top of page

Instituti Sekhmet ndërmori një hulumtim të rëndësishëm, të parin e këtij lloji, që synon të njohë qëndrimet dhe pritjet e personave queer në Republikën e Kosovës në zgjedhjet elektorale dhe proceset zgjedhore. Studimi u hartua për të kuptuar qëndrimin e personave queer ndaj politikanëve dhe programeve të partive politike, veçanërisht në lidhje me çështjet LGBTIQ+ në Kosovë. Ky hulumtim u përpoq të eksplorojë kompleksitetin e votimit queer, duke shqyrtuar se si agjendat dhe përfaqësimet politike (ose mungesa e tyre) ndikojnë në angazhimin e komunitetit queer në këtë proces demokratik.

Analiza e këtij hulumtimi fillon me një profil demografik të personave të anketuar, duke theksuar diversitetin përbrenda personave queer në Kosovë në aspektin e prejardhjes, moshës, identitetit gjinor dhe orientimit seksual.

Gjetjet kyçe tregojnë për angazhim politik aktiv në mesin e personave queer, me një shumicë të konsiderueshme që posedojnë pasaporta kosovare dhe raportojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e fundit. Faktorët që ndikojnë në vendimet e votimit përfshijnë një spektër të gjerë konsideratash, duke filluar nga qëndrimet e partive politike në lidhje me të drejtat e LGBTIQ+ deri te çështjet tjera sociale dhe ekonomike.

Studimi thekson rëndësinë e pozicionit të partive politike në lidhje me të drejtat e LGBTIQ+, me një shumicë përmbajtësore të përgjigjeve që e konsiderojnë këtë faktor vendimtar në zgjedhjet e tyre. Përveç kësaj, hulumtimi tregon edhe burimet e ndryshme të informacionit të përdorura nga votuesit queer për të qëndruar të informuar rreth partive politike dhe kandidatëve, duke theksuar rolin e mediave sociale dhe organizatave LGBTIQ+ në formimin e ndërgjegjësimit politik.

Në fokus del një tendencë e dukshme e shfaqjes së çështjeve LGBTIQ+ në fushata zgjedhore, me një pjesë të konsiderueshme të përgjigjeve që hasin në adresim të drejtpërdrejtë të këtyre çështjeve nga partitë politike ose kandidatët. Megjithatë, sfidat vazhdojnë për komunitetin LGBTIQ+ në Kosovë, përfshirë pavarësinë financiare, strehimin, dhe diskriminimin në vendin e punës, duke theksuar natyrën shumëdimensionale të luftës së tyre.

Perceptimet në lidhje me progresin në të drejtat e LGBTQ+ ndryshojnë midis përgjigjeve, duke treguar një kuptim të nuancuar të peizazhit shoqëror-politik në Kosovë . Gjithashtu, diskutimi në fokus-grupin me aktivistë dhe organizata LGBTIQ+ nënvizon nevojën për një përfshirje më të gjerë politike dhe mobilizim të mëtejshëm të votuesve dhe përfaqësuesve politik.

Në fund, analiza ofron rekomandime me synim përmirësimin e përfaqësimit politik, angazhimit të komunitetit, dhe avokatimit për të drejtat e personave queer në Kosovë. Këto rekomandime përfshijnë nismat për të integruar çështjet LGBTIQ+ në agjendat politike, fuqizimin e personave queer përmes edukimit dhe mobilizimit dhe avokimin ndërgjegjësues për të adresuar pengesat kulturore, sociale e ekonomike të personave queer.

Marrë parasysh faktin se Kosova vazhdon të mbetet një prej shteteve më homofobike në botë, dalja haptazi e personave queer është ende e paktë, gjë që i bën hulumtimet e kësaj natyre të mangëta. Ky hulumtim i Institutit Sekhmet, më shumë se të japë përgjigje të fundme, ka për qëllim të nxisë diskutim në lidhje me përfaqësimin e personave queer në peizazhin politik të Kosovës si dhe të shërbejë si pikënisje për identifikimin e nevojave të menjëhershme të cilat politikanët e politikanet duhet t’i kenë parasysh për të hartuar programe qeverisëse sa më gjithëpërfshirëse. Poashtu, ky hulumtim ka për qëllim të shërbejë edhe si pikënisje e një misioni afatgjatë të Institutit Sekhmet për të edukuar votuesit/et queer për të ndëshkuar me votë politikanët e politikanet që haptazi shpërfaqin qëndrime homofobike apo që nuk përfshijnë zërat queer në planprogramet e tyre qeverisëse.

Ky hulumtim dhe përpilimi i kësaj analize është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e Institutit Sekhmet dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF- së, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të autorëve dhe Institutit Sekhmet dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit. 

Botuar nga: Instituti Sekhmet

Autorë: Aurela Kadriu dhe Roni Idrizaj

Dizajni: Elvira Thaqi

 

Përmbajtja e këtij publikimi mund të përdoret dhe kopjohet lirshëm për qëllime edukative dhe qëllime tjera jokomerciale, me kusht që riprodhimi të shoqërohet me njohjen e Institutit Sekhmet si burim. 

Të gjitha të drejtat e rezervuara

© Instituti Sekhmet 2024

bottom of page