flasin në atë mënyrë. Ka qenë e rëndë për me u ndjekë. Po shpresoj që asnjëherë kurrë të mos përsëritet. Në rregull, mos e voto, voto kundër, por jo me atë gjuhë, jo me ato argumente, jo me folë në Kuvendin e Kosovës se qysh të jesh gay apo lesbian apo trans apo bi është sëmundje! Ky është një debat që është mbyllë shumë dekada ma herët. Me e dëgju në Kuvendin e Kosovës një gjuhë që i takon shekullit të kaluar, ka qenë e frikshme.

 

Sekhmet: A e keni folë këtë pjesë me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtakun?

Vlora Çitaku: Po, e kemi diskutu. Po ai e ka mendimin e vet, ai thotë që është kundër, nuk e voton. Shumica nuk mendojnë ashtu, por është çështje me të cilën personalisht kam diskutuar me z.Lushtaku. Është në rregull me thonë, “Unë besoj, jom konservativ, besoj në këto vlera”. Mirëpo duhet të jemi të kujdesshëm që asnjëherë të mos operojmë me një gjuhë që cënon e lëndon.

Sekhmet: E çka nëse Kodi Civil vjen prapë në Kuvend, ndoshta vitin e ardhshëm, sepse besoj që për këtë vit është kry, qysh ka me qenë qëndrimi i PDK?

Vlora Çitaku: Kemi diskutu. Aty, Kryeministri i Republikës së Kosovës, përkatësisht Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, është munduar që ta përvjedhjë, se mos harro që kjo është vetëm një pikë. Ky Kod është shumë i madh, i rëndësishëm, gjithëpërfshirës, dhe që të jem e sinqertë, është hartuar në tërësi nga Ministri Abelard Tahiri. Këtë ua konfirmon edhe Ministrja Albulena Haxhiu, ua konfirmon që ky Kod Civil është hartuar në atë kohë, përfshirë edhe Komisionet për Unionin Civil. Çka ka qenë shqetësuese është mënyra se si Kryeministri, njëjtë, si për IDAHOT që uron në anglisht në Twitter e jo në Facebook, është munduar që ta përvjedhë Kodin Civil, një dokument aq të rëndësishëm, pa debat të mirëfilltë. Jo vetëm për këtë pikë, por për secilën pikë në Kuvendin e Kosovës, për më tepër që Ministrja e Drejtësisë nuk e ka bo as përpjekjen më të vogël që me i taku grupet parlamentare, por edhe deputetët. Kur kam qenë Ministre dhe kur kam pasur ndonjë dokument jom ulë dhe kom folë me secilin, dhe ata gjysmën e partisë së vet nuk kanë arritë me e bindë që ta votojnë një dokument të tillë dhe janë munduar që të përvidhen me subjektet tjera politike pa qenë në gjendje që të dalin hapur dhe të kërkojnë mbështetje. Por PDK që një kohë nuk voton asgjë, jo vetëm Kodin Civil, por asnjë dokument që vjen nga Qeveria e Republikës së Kosovës, pikërisht për shkak të kësaj qasje. Ata mundohen me ardhë, me sjellë, me imponu, kompromisin politik e kanë shndërru në fjalë të ndytë, dialogun si intrument e kanë eliminu, pra dialogu social nuk ekziston, s’ka dialog as me sindikata, as me mësues, as me policë,  as me minatorë, as me zjarrëfikës, as me opozitë, as me ndërkombëtarë. Është një shumicë parlamentare që kërkon imponim, nuk don dialog dhe kompromis.

 

Sekhmet: Këtu po flasim për qasjen e Qeverisë dhe Ministrave ndaj Kodit Civil. Por, në përgjithësi, kur vjen puna te çështjet LGBT, qysh e vlerëson punën e qeverisë së fundit, për këto tri vite?

Vlora Çitaku: E kom pa që kryeministri asnjëherë nuk ka dalë në Paradë. Mirë, paska dalë këtë vit, po më vjen mirë, e di që ka organizu diçka në qeveri. Paska dalë por nuk e paska mediatizu, pra. E paska mbajtë sekret. Nuk më duken që kanë bo diçka. Ju komuniteti e dini ma mirë, është mirë me diskutu me organizatatat. Por, fatkeqësisht, siç e thashë, kjo shumicë parlamentare dialogun social nuk e ka instrument të politikëbërjes, ndërtimit të politikave. Qasjen e njëjtë siç e ka ndaj komunitetit LGBT e ka edhe ndaj sindikatave të arsimit. Na e kemi pa një fushatë të tmerrshme dehumanizuese ndaj kryetarit të sindikatës së arsimit, shembull, ja kanë përqeshë dhëmbët e rrobat. Më duket qasja e njëjtë.

Sekhmet: Nëse kishe me qenë në pozitën e Kryeministres, në të ardhmen, çka do të bëje ndryshe? 

 

Vlora Çitaku: E para, me e riaktualizu punën e një Komisioni që e ka nisë Presidenti Thaqi atëherë. Ndërtimin e një platforme ku janë të përfshirë të gjithë, edhe komuniteti, edhe Parlamenti, edhe Qeveria, edhe organet e shëndetësisë, edhe ato të sigurisë, ku do të mund të komunikonim me njëri-tjetrin më hapur, edhe të përcaktohemi bashkë për hapat të cilët janë të nevojshëm në mënyrë që komuniteti të ndihet më i sigurt, më i përfaqësuar. Sfida do të ketë gjithë, dhe shumicë absolute në Kosovë dhe konsensus nacional na nuk kemi bash për asgjë. Është për të ardhë keq, por nuk e kemi për asnjë temë. Unë nuk pres që do të arrijmë konsensus as për këtë çështje. Por është e rëndësishme që shumica e heshtur që ekziston edhe në PDK, edhe në VV, jam e bindur, edhe në LDK, edhe në partitë tjera, të bëhet e zëshme. Hapi i parë – do të flisja më hapur, më shpesh, drejtpërdrejt edhe vet por edhe bashkë me komunitetin LGBTI+.

 

Sekhmet: Dhe e fundit, çka do t’ju thoje qytetarëve LGBT+ përmes kësaj inteviste?

Vlora Çitaku: Me duket që i thashë krejt. Mos hezitoni me trokitë në derë edhe dera ime është gjithmonë e hapur për ta, gjithmonë.

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.

 

Dizajni nga: Elvira Thaçi

Intervistuesi: Dardan Hoti

Logo_edited.jpg
SDC_RGB_hoch_pos.jpg
Sweden_logotype_England_edited.jpg
LUXEMBOURG_AID&DEVELOPMENT_LOGO_CMYK.jpg

Zhvillimi dhe publikimi i kësaj interviste është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e kësaj interviste është përgjegjësi e Institutit Sekhmet dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF-së, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut.

bottom of page